Larmishmëria e botës ku jetojmë nuk do të kishte të njëjtën gjallëri nëse do të mungonin ngjyrat! Efektet e ngjyrave ndikojne thellë jo vetem në perceptimin e botës por edhe në gjëndjen psikologjike të njerëzve.
Por përpse ngjyrat përbëjnë një peshë të rëndësishme të jetës sonë? Përpos simbolikës që ngjyrat mbartin, shpesh sjelljet dhe emocionet nxiten vizualisht me anë të ngjyrave. Imagjinoni të zgjodheni në një dhomë ngjyrë vjollcë ose në një dhomë me tone të bardha, e sigurtë që ndjesitë nuk do të jenë të njëjta!
Do të ishit më produktiv gjatë punës tuaj, në një zyrë gri apo në një zyrë ku mbizotëron e verdha?
Marrëdhënia midis projektimit dhe ngjyrave është tejet komplekse dhe është e lidhur ngushtë jo vetëm me simbolizmin, misticizmin, kulturën por edhe me periudhën historike, pasi perceptimi i tyre variojnë pikërisht në varësi të kohës, vendit dhe projektuesit që i ka përdorur.
Madje, Le Corbusier në fillimet e tij, në një artikull shkruar së bashku me Amédée Ozenfant për Kubizmin dhe Purizim është shprehur se forma është thelbësore dhe ngjyrat janë thjesht një aksesor! Ndërkohë, qasja e tij ndaj përdorimit të ngjyrave në projektim rreth viteve ’30 ndryshoi plotësisht. Në shkrimet e tij rreth arkitekturës polikromatike (përdorimi i shumë ngjyrave), ai bie dakort me thënien e Fernand Leger-it i cili shprehet “ Njeriut i nevojiten ngjyrat që të jetojë, një element po aq i domosdoshëm sa uji dhe zjarri”
Shembuj të qasjes së re ndaj rolit të ngjyrave, e përshkruan dhe me përdorimin e ngjyrave në projektin e lagjes në Pessac, ku zgjodhi ngjyrën si elementin për të ndryshuar perceptimin hapësinorë të arkitekturës.
Image source: HEI Alumni
Gjithashtu një rol të rëndësishëm në lëvrimin e përdorimit të ngjyrave në projektimin pati dhe lëvizja hollandeze De Stijl, nisur nga piktuarat abstrakte të Mondrian (bazuar në 4 ngjyrat kryesore ) De stijl ndikoi në krijimin e një praktike të ndërgjegjshme në përdorimin e ngjyrave si një element pëcaktues të hapësirës përkundrejt funksionit tradicional dekorativ që mbartinin deri asokohe.
Mondrian-
Ngjyrat janë element i rëndësishëm në projektim, si elementet e tjerë ato mbartin një peshë të rëndësishme për perceptimin e ambjenteve dhe nxitjen e emocioneve.
Sidoqoftë ngjyrat mbartin simbolikën e tyre dhe do mundohemi t’ju përcjellim ato kryesoret në këtë artikull, duke i ilustruar me shembuj nga projektet e publikuara në pikark :
E bardha është e asociuar me dëliresinë dhe paqen! E lidhur ngushtë me shpirtëroren, të thjeshtën dhe pastërtinë.
Natyrisht është ngjyra e preferuar për ambjente të cilat evokojnë qetësinë mendore dhe shpirtërore dhe më së shumti në stilin minimalist. Shpesh, duke qënë simbol i pastërtisë përzgjidhet shumë për ambjente mjekësore si spitale, klinika etj, Qetësia vizuale dhe shpirtërore e bëjnë të preferuar dhe për ambjente ku kultivohet paqja shpirtërore si ambjete joge apo qendra meditimi.
Por e bardha ka qënë ngjyra e preferuar e arkitekturës moderne sepse arkitektura duhej të zhvishej nga zbukurimet dhe t'i linte vend formave të pastra!
Ngjyra e bardhë kthehet ne kryefjale për të Arkitekte si Campo Baeza, Alvaro Siza, apo dhe “ the Whites” 5 arkitektët e New York-ut: Peter Eisenman, Michael Graves, Charles Gwathmey and Richard Meier , të cilët ishin të përkushtuar në eksperimentimin e ideologjinë e arkitekturës moderne. Natyrisht, përpos formave të pastra, ngjyra dominuese e objektëve të tyre ishte e bardha!
Ne sot kemi përgjezdhur projektin nga Besnik Grainca, ku e bardha është ngjyra kryesore në këtë projekt:
E kuqja është ngjyra që stimulon më shumë! Në psikologjinë e ngjyrave ajo dallon si ngjyra më e fortë që evokon pasionin, guximin, dashurinë, gjakun dhe ndjenjat të cilat ngacmojnë fort mendjen! Simbolika e saj ndryshon në varësi të kulturave, si fat dhe lumturi në Kinë, mbarësi në Iran e deri në vajtim në Afrikën e Jugut. Por sidoqoftë forca e simbolikës së saj e bën të jetë ngjyra e përbashkët në 196 flamure të botës.
