Sot, që flasim, Tirana ka ndryshuar shumë dhe dalëngadalë po humbet trajtat e qytetit në të cilin unë jam rritur! Ato pjesëza historie të cilat të kujtojnë periudhën e ndikimit italian, me vilat simetrike dhe kopshtet e bukura që gjendeshin në bllokun e vilave në rrugën e Elbasanit, Kompleksi i Teatrit Kombëtar në rrugën Pedonale ‘Murat Toptani’ apo vilat neoklasike dhe ato të stilit otoman që shfaqen papritur nëpër rrugicat e Tiranës që lidhin rrugët kryesore, po veniten dita ditës nga memoria e qytetit tonë!
Fotoja: https://commons.wikimedia.org/wiki/Category:Mbretëresha_Geraldinë_Maternity nga Jora Kasapi
E trishtë, por gjithmonë e më shumë, këto ndërtesa me vlera për qytetin tonë, po i lënë vend zhvillimit të një arkitekture bashkëkohore, të ndërtesave të larta, masive, shpesh të pa-balancuara dhe jashtë kontekstit, ku i vetmi parametër i marrë në konsideratë është ai ekonomik. Po rikthehemi në gabimet e bëra në secilën periudhë, ku çdo regjim duke dashur të imponohet, fshin dhe shkatërron gjurmët e epokave paraardhëse, duke u shkëputur nga rrënjët, gjë që e bën të pamundur mbijetesën e tij. Kështu, krijohet përpara nesh një qytet pa karakter, pa identitet dhe i huaj për qytetarët e tij.
Sot, po shkruajmë për maternitetin ‘Mbretëresha Geraldinë’, dje për Teatrin Kombētar, për Parkun ‘7 xhuxhat’, dhe nesër…?
A do të zgjohemi sërish duke parë që një pjesëz e historisë do të jetë rrënuar?
Fotoja: https://commons.wikimedia.org/wiki/Category:Mbretëresha_Geraldinë_Maternity nga Jora Kasapi
Në botë ka me mijëra shembuj sesi godina me vlera historike dhe shpirtërore, janë rikonstruktuar pa u shembur, duke e bërë të përshtatshme për kushtet bashkëkohore. Le të mos shkojmë larg, por të sjellim dy shembuj konkretë realizuar në Shqipëri, si rikonstruksioni dhe zgjerimi i Bankës së Shqipërisë dhe realizimi i Muzeut ‘Marubi’ në Shkodër. Shembuj se si me dëshirën dhe mënyrën e duhur, arrihet balanca midis ruajtjes së vlerave të godinës, qëndrueshmërisë së saj dhe përshtatjes në përdorim me kushtet e kërkuara të ditëve të sotme, duke ruajtur vlerat e trashëgimisë tonë.
Fotoja nga : Petreschi Architects
Problemi kryesor në këtë pikë, nuk është nëse ndërhyrja ishte e përshtatshme, por mungesa totale e informacionit mbi këtë projekt si dhe çfarë lloj ndërhyrje do të kryhet.
Si ndodhi përsëri që nuk kishte një informacion më të hollësishëm për profesionistët? Pse nuk u bënë ata pjesë të procesit ashtu sikuse u ftua gjithë Tirana, për zgjedhjen e logos së kryeqytetit në 100 vjetorin e tij dhe për vendime me rëndësi si ndërhyrje në pëlhurën historike të qytetit, të gjithë mbetemi pa zë?
Nëse nuk ruajmë identitetin tonë, si do ndërtojmë një të ardhme më të mirë?
Ndërkohë, le të dimë diçka më shumë për këtë ndërtesë:
Shtëpia e nënës dhe e fëmijës - Tiranë
Sot, materniteti “Geraldina” është një ndërtesë e realizuar nga ark. Tito Chioni, në vitet 1939-1940, gjatë ndikimit të fortë të Italisë fashiste në zhvillimin e Shqipërisë.
Dy ndërtesa në harmoni me njëra-tjetrën. Njëra e lartë dy kate dhe tjetra tre, të cilat lidhen me njëra-tjetrën nëpërmjet një portiku. Si një ndërtesë me rëndësi për kohën, është projektuar në bulevardin e projektuar nga Armando Brasini, në veri të bulevardit ‘Vittorio Emanuele’.
Volumet janë të ndryshme nga njëri-tjetri dhe nuk respektojnë asnjë aks simetrie, as në plan e as në fasadë. I vetmi element që lidh këtë kompleks, janë materialet e përdorura, muratura me tulla dhe finiturat në travertinë. Një element me rëndësi, në fasadën kryesore është basorelievi i skulptorit fiorentin Giusseppe Gronchi.*
*Armand Vokshi - “Tracce dell’Architecture Italiana in Albania” f.202
Fotoja: https://commons.wikimedia.org/wiki/Category:Mbretëresha_Geraldinë_Maternity nga Jora Kasapi