Të shprehësh bukurinë po bëhet gjithmonë e më e vështirë… steriliteti me të cilin bukuria perceptohet sot, në shoqërinë tonë, e bën të pamundur një mendim të thjeshtë dhe të sinqertë.
Katedrala Zonja Ndihmëtare – Prizren
Teologët Krishterë, mendojnë se objektet kishtare kanë fuqinë e përforcimit të besimit të drejtë tek Zoti.
Me këtë mendim, gjatë historisë, Kisha ka investuar në ndërtimin e objekteve, të cilat promovohet të kenë fuqinë e joshjes, me elegancën e bukurisë, të kenë fuqinë të na përmirësojnë si njerëz dhe të na japin forcën e mbajtjes së drejtimit të vërtetë te Zoti.
Pra, sipas filozofisë krishtere vendndodhja e personit, influencon ndjenjën e besimit te zoti dhe rrjedhimisht e bën të ndihet dhe të jetë një përson më i mirë.
Arkitektura Islame ka të njëjtën filozofi – thelbi i së cilës është mbledhja e masës në një objekt të bukur, të shenjtë dhe pranimi i manifestimit të Zotit përmes lutjeve. Sipas Islamit, ambienti i bukur na bën më të mirë. Ajo që e quajmë bukuri, është manifestim material i asaj që në nivelin moral dhe shpirtëror quhet mirësi.
Xhamia e Hadumit, Gjakovë
Duke vëzhguar forma gjeometrike brenda këtyre objekteve, ne nuk shohim vetëm bukuri të pastër, por marrim edhe një leksion estetik, ndjenjë e cila përkthehet përmes meditimit në sens etik- njeriu bëhet më i dlirë dhe afrohet me Zotin.
Xhamia e Hadumit- Gjakovë
Filozofi i Shekulli XI Ibn Sina deklaron se: “Perëndia është burimi i bukurisë”.
Pra, bukuria është ndjesi e mirësisë, qetësisë dhe e mirëqenies në harmoni me ambientin.
Nga ana tjetër, protestantët e të gjitha besimeve promovojnë se bukuria është gjendje e brendshme e përsonit dhe nuk ka të bëjë me rrethinën, thjeshtë “mbylli sytë dhe përqafo lutjen, përqafo Zotin”.
Kështu, besimtarët protestantë predikojnë se nuk ka nevojë të shpenzohet në dekorime të kota të kësaj bote – është me rëndësi të ndjeni besimin tuaj. Bukuria është ndjesi e mirësisë së brendshme përsonale, pa marrë parasysh rrethinën.
Xhamia e Improvizuar – Termokosi Prishtine
Shprehja e njohur “mos e vlerëso librin prej kopertinës së tij…”, në rrethinë dhe arkitekturë përkthehet në “mos e gjyko objektin nga forma apo fasada e tij…”.
Por, përse atëherë, disa njerëz, objekte apo rrethina të caktuara, na bëjnë të ndihemi të shqetësuar e disa të tjera na japin qetësi.
Me sa duket, ne nuk arrijmë të kemi një dakordim mbi shprehjet e bukurisë në përgjithësi.
Ka kohë që shoqëria nuk dakordohet mbi “shijen”, prandaj dhe nuk deklarohet fare. Ndërkohë, një përson gjykohet si është veshur, çfarë muzike dëgjon, çfarë automobili ka apo edhe çfarë paisje teknike të fundit përdor.
Si nuk e kuptojmë rëndësinë për të diskutuar dhe të pajtohemi për mos me u pajtu lidhur me kuptimin e bukurisë së rrethinës dhe mjedisit tonë.
Pse jemi më të hapur ndaj muzikës dhe shprehjeve muzikore, automobilave dhe teknologjisë dhe jo ndaj zhvillimeve arkitektonike që qojnë në një mirëqenie të plotë.
Në psikologji, këto janë pjesë e të njëjtit përsonalitet; a po e paraqesim veten tonë apo po tentojmë të paraqitemi si dikush tjetër?
