“Rammed Earth” (dhe i ngjeshur me goditje) është një sistem konstruktiv me bazë dheu i bërë prej zhavorri kompakt, rërë dhe argjilë; që është jashtëzakonisht i fortë dhe i qëndrueshëm. Kjo teknikë përdoret për ndërtimin e themeleve, dyshemeve, mureve - një teknikë e lashtë që është rikthyer kohët e fundit si një metodë e qëndrueshme ndërtimi. Teknologjia tradicionale përdor një shufër druri për të goditur në mënyrë të përsëritur mbi përzierjen e dheut për ta ngjeshur atë. Arkitektura me dhe të ngjeshur është përdorur veçanërisht në Kinë, e aplikuar si në monumentet antike ashtu edhe në arkitekturën popullore, - siç është Muri i Madh Kinez, - në tempujt japonezë si dhe pallatin dhe fortesën Alhambra.
Sot, arkitektura me dhe të ngjeshur përdoret në të gjithë botën në shtëpi luksoze, zyra, qendra tregtare, vendet e adhurimit dhe shumë të tjera. Në dheun e ngjeshur modern shtohet 5-10% çimento, e përcaktuar nga inxhinieri. Gjithashtu, brenda murit prej dheu të ngjeshur shtohet izolimi i fortë për rezistencë termike, si dhe armaturë çeliku për përforcim sizmik. Muret me dhe të ngjeshur cilësor janë të dendur, të fortë dhe të ngjashme me gurin, me përfitime të mëdha mjedisore dhe karakteristika superiore të kërkesave të ulëta për mirëmbajtje.
Të punosh me dheun e ngjeshur me goditje kërkon një kuptim të mirë të klimës dhe vendndodhjes në të cilën do të ndërtohet struktura. Në mënyrë tipike, kjo teknikë funksionon më mirë në klimat me lagështi të lartë dhe temperatura relativisht të moderuara. Në klimat më të ftohta, muret prej dheu të ngjeshur mund të kenë nevojë për izolim shtesë, ndërsa në vendet me reshje të mëdha, struktura kërkon mbrojtje shtesë kundër shiut.
Ngjyra e mureve me dhe të ngjeshur përcaktohet nga dheu dhe agregati i përdorur. Procesi i goditjes vazhdon shtresë pas shtrese dhe mund të paraqesë pamjen e shtresëzimit horizontal në mure, të cilat mund të përmirësojnë estetikën e përgjithshme. Mund të kontrollohet si tipar ose të eliminohet.
Pavarësisht se është lënë pas dore si teknikë ndërtimi për vite me radhë, ky lloj konstruksioni tani po përjeton një rilindje në arkitekturë. Këtu sjellim një përzgjedhje të disa prej ndërtesave që e kanë shfrytëzuar më së miri këtë material:
Qendra e re e erëzave Kräuterzentrum gjendet si një bllok i çrregullt në mes të një peizazhi të mbushur me ndërtesa industriale konvencionale në Laufen, Zvicër. Objekti është ndërtuar kryesisht nga dheu me burim vendas; ai është si një segment gjeometrik i peizazhit me dimensionet dhe ndikimin e tij arkaik të theksuar nga zgjedhja radikale e materialit. Energjia dhe qëndrueshmëria nuk trajtohen thjesht si ndihmesa teknike; ato janë të ndërtuara me arkitekturën dhe tiparet thelbësore të projektit në tërësi. Dheu - si një material që rregullon lagështinë - ka një efekt pozitiv dhe të qëndrueshëm në përdorimin e energjisë dhe kontrollin e përgjithshëm të klimës.
Me 230 metra gjatësi, muri më i gjatë me dhe të ngjeshur në Australi dhe - ndoshta - hemisferën jugore, gjarpëron përgjatë buzës së një dune rëre dhe kufizon dymbëdhjetë vendbanime të mbuluara me tokë natyrore, të krijuara për të siguruar strehim afatshkurtër për një stacion bagëtish gjatë sezonit të grumbullimit. Me fasadën prej dheu të ngjeshur 450 mm të trashë dhe dunën e rërës në pjesën e pasme si tarraca, rezidencat kanë masën më të mirë termike të mundshme, duke i bërë ato natyrshëm të freskëta në klimën subtropikale. Muri (konstruksioni) me dhe të ngjeshur përbëhet nga argjila ranore e pasur me hekur që është një tipar mbizotërues i vendit, zhavorri i marrë nga lumi ngjitur dhe (i lidhur me) ujë nga burime lokale.