E etiketuar dhe si "ngjyra e luftës" e kuqja shkakton ndjenja agresiviteti dhe dominimi, prandaj sugjerohet përdorimi në doza të vogla, për të theksuar elemente të caktuar. Prandaj shpesh sinjale, apo mesazhe të cilat përmbajnë një dozë rreziku shpesh përcillen nëpërmjet ngjyrës së kuqe!
Në arkitekturë, zakonisht përzgjidhet si ngjyrë për të theksuar elementë të spikatur, apo edhe si një mjet për të rrëfyer histori duke sjellë pak dramaticitet!
Kjo është një ngjyrë stimuluese dhe e cila jo pak përzgjidhet për të rënë në sy si projektet e përzgjedhura nga ne :
E pamundur mos të keni venë re pallatin e verdhë në Rr. “Hoxha Tahsin”. Pikërisht efekti që ngjyra e verdhë thërret dhe e bën të bie në sy akoma më shumë.
Në psikologjinë e ngjyrave e verdha shprehin gjallëri, optimizëm dhe gëzim dhe përdorimi i saj në arkitekturë nxit përdoruesit e saj të jenë më të gjallë e të lumtur, duke nxitur dhe ndëveprimin midis tyre! Një ngjyrë shpesh e përdorur dhe në projektet ku fëmijët janë përdoruesit e ambjenteve si kopështi Montesori dhe Sunny Hill.
Ngjyra portokalli vjen si rezultat i bashkime të ngjyrës së kuqe me atë të verdhë. Rrjedhimisht, përthith disa nga veçoritë e këtyre si ngjyrave si gjallëri dhe kujdes por jo rrezik (si e kuqja). Mbase nuk e shohim shpesh në arkitekturë, por në projektimin e ambjenteve të brendshme efekti është i dukshëm duke fyrmëzuar fuqi dhe kurajo te përdoruesit, në subkoshiencë e tyre!
Bluja është gjithëkund! Ngjyra e qielli dhe e detit, na sjell vetvetiu një qetësi të menjëhershme. Ngjyra që përfaqëson, optimizmin, sigurinë dhe vetëbesimin shpesh njihet si dhe ngjyra më misterioze e të gjithë spektrit të ngjyrave (me siguri nisur nga thellësia e oqeaneve dhe pafundësia e qiellit Pikërisht për këtë aryese është përdorur dhe në ndërtesa të rëndësishme të besimit si Xhamia Blu në Stamboll, për të sjellë si misticitetin ashtu dhe ndjesinë e qetësisë që ngjyra blu e qiellit thërret.
Sot do ju sjellim një projekt i cili do ju vendosni tërësisht në thellësinë e detit Jon!
Nuk e hasim shpesh këtë ngjyrë nëpër projekte sepse dhe vetë simbolika e saj është e lidhur ngushtë me aristrokracinë. Ngjyra vjollcë në psikologjinë e ngjyrave simbolizon luksin, mënçurine dhe finsikërinë. E spikatur rrallë në natyrë, shpesh e asociohet me magjinë, të mbinatyrshmen dhe mistiken.
E përdorur me kujdes, ngjyra vjollcë, përcjell vlerë dhe prestigj, duke e bërë përzgjedhës ndaj përdoruesve të saj. Sot t'ju sjellim projektin servis Fantazia nga MUR architecture e cila sjell përdorimin e ngjyrës vjollcë si elementin kryesor!
Çdo ngjyrë e cila gjendet në natyrë me bollëk ka impakt pozitiv në gjendjen tonë shpirtërore! Nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe me ngjyrën e gjelbër, presenza e se cilës të sjell vetëm harmoni dhe balancë, çka e bën ngjyrën e duhur për zyra dhe dhoma gjumi!
Ngjyra e gjelbër mbart gjithashtu pëgjegjësi ndaj mjedisit, duke ndikuar në sjelljen njerëzore në momentin kur e shikojmë.
( Prandaj një pjesë e madhe e kompanine, organizatave apo dhe studiove të projektimit të lidhura me qëndrueshmërinë mjedisore kanë në logo ngjyrën e gjelbër)
Shpesh përzgjidhet për të sjellë natyrën kur nuk mundet të jetë prezente (si trendi i disa viteve të fundit me gjelbërim vertikal në ambjentet komerciale) dhe për të krijuar një balancë në të gjithë ambjentin.
Kur bëhet fjalë për ngjyrën rozë lidhja e menjëhershme bëhet me femëroren dhe dhëmbshurinë.
Ne vetvete kjo ngjyrë simbolizon, çiltërësinë dhe fëmijërinë, prandaj në ambjente të projektuara me këtë ngjyrë duhet patur kujdes për të mos krijuar një ambjent shumë fëminor ( nëse nuk është ky qëllimi).
Por përtej një ngjyrë femërore, ngjyra rozë stimulon krijimtarinë dhe gëzimin, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, pikërisht si te projekti i Lunaria.eu nga Pana studio.
E zeza është ngjyra e preferuar e arkitektëve, kjo me shumë gjase sepse përfaqëson seriozitetit, elegancën dhe luksin në një mënyrë të balancuar!
Shpesh prezente në masa të moderuara në projekte të lidhura me prestigjin dhe autoritetin, e zeza përcjell formalitet dhe respekt. E përdorur në projektimin e ambjenteve të brendshme sidomos kur synohet një ambjent i sofistikuar, elegant dhe mistik.