Jam e diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës dhe me Master Shkencor në Arkitekturë dhe Menaxhim të Projekteve nga UBT si dhe Master për Business Administration nga Universiteti i Sheffieldit. Aktualisht PhD Candidate në Universitetin Politektik të Madridit. Kam filluar punë si studente në një kompani projektimi në vitin 2005 dhe prej atëherë nuk e kam ndërprerë asnjëherë aktivitetin profesional. Aktualisht, jam e angazhuar si bashkë-menaxhuese në në kompaninë e projektimit Anarch Shpk , kurse në Universitet si Asistente Pedagoge. Punoj edhe si konsulente e insitucioneve vendore e ndërkombëtare në fushën e efiçiencës së energjisë dhe ndërtimeve të qëndrueshme.
AP Headquarters
Arkitektura është sfida që kam qenë në kërkim që në fëmijëri. Dizajni si i vetëm, nuk më përmbushte, sepse nuk kishte mister mjaftueshvm, as kombinime matematikore... Arkitektura ndërthur më së miri shpirtin artistik me lëvizjen e përhershme e të pandalshme në kërkim të gjërave të bukura.
Arkitektura është njëkohësisht, përgjegjësi dhe privilegj, që na mundësojne të jemi afër njerëzve e shoqërive, e të ndikojmë në mënyrën se si ata rriten, jetojnë e formohen. Do të përmend tre projekte që në mënyra të ndryshme kanë ndikuar në formimin tim (do t'i elaboroj më poshtë arsyet): Tirana Business Park, RESTORE, AP Headquarters/52555.
Tirana Business Park (menaxhim)- si investim ndërkombëtar në Shqipëri, me ka rritur e maturuar në aspektin e menaxhimit të projekteve, fushë kjo e pa prekur shumë në arkitekturë.
RESTORE (research)- ky projekt kërkimor, më ka dhënë mundësinë dhe hapësirën që të bashkëpunoj me shumë universitete Europiane dhe të zhvilloj më tutje aftësitë kërkimore në fushën e ndërtimeve të qëndrueshme.
AP Headquarters/52555 (projektim)- janë dy projekte që kemi punuar së fundmi. Njëra në qendër të Tiranës, kurse tjetra në jug të Shqipërisë. Ndërkohe që e para e portretizon bashkëjetesën e përditshme me median online dhe identifikimin e tyre si kazan (nga Kryeministri), projekti i dytë ndërthur arkitekturën tradicionale shqiptare me zgjidhjet e përparuara bashkëkohore të cilat reflektohen në ujërat e detit Jon.
Kurrë mos u ndal së kërkuari më të mirën nga vetja; Mos ki frikë nga paragjykimet dhe mos e kurse veten për të kontribuar në një profesion që ta mbush shpirtin në mënyrë krejt të re çdo ditë.
Më frymëzojnë të gjithë arkitektët të cilët nuk e sfidojnë natyrën në shkëmbim të arrogancës së tyre arkitektonike.