Të dhëna mbi projektin
-
Studio
AVatelier
-
Faqja e Studio
-
Arkitekti
Armand Vokshi, Alba Caja
-
Tipologjia
Refurbishment
-
Statusi
Completed
-
Viti i ndërtimit
2017
-
Sipërfaqja
917 m2
-
Kate
4+2
-
Photography
Besart Cani
-
Ekipi
Inxhinier strukturiste: Igli Kondi, Julian Kasharaj
Përshkrimi
Vila për të cilën u parashikua rikonstruksioni i saj nga fillimi, duke i shtuar një kat mbi tokë dhe një nëntokë, ishte një vilë e vjetër modeste e viteve 1920, e ndërtuar në kryqëziminin midis rrugës së Durrësit dhe rrugës Kont Urani. Ajo kishte tre kate mbi tokë dhe një bodrum të vogël nëntokë. Hyrja kryesore ndodhej në rrugën e Durrësit ndërsa hyrja dytësore nga ana e rrugës Kont Urani.
Rindërtimi total i vilës u bë për disa arsye. Së pari sepse ishte e pamundur ndërhyrja dhe konsolidimi i strukturave mbajtëse ekzistuese të saj, pasi ato paraqisnin një gjendje mjaft të degraduar. Së dyti, pronarët e vilës kërkonin që nëpërmjet rikonstruksionit, të përfitonin në sipërfaqen nëntokë dhe mbitokë, si dhe të përmirësonin aspektin e jashtëm. Fasadat e jashtme si dhe ambientet ne interierin e vilës ishin në gjendje tepër të amortizuar, deri në degradim të plotë.
Ideja bazë ishte mbajtja sa më shumë pranë e volumeve harmonike ekzistuese, si dhe mbajtja rigoroze e çarjeve në të njëjtat pozicione. Elementet e reja që u propozuan, duhet të ishin në funksion të plotë të të vjetrave dhe sidomos në harmoni me rrugën e Durrësit dhe me rrugën Kont Urani. Në projekt, për të pasur hapësirë më të madhe në funksionalitetin e ambienteve të saj të brendshme, u realizua një shtesë kati duke mbajtur te njëjtën lojë volumore ekzistuese.
Vendosja në pjesën e jashtme të saj të një trupi shkalle sipas normave antizjarr, si dhe një ashensor për lëvizjen vertikale, shërbeu për të realizuar në anën e pasme një ndërhyrje bashkëkohore, në respekt të plotë me lojën e volumeve të mëparshëm.
Pjesa e jashtme e vilës u trajtua estetikisht në fasadë me një veshje me gur nga Lecce e Italisë, i cili ka veti interesante të asorbimit të dritës së diellit, kjo falë përbërjes së tij prej mase shtufi. Edhe bardhësia e materialit i jep objektit kontraste harmonike gjatë periudhave të ndryshme të ditës. Ndërkohë që gjatë natës është tentuar të përdoret një ndriçim i veçantë si nga rruga e Durrësit si një rrugë kryesore e Tiranës, ashtu edhe nga ana e rrugës së Kont Uranit.
Gjuha arkitektonike e përdorur është munduar të ruajë çarjet dhe stilin e vet duke e pasuruar me pak elemente dekorativë që e lidhin në një farë mënyre edhe me godinën e Ministrisë së Arsimit dhe me godinat e tjera në rrugën e Durrësit.
Aktualisht në të është vendosur Drejtoria e Përgjithshme e Taksave të Qytetit të Tiranës.
Vendndodhja
Tirana, Tirana, Albania