Ky muze arti ndodhet në periferi të Jingdezhen, Kinë, një qytet i famshëm për prodhimin e porcelanit, kështu që DL Atelier zgjodhi të përdorte argjilë me burim lokal për të krijuar muret e tij me dhe të ngjeshur. Fshati aktualisht ofron një pikëtakim për artistët dhe hapësira ekspozitash, kështu që studioja vendosi të hartonte një mjedis unik që përdor arkitekturën për të evokuar marrëdhëniet intensive midis krijuesve dhe materialit. Projektuar për të krijuar idenë sikur po del nga toka, materiali i përdorur në ndërtesë paraqet një teksturë unike që sipas arkitektëve "mund të ofrojë një ndjenjë poetike".
Studioja meksikane e arkitekturës RIMA Design Group ka ndërlidhur disa struktura, të bëra nga dheu i ngjeshur, me pjergulla druri për të formuar një qendër arti në Los Cabos, Meksikë. Casa Ballena u krijua për një artist meksikan i cili dëshironte të krijonte studio dhe rezidenca për artistët vendas dhe ndërkombëtarë. Secila prej ndërtesave është e ndërtuar me dhe të ngjeshur të ngjashme me ngjyrën e tokës përreth pronës. Studioja vendase zgjodhi këtë material pasi është i aftë të krijojë mikroklima që ndryshojnë në varësi të kushteve të mjedisit dhe nga aftësia e tij për izolimin e zërit.
Gitai Architects përdorën dhe të ngjeshur dhe gurë nga krateri pranë Mitzpe Ramon për të ndërtuar pikën e vëzhgimit Landroom në shkretëtirën Negev në Izrael. Landroom ka për qëllim të funksionojë si një strehë nga dielli gjatë ditës dhe një observator gjatë natës. Struktura është gjashtë metra katrorë dhe ka hapësirë për vetëm dy persona. Ajo nuk ka çati, por është e hapur ndaj ajrit të shkretëtirës për t'u dhënë vizitorëve një pamje të qiellit natën të kornizuar nga muret prej dheu të ngjeshur. Studioja e përshkroi Landroom si "një strukturë minimale mjedisore e konceptuar midis terrenit dhe një objekti peizazhi".
Nk’Mip është projektuar si një përgjigje specifike dhe e qëndrueshme ndaj kontekstit unik të ndërtesës. Ajo ndodhet buzë një prej ekosistemeve më të rrezikuar në Kanada, pika më veriore e Shkretëtirës së Madhe Amerikane. Misioni i qendrës është të ekspozojë Shkretëtirën Okanagan dhe kulturën e njerëzve Okanagan dhe të promovojë përpjekjet për ruajtjen e botës së egër të shkretëtirës. Dizajni është njëkohësisht një homazh për banesat tradicionale të dimrit të popullit Okanagan dhe një integrim i mirëfilltë në peizazhin natyror me një model arkitektonik bashkëkohor. Peizazhi i shkretëtirës rrjedh mbi çatinë e gjelbër të ndërtesës, e mbajtur nga një mur me dhe të ngjeshur. Muri me dhe të ngjeshur është i ndërtuar nga dheu vendas, beton dhe aditivë ngjyrash. Trashësia dhe masa e tij sigurojnë një vlerë izoluese që ndihmon në sigurimin e një temperature të brendshme më të qëndrueshme sesa luhatjet e mëdha të temperaturës në klimën përreth shkretëtirës.
Vendndodhja e Los Terrenos gjendet në një zonë banimi malore të pyllëzuar ngjitur me anën jugperëndimore të Monterrey. Strategjia e peizazhit synonte t’i përgjigjej dhe të imitonte florën dhe faunën ekzistuese të vendit. Programi i strehimit është fragmentuar sipas funksionit dhe rolit të secilit komponent brenda vendit, ku të gjithë janë të mbyllur në një shesh perfekt në planin e përgjithshëm. Zona e ditës është pozicionuar në nivelin e tokës e rrethuar nga një veshje xhami pasqyrë që njëkohësisht pasqyron dhe bëhet pjesë e mjedisit të harlisur, ndërsa dhomat e gjumit janë nëntokësore dhe të ndërtuara me argjilë dhe tokë të ngjeshur sipas topografisë.
Source: Wikipedia; Dezeen; Archdaily