nga Arbër Sadiki
Kur po bëja një tekst për Bienalen e Venecias të vitit 2014 me fokus në leximin e shtresave historike të qyteteve kosovare të shtresëzuar si rezultat i rrethanave historike, shoqërore, deri tek sistemet politike, nuk e kisha vështirë ti identifikoja gjurmët e pastra të secilës periudhë. Përceptohej qartas vullneti i perandorit Justinian që përmes shkëlqimit të Ulpianës të lëjë gjurmë në viset prej nga kishte prejardhjen, ndikimi i kishës ortodokse në rendin shoqëror mesjetar përmes kishave dhe manastireve, dominimi pesëqindvjeçar osman në çdo pore të jetës duke dominuar siluetet e vendbanimeve me kupolla the minare të panumërta, njolla të neoklasicizmit Austro-Hungarez sado tërthorazi kishte kaluar këndej, deri tek Jugosllavia e pas Luftës së Dytë Botërore e cili sloganin e “barazisë apsolute të rendit sociaclist vetqeverisës dhe uniformimit të masave pa klasa shoqërore”, e shtrinte edhe në politikat e zhvillimit të qyteteve përmes ndërtesave të balansuara në kosto dhe shprehje. Periudhën më të vështirë për ta artikuluar e pata, në masë të madhe e kam edhe sot, atë të pas luftës së fundit (1999). Kjo, ndoshta edhe për shkak të afërsisë kohore. Fundja është edhe rregull fizik që gjërat që i ke afër nuk mund ti shohësh në plan të gjërë. Sido që të jetë, këtë periudhë që atëherë e kam definuar si konfuze, e shpërqendruar, e paqartë në vizion, e që u shpreh në të njëjtën masë dhe formë edhe në arkitekturë, po përpiqem të vazhdoj ta kthjelltësoj, nëse jo më shumë, duke dhënë një këndvështrim krejt individual pa insituar aspak në vërtetësinë apsolute të tij.
Menjëherë pas luftës, filloi një bum i madh ndërtimesh. Fillimisht kjo u duk si nevojë për kulm mbi kokë pak si rrjedhojë e shkatërrimeve të luftës e pak si ndalesë e ndërtimeve përgjatë regjimit dhjetëvejeçarë të Millosheviqit. Mirëpo, shumë shpejt nga nevoja për strehim u tranformua në epshin për pasurim. Qyteti filloi të trejtohet si një parcelë gjigante ndërtim ku në çdo pjesë të lirë të tij duhet të ngulitet nga një ndërtesë. Këtij skenari i paraprinë dokumentet e para planore të hartuara pas luftës ku lagje të tëra ekzistuese të banimit individual, tanimë të formësura në bazë të planeve të para luftës, u kthyen brenda natës në zona për ndërtim të lartë me korficient ndërtimi të frikshëm. Pronarët e shtëpive të ndërtuara me dashuri në vitet e 80-ta të mbuluara nga gjelbërime me shije nëpër lagjet si: Pejtoni, Bregu i Diellit, Dodona, Tophane, Emshiri,... ca për interese finaciare e ca të gjendur para faktit të kryer, detyrohen që ato të u a japin ndërtuesëve në kompenzim të disa apartamentëve. Pra, parcelat që dikur këndshëm komunikonin me shtëpitë individuale të vendosura në përputhëshmëri me madhësinë e tyre duke krijuar harmoni në mes veti, u përdhunuan nga ndërtesa shumëbanesore gjigante të cilave u interesonte vetëm profiti ekonomik dhe asgjë tjetër.
Në mungesë të librave kadastral të cilat ishin vjedhur nga sistemi i Millosheviqit deri sa po lëshonte Kosovën, keqpërdoruesëve të ndryshëm i u dha mundësia që nëpër sipërfaqe të shumta publike të ndërtonin ndërtesa shumëbanesore për shitje apo edhe ndërtesa afariste.