A jemi shoqëri me përsonalitete të rrejshme? A e dimë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar? A e dallojmë bukurinë? A kemi nevojë për katrahurë vetëm që të mos kuptohet se jemi të dobët, të padijshëm dhe skemi përsonalitet?
A kemi shpresë se mund ta lexojmë e reprodukojmë mirëqenien tonë përmes arkitekturës?
…
Në nivelin e familjes, beteja zakonisht fitohet me argumente, kurse në nivelin shoqëror betejën po e fitojnë ata që janë më të zëshmit, ata që “bërtasin më shumë”.
Nëse nisemi prej proverbit kinez “lumi i thellë rrjedh qetë – njeriu i mençur flet me zë të ulët” – atëherë del se shoqeria jonë po noton në një lum të shpejtë e të vrullshëm, i cili mund të na përplasë në çdo kohë.
Në ekonomitë tona të varfra, bukuria e rrethinës nuk është në listë të prioriteteve. Mirëpo, a është joreale, e vështirë dhe e pakuptimtë, të kërkohen objekte me rrethinë te bukur urbane në Prishtinë, Kosovë apo në Shqipëri?!
A e vështirëson këtë përpjekje, mungesa e shërbimeve elementare infrastrukturore? Them se po. Por, nuk pajtohem kurrsesi se duhet humbur vullneti për të shprehur të bukurën në çfarëdo forme.
…
Pra, në rregullimin tonë shoqëror, më të zëshmit janë ata që përcaktojnë nivelin e bukurisë që ne meritojmë sipas shkallës së përfitimit të tyre personal.
Respektivisht, i gjithë kultivimi i bukurisë arkitektonike është uzurpuar prej njerëzve që na servirin bukurinë dhe artin e të jetuarit, në formën të cilën ata e shprehin pa keqardhje – “kjo po kërkohet” apo “kjo po shitet”. Njëra frazë paraqet nivelin e bukurisë, kurse fraza tjetër paraqet egoizmin dhe personalitetin e tyre.
Por, le të shqyrtojmë se si këta njerëz arritën të anashkalojnë të gjithë dhe të pozicionohen si ri-edukues, të na shesin botëkuptimin e tyre të bukurisë?
Përfitimet e industrisë së ndërtimit, bënë që zhvilluesit dhe ndërtuesit të përkrahur nga ndikimet politike, të shohin të njëjtat interesa dhe përfitime, prandaj krijuan një vorbull të legjislacionit përkatës për ta. Ky legjislacion ishte dhe është shumë i kobshëm për arkitekturën, zhvillimin urban, mirëqënien e njeriut dhe bukurinë e artit të jetesës urbane.
Pamja e qytetit te Prishtines 90’-99’
Nevoja e ndërtimeve për strehim, pas luftës së vitit ‘99, u keqpërdor; Administratori i UNMIK-ut për qytetin e Prishtinës Z.Siegfried Brenke, deklaronte se ndërtimet pa leje duhen vazhduar, sepse e njëjta ka ndodhur edhe në Gjermaninë e pasluftës.
U ndërtua pa leje për Qeverinë e cila nuk kishte hapësira të mjaftueshme; u ndërtua pa leje për zyrat ndërkombëtare; u ndërtua pa leje për bankat; u ndërtua pa leje për OJQ’të e shumta që vërshuan vendin; u ndërtua pa leje… E të gjitha këto objekte pa leje, jepeshin me qira marramendëse. Rrjedhimisht nuk kishte kohë për projektim, nuk kishte kohë për mendim rreth mirëqenies, asgjë nuk ishte me rëndësi përpos grabitjes së profitit monetar.
Filozofia protestante u përqafua dhe promovua prej këtyre ndërtuesve të rinj dhe udhëheqësve politikë – e bukura ishte mes nesh, nuk duhej ta shikonim librin/objektin prej kopertinës/fasadës; mjafton të mbyllësh sytë dhe ta dish se lufta mbaroi. Në këtë zhurmë të vrullit nuk kishte nevojë për arkitektë, nuk kishte kohë për studime të thella zhvillimore, të mirëqenies – bukuria anashkalohej. Tallavaja morri hov.
