Karriera ime profesionale në fushën e arkitekturës filloi në vitin 1999 pasi u diplomova në Universitetin e Prishtinës si Arkitekte, në këtë kohë punova për disa organizata humanitare në rindërtimin e shtëpive dhe objekteve të kategorive të ndryshme të shkatërruara gjatë luftës në Kosovë -1999. Gjatë kësaj periudhe kam qenë e përfshirë në shumë fusha të praktikës, duke punuar ngushtë me klientët për të fituar dhe kuptuar qëllimet e tyre dhe për të fokusuar planet në drejtimin e duhur. Në vitin 2000 me bashkëshortin tim arkitektin Gzim Baholli themeluam studion tonë Archides me një qëllim-vizion për të krijuar arkitekturë të mirëfilltë dhe të qëndrueshme.
Shkëndija që më drejtoi në këtë profesion vjen nga dashuria për dizajnin dhe interesi për të krijuar hapësira që mund të frymëzojnë, sfidojnë dhe mbështesin njerëzit në jetën e tyre të përditshme. Gjithashtu sfida për të marrë një ide dhe për ta kthyer atë në një realitet fizik.
Projekti më sfidues ndër projektet e shumta ka qenë lagjja Marigona Hill me sipërfaqe prej 17.2 hektarë me shumëllojshmërinë e shtëpive si dhe objekteve të tjera përreth. Një lagje me arkitekturë moderne ku qëllimi i këtij projekti ka qenë të jetë sa më komod dhe funksional duke krijuar një standard të ri të jetesës. Gërshetimi i funksioneve të ndryshme dhe shpërndarja e tyre në hapesirë në vendin e duhur ishte qellimi kryesor i ketij projekti. Marigona Hill përpiqet të jetë një komunitet gjithëpërfshirës, duke përfshirë shtëpitë, apartamentet hapësirat rekreative dhe ato të biznesit, të gjitha të projektuara në një stil modern me një gërshetim të materialeve të cilat e bëjnë lagjen unike. Projekti Marigona Hill, prezanton në mënyrë dinjitoze kategorinë e ndërtesave të banimit.
Arkitektura është një profesion kompleks dhe sfidues që kërkon shumë aftësi, kreativitet dhe vëmendje ndaj detajeve. Çdo projekt mund të vijë me grupin e tij unik të sfidave, në varësi të faktorëve të tillë si shkalla e projektit, buxheti, vendndodhja dhe kërkesat specifike. Projekti më sfidues ndër projektet e shumta dhe që na përfaqëson më së miri është projekti i ''Courtyard by Marriot'' në qendër të Prishtinës.
Arkitektura moderne, volumet e pastra gjeometrike, materializimi me tekstura minimaliste, tipare këto që përmban kjo ndërtesë, përfaqesojnë në menyrë të denjë studion tonë projektuese.
Besimi, këmbëngulja dhe puna janë tre këshilla kryesore.
Është e rëndësishme të keni besim në aftësitë tuaja dhe të besoni se mund të keni sukses në këtë fushë. Jini këmbëngulës: Rruga drejt suksesit në arkitekturë mund të jetë e gjatë dhe sfiduese, por këmbëngulja dhe vetëm këmbëngulja mund të shpërblehen. Qëndroni të fokusuar në qëllimet tuaja dhe vazhdoni të punoni drejt tyre. Nxitni një etikë të fortë pune: Arkitektura është një profesion kërkues që kërkon shumë punë dhe përkushtim. Kultivoni një etikë të fortë pune dhe jini të gatshëm të bëni përpjekjet e nevojshme për të pasur sukses.
Që nga fillimi i punës time si arkitekte frymëzim të vazhdueshëm kam pasur nga: natyra, historia, kultura, materialet dhe teknologjia.
Bukuria dhe kompleksiteti i botës natyrore ka qenë gjithmonë një frymëzim i madh për mua si arkitekte, po ashtu një frymëzim nga tradita dhe kultura jonë shqiptare.
Në fund të fundit, një vizion personal ose një dëshirë për të shprehur veten në mënyrë krijuese dhe për të sjellë në jetë idetë e mia unike.
Lagje banimi
Shtëpi banimi