Një mënyrë tjetër e cila ndikoj dukshëm në shpërfytyrimin e qytetit është mënyra e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Në shumicën e rasteve prona të këtyre ndërmarrjeve privatizoheshin jo për të rigjallëruar karakterin indutrial apo biznesor të ndërmarrjeve, por duke u parë si parcela aktraktive për ndërtim. Rasti më flagrant është lagja “Fazita” në zemër të Prishtinës, e cila nga një zonë ekonomike me ndërtime dhe dendësi super të ulët u kthye brenda natës në zonë ndërtimi të lartë deri në 40 kate, pa menduar fare për kurfarr intervenimi shtesë në infrastrukturën rrugore dhe shërbime tjera publike!
Natyrisht, të tri këto skenare të shkatërrimi të qytetit, si sulmi mbi lagjet e banimit individual, si sulmi mbi pronat publike, si ai me abuzimin me procesin e privatizimit, nuk ndodhën aksidentalisht por me strategji të pastër për superpërfitime nga ana e ndërtuesëve të cilët jorrallëherë ishin të lidhur drejtpërsëdrejti me pushtetarët e të gjitha niveleve. Qytetet u trajtuan si parcela ndërtimi me qëllim pasurimi maksimal duke harruar krejtësisht kualitetin e jetës së qytetarit brenda tij.
Natyrisht, këtë periudhë njëzetvjeçare nuk do të mund ta kuptojmë pa bërë edhe një vështrim se si u trajtuan ato pak hapësira publike, si: sheshet qendërore, shetitoret, parqet, etj., të cilat nuk mundën ti privatizojnë apo uzorpojnë. Pavarësisht se ato nuk u privatizuan nuk do të thotë se nuk u keqpërdorën. Pushtetet e kësaj kohe e kishin fare të qartë rëndësinë e manifestimit të fuqisë së tyre përmes të qenurit të pranishëm në qendër të publikut. Kështu pavarësisht se nuk u lodhën për të krijuar asnjë hapësirë publike të re, ata u bënë të pakompromis për të qenë me çdo kusht të pranishëm në ato ekzistueset. Për pak vite pas luftës, e që vazhdon edhe ditën e sotme, hapësirat publike u mbushën me skulptura të protagonistëve të luftës së fundit. Dhe deri këtu është krejt e kuptueshme. Nuk bënë asgjë që nuk bënë gjithë pushtetet të paktën në 2500 vjetët e fundit të civilizim gjithandej nëpër botë. Ajo që bie në sy, është mënyra se SI E BËNË?!, e që në fakt na jep të kuptojmë edhe PSE E BËNË?! Të gjitha këto skulptura të vendosura në të gjitha sheshet e Kosovës lehtësisht mund të ndahen në dy kategori. Kategoria e parë, ato me me defekte të theksuara proporcionale të punuara nga autorë amator, dhe e dyta, ato të realizuara korrekt brenda principeve të realizmit socialist të pas Luftës së Dytë Botërore. Këto të dytat, përgjithësisht të realizuara nga skulptorë eminent nga Republika e Shqipërisë, ku kjo rrymë ishte shumë e zhvilluar, arrijnë shpesh edhe përkryeshmërinë brenda kësaj fryme por përsëri e pamjaftueshme për të gëzuar statusin e veprës artistike për shkak të shpërfilljes së komponentës së domosdoshme VEPËR – KOHË. Pra si nga rasti i parë, si nga i dyti, vërejmë lehtësisht se ardhja e këtyre protagonistëve nëpër hapësirat publike shumë më shumë se sa vullnet i çiltër për të nderuar sakrificën e tyre ishte vullnet politik për të imponuar dhe nënvizuar se KUSH E SOLLI LIRINË. Pra, në këto skulptura i gjithë fokusi artistik është i përqendëruar mbi detajizimin dhe theksimin e arsenalit ushtarak dhe fare pak në psikologjinë dhe intelektin e protagonistëve, ndërsa aspak në idealin e tyre sublim – LIRINË. Pra heroi i lirisë tonë mund të ketë edhe të kaluar intelektuale, si Hamëz Jashari – mësus, Agim Ramdani – poet e artist, Edmond Hoxha – student, por të derdhur në bronz asesi nuk guxojnë të jenë pa PUSHKË, sepse duhet këmbëngulur se liria erdhi vetëm si rezultat i PUSHKËS dhe në asnjë mënyrë i cilitdo aktivitet tjetër. E gjithë kjo, përfshi edhe gjuhën e domosdoshme estetike soc-realiste e cila vinte si kërkesë eksplicite e porositësve të tyre, fuqisë politike në ardhje e cila edhe ideologjikisht ngushtësisht ishte e lidhur me soc-relaizmin donin të tregonin fuqinë politike në hapësirë e cila domosdoshmërisht duhet të përputhej me ideologjinë politike që përfaqësonin. Në këtë mënyrë trasonin të ardhmen e tyre politike duke manifestuar fuqinë e tyre në hapësirë.
