Njeriu, aspekti social dhe detajet janë qendra e vëmendjes tonë si studio.
E bëj punën time me shumë pasion dhe dashuri. Njerëzit më frymëzojnë dhe ndihem e privilegjuar që kam mundësi të shprehem dhe kontribuoj në këtë formë për komunitetin.
Punoj në këtë profesion prej 14 vjetësh. Fillimet e mia kanë qenë në studio të tjera brenda dhe jashtë vendit ku kam marrë eksperiencë në gamën e gjerë që përfshin arkitektura.
Prej 9 vjetësh drejtoj studion time Med Studio.
Në Shqipëri kemi mundësinë e mirë për të punuar në fusha të ndryshme dhe kjo e bën shumë më të larmishëm dhe të bukur punën çdo ditë.
Drejt arkitekturës ka qenë "rastësi". Unë thjesht ndoqa shenjat dhe me sa duket kjo ka qenë ajo që duhet të bëja. Nuk jam pikasur që fëmijë për ndonjë talent të hershëm apo diçka tjetër, të gjitha i kam zbuluar rrugës çka e ka bërë edhe më përmbushëse e të bukur gjithë eksperiencën time profesionale.
Mund të thoja që është shumë sfiduese nëse punon në interior dhe ke një tipologji siç mund të jetë apartamenti dhe vilat që përsëriten disa herë por për njerëz të ndryshëm. Kur dy projekte janë kërkuar me të njëjtin stil apo qëndrim në projektim dhe duhet ruajtur veçantia e banorëve që jetojnë aty.
Arkitekti ka për mision të kuptojë klientin si individ dhe qenie sociale në dimensione të tilla që të arrijë të nxjerrë një produkt unik për ta, duke përmbushur edhe kërkesat e tij njëkohësisht.
Arkitekturën e mendoj si mundësi shumë të mirë për tu shprehur si individ apo grup në këtë rast si Med Studio dhe për të kontribuar njëkohësisht në një shoqëri më të mirë. Është e domosdoshme të jesh në harmoni me kushtet klimatike njëkohësisht dhe me kërkesat e projektimit duke pasur gjithmonë në vëmendje që puna jote ndikon në mënyrën e jetesës së përdoruesit.
Gjithashtu ndikon dhe në ecurinë e biznesit të një sipërmarrësi në rastet kur klienti është në këtë fushë.
Profesioni që kam zgjedhur më jep shumë mundësi që të kërkoj dhe të gjej dimensione të reja dhe për jetesën time si arkitekte, grua, nënë e qytetare e ndërgjegjshme për çfarë ndodh çdo ditë rreth nesh.
Projekti më përfaqësues është adaptimi i "Ish kinemasë Përmet" në një godinë shërbimi, hotel. Është një objekt në proces të fillimit të ndërtimit.
Sfida ka qenë ruajtja e godinës ekzistuese me të gjitha elementët e saj identifikues që tregojnë kohën kur ky objekt ka pasur ndërhyrje dhe shtesa e katit të ishte në harmoni me të duke përfaqësuar këtë moment të arkitekturës në botë. Një qëndrim minimalist, me volume të pastra dhe materiale bashkëkohore.
Do them dicka që e kam aplikuar në fakt:
"Ji i/e hapur dhe mos ki ndrojtje për tu shprehur dhe për të pranuar që je në proces mësimi gjithë kohës"
Kjo vlen për të dyja gjinitë.
Mendoj se në momentin që ke pranuar dhe dëshiron të bësh këtë punë, është edhe një marrëveshje që ke pranuar të bësh punën pavarësisht gjinisë. Duke ditur që arkitektura dominon nga gjinia mashkullore në të gjithë botën, por në një vend të vogël si ne është akoma më e theksuar kjo ndasi. Duhet të marrësh përsipër punën në zyrë, në kantier, në komunitet duke reflektuar vetëbesim dhe duke qenë shumë bashkëpunues me të gjitha grupet e punës.
Si rrjedhojë pavarësisht sfidave apo momenteve të vështira si punë apo mënyrë jetese, mund të mbash gjallë vetëm dëshirën për të ecur përpara.
Në punën time fillmisht me frymëzon lloji i projektit që marr përsipër, tipologjia e tij, njerëzit që do e përdorin këtë objekt dhe puna në grup. Më frymëzojnë profesionistët dhe artistët që janë shumë afër natyrës, që marin në konsideratë njeriun dhe sjelljen e tij në ambjentin që e rrethon.
Frymëzimi më i madh është dashuria për njeriun, natyrën dhe jetën. Këtë emër "mymuseislove" kanë marrë edhe projektet e mia artistike nën emrin e artit daKuna.
Hotel
Objekt banimi
Pastiçeri