Sa dhe çfarë dini për Tiranēn? Si evoluoi përgjatë zhvillimeve të rëndësishme politiko-ekonomike të ekzistencës më shumë se 100-vjeçare? Si është ndikuar formësimi i saj nga këto zhvillime ?
Ju sugjerojmë sot një libër i cili flet për rrugëtimin e qytetit deri në ditët e sotme, i cili fokusohet në zhvillimin historik-urbanistik të Tiranës që nga gjeneza e saj. I konceptuar si një libër për të përjetuar qytetin nëpërmjet përshkrimeve të shëtitjeve urbane në epoka të ndryshme historike, ky libër vjen njëkohësisht si një guidë kulturore për të njohur më shumë kryeqytetin tonë.
Libri titullohet “Tirana 100 vite kryeqytet”, evoluimi historik-urbanistik i qytetit, shkruar nga Ana Shpuza, si finalizim i një pune kërkimore nisur gjatë periudhës universitare për tezën e saj.
Ana është arktitekte e diplomuar në Itali, në fakultetin e Arkitekturës pranë Universitetit Politeknik të Torinos.
Pikërisht kurioziteti për të njohur më shumë rrënjët e saj, duke qënë se edhe fëmijërinë e ka kaluar jashtë Shqipërisë, e përqëndroi tezën e saj pikërisht në Tiranë, për të hulumtuar dhe njohur më në thellësi qytetin e lindjes, si një mënyrë për tu afruar me vendin e saj. Kjo punë kërkimore u materializua në librin “Tirana 100 vite kryeqytet”, falë mbështetjes së drejtoreshës së Institutit Italian të Kulturës znj.Alessandra Bertini.
Shoqëruar me fotografi, skica dhe plane urbane, ju do të përjetoni Tiranën në secilën periudhë politke dhe historike, duke filluar që nga zanafilla e saj, e cila shfaqet në dokumentet e para të shek. XV në arkivat e administratës Turke, atëhere kur paraqitej si një grupim fshatrash me 4-5 shtëpi, deri në ditët e sotme, ku Tirana ka marrë pamjen e një kryeqytet policentrik, i cili strehon më shumë se 1/3 e popullisisë së Shqipërisë. Një zhvillim kompleks ku gjurmët e ndryshimeve historike-politike kanë shënuar teksturën urbane të kryeqytetit.
Tirana, në përshkrimet e para të dy udhëtarëve - austriakut J.G.von Han dhe francezit H.Hecquart - përcillet si një qytet piktoresk, e dashur për qytetarët, e karakterizuar nga xhami shumë të bukura dhe kopështe të harlisura, ndryshe nga Tirana e ditëve të sotme! Natyrisht duhen analizuar faktorët që na kanë sjellë sot këtu, per këtë arsye ky libër ju ndihmon të kuptoni gjithë ecurinë e këtij transformimi.
Zhvillimi i Tiranës në shek XVI, si një qendër me rendësi ekonomike solli dhe themelimin e saj si qytet nga Sulejman Pashë Bargjini, në vitin 1614, ku zhvillimi paraqitej me trajta urbane organike dhe shtëpi të sitlit otoman.
Ngjarjet të shënuara historike, shpallja e pavarësisë së Shqiperisë, zgjedhja e Tiranës si kryeqytet dhe ndryshimet politike sollën transformime rrënjësore për qytetin.
Me ardhjen në pushtet, Ahmet Zogu kërkoi të krijonte imazhin e një kryeqyeti perëndimor duke u mbështetur në eksperiencën e arkitektëve dhe inxhiniereve italianë, të cilët sollën traditën e tyre arkitekturore dhe urbane, e huaj nga ajo çfarë qyteti ofronte deri ne atë kohë, qartazi e perceptueshme si në planet urbanistike ashtu dhe në arkitekturën e objekteve të ndërtuara në atë periudhë .
Ndryshimi i regjimit dhe instalimi i sistemit socialist, imponoi zgjedhje të reja urbanistike dhe arkitektonike bazuar në ideologjinë e re, të cilat shpesh u zhvilluan duke eleminuar një pjesë të rëndësishme të historisë së qytetit, sidomos shenjat e influencës të viteve të sundimit Osman dhe të monarkisë.
Shpërthimi, i cili ndodhi mbas viteve ’90, i nxitur nga anarkia gjeneroi një arkitekturë kaotike e ushqyer nga një kontekst ku mungonin rregulla dhe planet urbanistike. Pasojat e kësaj periudhe vijojnë dhe sot.
Zhvillimi i mëtejshëm me planet të dekadave të fundit si për qendrën e Tiranës, Bulevardin e Ri apo dhe Planin e Zhvillmit te Tiranës 2030, kanë kontribuar në krijimin e një qyteti modern dhe policentrik.
Në fakt në libër, një thirrje me rëndësi është dhe në parathënien e librit, shkruar nga profesor Riccardo Bedrone, ku “ruajta e memories së qytetit është një domosdoshmëri, sepse në historinë mijëra vjeçare të vetë popujve,mbi të gjitha atyre mesdhetare, gjendet dhe e ardhmja!”
Pra e ardhmja qendron pikërisht te historia jonë dhe për të mos gabuar duhet të mbështetemi në të duke e ruajtur, sepse rrezikojmë krijimin e një qyteti te huaj, i cili nuk ka përket!
Të gjitha këto informacione i gjeni të zgjeruara në këtë libër i cili nuk trajton një periudhë të caktuar por është gjithëpërfshirës.
Një nga pjesëzat më interesante të librit janë pikërisht shëtitjet urbane, të cilat nuk vijnë thjesht si zhvillime urbanistike apo si arkitekturë, por mundohen të vizualizojnë stilet dhe historinë e objekteve më me interes për qytetin.
Nëse do të mësosh pak më shumë rreth Tiranës dhe të kuptosh përse është ky mozaik urbanistik dhe të udhëtosh në kohë duke ndjekur stilet arkitektonike, ateherë ky është një libër që ja vlen ta lexosh për të kuptuar shumë rreth këtij imazhi që ju serviret sot.
Një libër i përshtatshëm jo vetëm për arkitektë por edhe për këdo që kërkon të njihet më shumë me qytetin pasi qasja dhe shkrimet janë lehtësisht të përvetësueshme përtej profesionit të arkitektit ose urbanistit.
Jua rekomandojmë, që kur t’ju pyesin rreth vendlindjes tuaj të keni një seri informacionesh me vlerë për ti përcjellë!
“Tirana 100 anni Capitale” nga Ana Shpuza, mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës, Botimet Toena e gjeni pranë librarisë Adrion dhe nëse dëshironi kaloni në Pik Ark për ta shleftuar/lexuar! ( e vetmja gjë, do duhet të dini Italisht )