Të dhëna mbi projektin
-
Studio
DARA Architecture
-
Arkitekti
Junilda Karanxha
-
Tipologjia
Interior Design
-
Statusi
Completed
-
Viti i ndërtimit
2022
-
Photography
Genta Karanxha
-
Ekipi
Genta Karanxha, Bledi Buci, Marsel Zhamo, Lorena Todhri
Përshkrimi
Durrësi është qyteti me historinë më elegante, komplekse dhe magjepsëse në Shqipëri, mjafton të përmendim “Bukuroshen e fjetur”.
Këtë bërthamë, këtë lloj elegance donim ta përcillnim, ta preknim e ta sillnim në ditët tona.
Me një insistim të jashtëzakonshëm të klientit për një dizajn unik, ndryshe, jokonvencional u përcoll doza e duhur e adrenalinës.
Nuk kemi të bëjmë me një ambjent të zakonshëm, është një godinë e tëre në trajtën e një koncept-atelier dedikuar modës dhe kryesisht modës italiane.
Një copëz Milano në bulevardin Epidam, Durrës!
Pozicionuar si aktivitet në një nga godinat e këtij bulevardi, e sapo rikonstruktuar, me një arkitekturë neoklasike elegante, kontrasti që u kërkua për dizajnin e interiorit ishte një “merge”, një shkrirje e klasikes të pakontestueshme me të renë vibrante.
Ky koncept-atelier zhvillohet në disa kate dhe dizajnin e krijuar është i lehtë, përfshirës, komplementar, sa i ekuilibruar aq edhe i mbushur me art e instalacione moderne.
Por asnjë nga elementet e dizajnit nuk del mbi aktorët e vërtetë që janë elementët FASHION, përkundrazi, shërbejnë si një sfond i denjë për ta.
Kemi një miksazh të përzgjedhur të teknologjisë me artin e artizanalen. Nuk mungon guri natyral travertinë, lyerja me mikroçement, metali ngjyrë bronxi e nuancë të jeshiles në blu, ndriçimi i dedikuar teknik e ai dekorativ, ekspozitorët e dizenjuar enkas, elementet e xhamit etj.
Hyrja është e konceptuar në trajtën e një holli me lartësi 5 metra, gjë që ka bërë të mundur të shfrytëzohet altimetria në favor dhe të konceptohen mjaft elemente unik si derivate të kësaj lartësie.
Në të dy anët e hyrjes punohet me elemente vertikale metalike të cilët nuk shërbejnë thjesht për varje por janë pjesë e ansamblit të dizajnit. Një monitor i madh i vendosur pranë një instalacioni të realizuar me allçi dhe me motive floreale përcjell frymën e teknologjiseë dhe shton dinamiken vizuale duke qenë se në të shfaqen sfilata nga pasarela të dizajnerave të famshëm vazhdimisht. Një instalacion tavanor i realizuar me rrjetë metalike të bardhë i cili rrethon dhe një mori ndriçuesish të varur qelqi i jep tjetër dimension dhe përcjell shumë impakt visual në momentin e hyrjes në koncept store.
Linjat e kurbëta dhe linjat e drejta elegante gërshetohen harmonishëm me njëra-tjetrën pa krijuar dominancë të panevojshme. Siç e përmenda dhe më parë ELEMENTI FASHION është më i rëndësishmi, por ai merr vlera të pashoqe pranë elementëve të designit të realizuar!
Vendndodhja
Durrës, Albania