Elementi i fundit që ndoshta i përmbledh më së miri qëllimet e qytetndërtuesëve, nëse mund të quhen të tillë, të njëzet viteve të fundit, është fenomeni i lagjeve të mbyllura satelit rreth qyteteve të Kosovës. Këto lagje të rrethuara me mure si lagjet mesjetare, ku hyrja në to bëhet përmes levës me legjitimim paraprak i filmuar nga kamerat, sot janë strehët e shumicës së atyre që kanë qenë përgjegjës për bërjen e qyteteve tona. Pra, edhe planhartuesit, ndërtuesit, pushtetarët e deri tek “patriotët pronarë të lirisë tonë”, kan hequr dorë nga “kulaiteti” që kan krijuar në qytet tona dhe rehatinë e gjejnë në vilat luksoze me pishina breda lagjeve të rrethuara me mure. Kjo ngjanë shumë me përmbajtjen e filmit “Elysium” (2013) të Neill Blomkamp, ku përgjegjësit për kualitetin e jetës në planet pasi kishin katandisur atë si mosmëkeq dhe e kishin shëndërruar vetëm në burim të përfitimeve të tyre, për vete kishin ndërtuar satelitin luksoz në gjithësi ku ambientet e jetesës ishin përrallore. Sado që ata pretendonin se e kishin zgjidhur jo vetëm mënyrën e përherëshme të të jetuarit luks në kurrizë të shtypjes së tjetrit por edhe vet çelësin e pavdeksisë, fundi i filmit nuk tregon të njëjtën.
Për fund, nuk e di sa janë të mjaftueshme 20 vite që një periudhë të emërtohet me emrin e sajë, por nëse do të duhej të bëja një të tillë, duke u nisur nga funksioni bazik i arkitekturës që është ofrimi i ambientit sa më të mirë për jetesë, nga ajo çka ka ofruar ambienti i ndërtuar këto njëzet vitet e fundit, emërtimi që do i shkonte më së miri do të ishte ARKITORTURË.
Arbër Sadiki (1977) arkitekt, ligjërues, kritik. Mbanë gradën Doktor i Shkencave Teknike në Fushën e Arkitekturës dhe Urbanizmit nga Universiteti i Beogradit. Fusha e ngushtë hulumtative e tij lidhet me marrëdhënijet në mes rrethanave shoqërore dhe arkitekturës.
Asistent kurator i pavionit të Kosovës në Bienalen e 14-të të Venecias. Nominues në Aga Khan Award for Architecture, Gjenevë.
Fitues i “Çmimit Vjetor për Vepër Shkencore në fushën e Trashëgimisë Kulturore”, 2020, ndarë nga Ministria e Kulturës për botimin me titull: “Arkitektura e Ndërtesave Publike në Prishtinë: 1945-1990, Faktorët Shoqëror dhe Formsues”.