Të dhëna mbi projektin
-
Studio
Ester Nuriu
-
Arkitekti
Ester Nuriu
-
Tipologjia
Commercial
-
Statusi
Completed
-
Viti i ndërtimit
2019
-
Sipërfaqja
70 m2
-
Kate
1
-
Photography
Andis Rado
Përshkrimi
Something - Dyqani i bizhuterive që zbukuron pamjen dhe zbulon shpirtin
Në rrugicat e ish-Bllokut, mes dyqaneve të luksit, vezullon një vitrinë e cila dallohet nga të tjerat: diçka ndryshe; e ftohtë por njëkohësisht tërheqëse. Në fasadën pasqyrë, krijuar me një vizion arkitekturor minimalist, shkruhet ‘Something.’. Si vetë marka, ka diçka që të shtyn të zbulosh se çfarë fshihet pas fasadës holografike. ‘Something.’ është konceptuar si një dyqan bizhuterish, të dizenjuara për të rezistuar në kohë.
Në pamje të parë kur hyn brenda tij, perceptohet një hapësirë e ftohtë dhe e zhveshur, e ngjashme në koncept me atë të bunkerëve, ku në zemër të tij shtrihet banaku prej betoni, i cili ekspozon bizhuteritë ‘Something.’, një markë e krijuar nga Ester Nuriu, dizajnere e ambjentit të brendshëm, konceptit dhe brand-it. ‘Ambienti këtu duket si një bunker i madh, ku në pamje të parë bie në sy një element kryesor i kësaj hapësire - ‘ishulli’, brenda të cilit ekspozohet çdo produkt, për të cilët është punuar për rreth 2 vite. Dyshemeja dhe muret e ashpra prej çimentoje qëndrojnë në plan të dytë, për të theksuar konceptin e thjeshtësisë së një ambienti të braktisur, të cilit i janë vendosur bizhuteritë dhe e gjithë vëmendja shkon tek to.’
Faqja e murit në hyrje të ambientit është e veshur me kuti kasaforte si për të treguar që gjërat e botës materiale nuk kanë aq vlerë sa e brendshmja jonë. Secili mund të niset nga kurioziteti për të parë nëse ka diçka brenda tyre, por sirtartët e koduar janë të gjithë bosh! Konceptualisht, nëpërmjet instalacionit me kutitë e kasafortës, i jepet peshë botës shpirtërore dhe jo asaj materiale.
‘Me kasafortën si objekt, kam dashur të përcjell idenë e zhvlerësimit të gjërave materiale sepse në fakt, sapo sheh një kasafortë, mendon se do të gjesh diçka të çmuar brenda. E gjitha, në koncept, është krijuar për t’i dhënë vlerë ndërveprimeve njerëzore dhe emocioneve që përjetojmë. Kasaforta është një instalacion që duhet të na bëjë të reflektojmë mbi të gjithë shoqërinë dhe materializmin.’
Kur e pyet Esterin se pse zgjodhi emrin ‘Something.’ (diçka), ajo përgjigjet duke shpjeguar se aty brenda mund të gjesh diçka ose shumëçka. ‘Something.’ ështe një produkt personal, që vendoset për t’u ndjerë mirë dhe mbi të gjitha, kur këtë ndjesi ia dhurojmë dikujt, pra diçka për dikë. Vlerat e vërtetë jantë mendimi dhe dëshira.
Dizajni synon të përfaqësojë identitetin e brand-it, duke e vizualizuar konceptin e dyqanit si një sinonim të jetës së përditshme. ‘Realitetin e botës jashtë kam dashur ta përkthej në një hapësirë interieri jo perfekte, ku betoni, xhamat dhe gjërat e thyera të përkojnë me jetën që jetojmë, ashtu si edhe brenda vetes nuk jemi perfektë.’ Ishulli, bërthama e ambientit ka një krisje, e cila tregon që të gjithë kemi të paktën një krisje në jetën tonë. Kjo gjithashtu, për të përcjellë një mesazh se jeta vazhdon edhe duke pasur këto problematika. Për të treguar se ambienti ka qëndruar një kohë të gjatë mbyllur, i përfunduar, erdhi si rrjedhojë ideja e myshkut. Cepat e dyqanit janë dekoruar me gurë të stërmëdhenj në gjendje të papërpunuar siç janë marrë nga natyra, ku në disa vende është integruar myshku si element i cili shfaqet natyrshëm aty ku ka jetë, i vetmi detaj me ngjyrë brenda kësaj hapësire. Nuk mungojnë elementët artistikë si skuplturat ‘pa identitet’, të cilat ekspozojnë bizhuteritë, e gjithashtu pozicionimi i pasqyrave, të cilat me anë të reflektimeve nxjerrin në pah dhe njëkohësisht fshehin, duke përshtatur çdo detaj në sinkron me konceptimin e brand-it në vetvete. Me një vizion të qartë, duke ndërthurur artistikisht dhe konceptualisht produktin me hapësirën, përftohet një lojë dritash dhe reflektimesh për të eksploruar më gjatë emocionin që kjo hapësirë përcjell.
Në fund të interierit gjendet një ndarje e vogël, e mbështjellë me llamarinë të valëzuar, siç zakonisht rrethohen kantieret e ndërtimit. Hapësira i dedikohet si magazinës, ashtu edhe zyrës, aty ku gjithmonë punohet dhe krijohet diçka.
Një interier atipik i dyqaneve të bizhuterive, ku në mënyrë rastësore dhe të papritur përshfaqet luksi, ‘Something.’ vjen në trajta minimalisite dhe brutaliste njëkohësisht, që në zgjedhjen e përdorimit të materialeve bashkëkohore dhe plot jetë. Projekti u realizua në formën e dyqanit konceptual ku produkti, interieri dhe vizualizimi qëndrojnë në koherence me identitetin e këtij brand-i.
Vendndodhja
Tirana, Tirana, Albania