nga Suada Dema
Milano, ndonjëherë më shumë se një qyteti të zhurmshëm, i ngjan një ekspozitë gjigande që nuk mund të mos lidhet me konceptin e së dukshmes, estetikës, eksperimentimit më të bukurën dhe jo vetëm.
10 shtatori shënoi mbylljen e Milano Design Week 2021, një ndër eventeve më të rëndësishme në botën e dizajnit dhe arkitekturës. Pavarësisht rrethanave të këtij viti, për 6 ditë me rradhë entuziastët e dizajnit patën mundësinë të vizitojnë ekspozitat e Salone del Mobile ne Rho Fiera dhe eventet e Fuorisalone të shpërndara në distriktet më të famshme të qytetit.
Për një arkitekt ose krijues të ri, java e dizajnit është një eksperiencë të mësuari dhe frymëzimi më vete, jo vetëm nga impakti vizual por edhe sepse ofron njohjen nga afër me mënyrën se si njerëzit e përjetojnë dizajnin, si ndërveprojnë me të dhe çfarë kërkojnë vërtetë nga një krijim inovativ. Shpesh, Fuorisalone është vendi ku lindin iniciativa të reja që shkojnë përtej këtij eventi, frymëzohen projekte nga të rinjtë dhe promovohen kultura teknika dhe qasje të reja ndaj problematikave të arkitekturës dhe dizajnit. Prezantimi i projekteve merr vëmendje të veçantë, ku krijues të ndryshëm vendosin të luajnë me dritën, tingujt dhe çdo detaj tjetër të hapësirave që promovojnë për të krijuar një përvojë për të gjtha shqisat.
Ekspozitat dhe panairet shoqërohen me evente kreative dhe me plot mundësi për tu njohur me njerëzit me më ndikim në fushën e dizajnit kontemporan, biseda, prezantime ose intervista me arkitektë të njohur zhvillohen përgjatë gjithë javës duke ju dhënë mundësinë ndjekësve të njohin skenën e arkitekturës së ditëve të sotme, synimet dhe sfidat me të cilat përballet kjo fushë, me ndryshimin e atmosferes politike, sociale dhe klimatike në botë. Eventet nuk kufizohen në diskutime formale, pasi aktivitete gjthë përfshirëse shoqërojnë ekspozitat përgjatë gjithë javës.
Teksa kalon në rrugët stisëse të Brerës në kërkim të palazzo’ve të vjetër që tanimëe hapin dyert për instalacione kontemporane nuk mund të mos ndihesh pjesë e një “kërkimi thesaresh”. Por çfarë e bën vërtetë të rëndësishëm këtë event, nuk është patjetër karrigia me e çuditshme që mund të të kenë zënë sytë apo objektet që të duhet kohë ti kuptosh, por momenti kur ndjen se ke përjetuar shumë për një kohë aq të shkurtër, ideja e rëndësisë së detajeve dhe dizajnit të mirë në jetën tonë të përditshme, kuptimi i qëllimit të vërtetë të dizajnit përveç të dukshmes.
Milano Design Week është pikërisht koha kur qyteti kthehet në atë çfarë ëndërron të jetë, një manifestim gjithëpërfshirës i së bukurës, shijes dhe një realiteti të ri të menduar në çdo detaj.