Të dhëna mbi projektin
-
Studio
Maden Group
-
Faqja e Studio
-
Tipologjia
Hospitality Architecture, Interior Design
-
Statusi
Completed
-
Viti i ndërtimit
2020
-
Sipërfaqja
524.5 m²
-
Photography
Atdhe Mulla
Përshkrimi
Një nga karakteristikat tona si shoqëri është dashuria që kemi për të kaluar kohën e lirë në vendin tonë të preferuar i cili, ndër të tjerash, mund të jetë një kafene, bar apo restorant. Kultura jonë shijon ushqimin dhe kafenë e mirë sidomos në një shoqëri të mirë, pa harruar të përmendim që ne gjithashtu hamë fast food ngadalë. Tiparet kryesore që Maden Group i ka kushtuar vëmendje në projektin Heb’s ishte komoditeti, pamja e veçantë dhe ndjenja “si në shtëpi”.
Tullat e xhamit janë përdorur në të kaluarën në rastet kur ambientet kishin nevojë për dritë dhe jo pamje … kryesisht në vendet sekondare si tualet, shkallët, etj, ndërsa ne u kemi dhënë atyre vlerë shtesë duke treguar se tullat e xhamit mund të bëjnë mrekulli. Një nga arsyet që kemi përdorur tulla xhami është për shkak të thellësisë së konturit të ambientit, për të krijuar të njëjtën ndjesi në të gjithë konturin duke lyer murin që fshihet pas tullave të verdha të xhamit. Një mjedis me mur xhami ofron lumturi dhe pozitivitet, mjedis i cili do të duket gjithmonë si pranverë.
Ndër cilësitë e tjera të projektit është gjelbërimi, i cili në vetvete krijon një lidhje midis hapësirës së brendshme dhe të jashtme, si dhe ndriçon dizajnin në tërësi duke e bërë atë të rehatshëm dhe natyral. Gjelbërimi, përveç se krijon një lidhje me natyrën, i jep ambientit një ndjenjë të ngjashme me shtëpinë pasi interierët e shumë shtëpive kanë bimë të shpërndara nëpër dhoma. Për më tepër, “yjet e gjelbër” janë dy ullinj të cilët janë vendosur në fokus dhe mobiljet përreth tyre.
Fletët e lehta metalike të perforuara në tavan krijojnë një lojë dinamike të dritës dhe hijes dhe i shtojnë hijeshi hapësirës gjatë orëve të ditës, si dhe mbrëmjeve të vona. Dizajni i Heb’s është përforcuar edhe më shumë nga veprat artistike të shpërndara në hapësirë nga artiste Fitore Berisha.
Ishte e rëndësishme për ne që t’i jepnim një marke të re gastronomike një identitet unik, i cili automatikisht do ta veçonte atë nga pjesa tjetër. Sot, restorantet dhe baret janë transformuar nga hapësira ku njeriu thjesht shkon për të ngrënë, në hapësira krijuese dhe të bukura, ku dizajni i zonave të tilla tërheq vizitorë që përveç se hanë ushqim të shijshëm, bëjnë edhe një foto ose dy!
Vendndodhja
Prishtina, Prishtina, Kosovo