Legjislacioni iu akomodua kërkesave. Projektime arkitektonike kishte të drejtë të bënte çdo kompani, e cila si udhëheqës teknik kishte përsonin me një dokument diplome të fakultetit të ndërtimtarisë apo arkitekturës. Për më shumë, qëllimisht niveli bachelor nuk përfitonte certifikatë por diploma, duke iu mundësuar që me këtë nivel shkollimi të përcaktohen udhëheqësit teknik. Me këto ligje edhe doktorë, akademikë, tregtarë, farmacistë, juristë, avokatë, politikanë, morën të drejtën të na tregojnë se çka është arkitektura, si duhet projektuar dhe si duhet gjykuar të bukurën.
Në pamje të parë biznesi po lulëzonte. Shpejtësia me të cilin bëhej ndërtimi i ri, nën-ndërtimi apo mbi-ndërtimi, i befasonte të gjithë.
Planet rregulluese-urbane fillonin me projektim për lagje të caktuara dhe para se të dorëzoheshin projektet, duhej të adaptoheshin mbi gjendje faktike të re, sepse autoritet lokale insistonin që realiteti i objekteve të ndertuara pa leje të përfshihej.
Pamja e qytetit te Prishtines Gusht/2014
Thënia është ‘molla e kalbur i prish mollët e shëndosha’ e jo anasjelltas.
Përfitimet marramendëse mundësuan këtyre ‘quasi’ ndërtuesve të bëhen pjesë e një tregu i cili ishte dhe është i çrregulluar në atë masë sa pasqyra e tij po vazhdon të shihet dhe po jetohet nëpër qytetet tona.
Baza e krijuar ligjore, u dha të drejtën komunave të kontraktojnë kompani për projektim urban ku inxhinieret e të gjitha fushave ishin udhëheqës të projekteve urbane. Këto kompani jokompetente për këtë punë specifike, punësonin Bachelor të Arkitekturës, që të mbulonin kërkesat kontraktuale të cilët, jo vetëm se nuk kishin njohuri profesionale për punën që duhej bërë, por as që duhet të kishin të drejtë ligjore që të merreshin me këto punë, pasi kishin përfunduar vetëm fazën e parë të studimeve universitare.
Diskutimi mbi të ‘bukurën’ e rrethinës po humbte kuptimin.
….
Ndërtuesit e rinj, të të gjitha ngjyrave, duhej të krijonin një hutim që të mos dalin në pah përdhunimet e tyre me rrethinën. Ndërkohë që në politikë zgjodhën çështjen e pazgjidhur me Serbinë e premtuan rimëkëmbje të ekonomisë përmes shitjes së aseteve shoqërore, në fushën e artit, promovuan muzikën e vetme e cila ndëgjohej mbi këtë zhurmë të shkatërrimit të qyteteve – muzikën tallava.
Këngëtare e muzikës Tallava
Tallavaja është zhanër muzike shqiptare të cilës shpesh i referohen si popfolk, një përzierje e muzikës shqiptare me ndikim të jashtëm, edhe – por jo vetëm – nga Turbo Folku Serb. Turbo Folku Serb ishte krijuar në vitet ’90ta, si rrjedhojë e nevojës për zhurmë më të madhe; zhurmë e cila do të tejkalojë dhe mbulojë zhurmën e armëve në luftërat e atyre viteve. Tallavaja promovohej nën pretekstin e njëjtë – “kjo po kërkohet”, apo “kjo po shitet”. Muzika e zhurmshme e tallavasë, bashkë me zhurmat tjera krijuan gabimet e kobshme urbane dhe ballkonet e papërdorshëm me harqe.
Ballkonet me Harqe – Produk i Tallavase
Mbi realitetin e ri, si rrjedhojë, morri hov edhe një zhanër tjetër i muzikës, RAP-i, e emëruar prej ‘Rebellious African People’, si shprehje e revoltës së Afrikano-Amerikanëve nëpër gettot urbane.
