Një përshkrim i shkrurtër rreth jush, ku punoni, sa vite eksperiencë keni si dhe fushën tuaj të ekspertizës:
Karriera ime si arkitekte ka filluar 9 vite më parë, si pjesë e një grupi arkitektësh në një kompani të njohur shqiptare. Me një dëshirë dhe pasion të madh për atë ç'ka bëja, ashtu dhe këmbëngulje krijova LAAGO Architects, studion e arkitekturës të cilën e drejtoj që prej pesë vitesh. Jam e lumtur që aftësitë dhe ekspertizën time e ndaj me një staf arkitektësh të rinj e të motivuar.
Pse keni zgjedhur arkitekturën? Cila ka qenë shkëndija që ju drejtoi drejt këtij profesioni?
Lidhja ime me arkitekturën ka ardhur në mënyrë shumë organike e të natyrshme. Dëshira për vizatimin ka lindur kur isha shumë e vogël dhe u rrit bashkë me mua. Tërheqja ndaj të bukurës, kreativitetit, dëshira për të zbukuruar, ndryshuar gjërat që më rrethonin kanë qenë shkëndija e parë që më bëri të mendoj se profesioni i arkitektit do të ma plotësonte më së miri dëshirën për të ndryshuar dhe ndikuar pozitivisht në jetën e njerëzve. Kjo dëshirë u shndërrua në pasion dhe u plotësua me ndjenjë, mision, këmbëngulje, guxim dhe shumë punë.
Si e mendoni ju arkitekturën dhe cili është projekti juaj i cili ju përfaqëson më së miri?
"Arkitektura është nëna e artit. Pa një arkitekturë që na përket, që është e jona, qytetërimi ynë nuk ka shpirt." - do të shkruante Frank Lloyd Wright.
Arkitektura për mua ka "shpirt" shumë dimensional... Ajo krijon të renë, por duke ruajtur të shkuarën, përçon ide, modelon të bukurën, ndryshon pikëpamje dhe edukon shoqëri. Ky është dhe misioni im… Arkitekturën e mendoj si një fushë komplekse, gjithëpërfshirëse, me një ndikim të madh social, progresiv, zhvillues për shoqërinë. Arkitektura ka forcë për të edukuar, drejtuar, përmirësuar dhe zbukuruar jetën e njeriut. Projektet e studios sime nuk i ndaj pasi në secilin prej tyre është punuar me profesionalizëm, pasion dhe përgjegjshmëri maksimale. Falë dëshirës dhe përkushtimit tim dhe skuadrës me të cilën unë punoj, jam bërë pjesë e këtij grupi profesionistësh që ka mundësi dhe aftësi ta bëjë botën më të mirë e më të bukur për të jetuar.
Çfarë këshille do i jepje vetes tënde në fillim të karrierës, e vlefshme edhe për arkitektet e reja ose ato vajza/gra që duan të bëhen arkitekte?
Asgjë nuk krijohet nga hiçi, kërkohet pasion dhe vullnet në gjithcka që bëjmë për të arritur sukses. Unë besoj që jeta shpërblen më guximtarët dhe ky guxim duhet të jetë i veshur me shumë punë, pasion dhe dëshirë për t’u zhvilluar. Ne si arkitekte duhet të jemi në kërkim të vazhdueshëm, ta shohim botën me kureshtje, në mënyrë analitike për të krijuar një realitet ndryshe, gjithnjë e më të bukur. Të jemi të vetëdijshëm që kemi në dorë të krijojmë modele sociale duke qenë në të njëjtën kohë shumë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për mundesinë dhe besimin që na jepet.