RAP-i sipas stilit, zë një zonë gri në mes të fjalës, prozës, poezisë dhe të kënduarit, kurse i përcjellë me beatbox apo instrument hyn në hip-hop. Në këtë stil muzikor ne kemi traditën tonë të muzikës folklorike – loja me lahutë apo me çifteli.
Mirëpo, RAP’erat lokalë në vend se të merren me tema që e shqetësojnë shoqërinë, sikurse paraardhësit e tyre folklorikë, të paraqiten si avantgardë e shoqerisë, të promovonin shijen dhe bukurinë, zgjodhën të merren me egot e tyre personale.
Ata që në këtë varfëri shoqërore mundohen të identifikohen me pozitën e VIP-it, të cilit do profesion, trullosen nga konsumimet e ndryshme dhe harrojnë pozitën shoqërore dhe se duhet të paraqiten avangarde në muzikë, modë, promovim dhe kultivim të shijës dhe të bukurës. Në vend të kësaj, ata bien nën ndikimin e energjisë “kjo po kërkohet”, apo “kjo po shitet”.
Diversitetin urban që po e jetojmë çdo ditë, duhet t’ia atribuojmë tallavasë si kontribut (lagjia Dodona, lagjia Mati, etj), kurse vargjet e këngëve si: ‘…zogu ma i mirë prej krejtve…’, apo ‘…na jena ma’t mir’t n’qytet…’, që si tema kanë egot përsonale, duhet atribuar frymëzimet për arkitektët dhe investitorët e komplekseve ‘psikologjike’ të shprehura në rinovimin e Hotel Grand dhe atyre ‘seksuale’ të shprehura të objektin e Fakultetit të Historisë.
Hotel Grand – Rekonstruimi i Fasades
Është e pakuptimtë se si njerëzit nuk e kundërshtojnë “bukurinë” e zgjidhjeve funksionale arkitektonike apo cilësinë e diskutueshme të ndërtimit të objekteve. Por, edhe nëse ka kundërshtim – nuk ndëgjohet mbi zhurmën krijuar nga muzika tallava.
U bë çka ishte e nevojshme për të lejuar ndërtimet e egra, pa leje dhe shkeljet e lloj-llojshme me tokat bujqësore vetëm për përfitime përsonale. Tash kur vetëdija e blerësve po rritet dhe po vërehen refuzimet e tyre për blerje të njësive në objekte të ndertuara pa leje, përsëri po adaptohet legjislacioni për tu përshtatur përfituesve, duke bërë ‘legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje’.
Nga ana tjetër, pa kaluar në rregulloret e ndërtimit, cili ka të drejtë të thotë se këto janë ndërtesa të shëmtuara – kur vlerësimi mbi ‘bukurinë’ është shprehje e shijës personale dhe nuk është dukuri e kultivuar shoqërore?
….
Në udhëtimet me vajzën time, e luajmë një lojë, ku mundohemi të dallojmë në gjini dhe moshë automobilat në baze të dizajnit. I grupojmë automobilat në djem, vajza, plaka dhe pleq. Të njëjtën lojë e luajmë edhe me objekte arkitektonike. Stilet apo format e objekteve, na lejojnë të njëjtën mundësi të grupimit psh: klasikja në plak; gotikja në plakë; modernia në djalë; post-modernia në vajzë.
Mirëpo, me kohë, kemi zbuluar edhe dy grupime të reja të cilat nuk bien nën stilet e njohura të arkitekturës: objekte tallava dhe objekte RAP (narcisoide) …
Mos është përceptim i përgjithshëm se shija jonë e të bukurës dhe artit të jetesës është e barabartë me shijen e ndërtuesve, politikanëve, krijuar nën zhurmën e muzikës tallava me tekste narcisoide të RAP’erave lokalë?
Kur të vijë koha që muzika/arkitektura e zhurmës të mos paguhet nga konsumatorët, atëherë do të fillojnë të ndihen stilet tjera muzikore/arkitektonike, çka do të na mundësojë diskutimin e shijes për të ‘bukurën’ dhe mirëqenien.
Instituti i Historisë – Prishtinë