Ariela ka një eksperiencë profesionale 20 vjeçare gjithëpërfshirëse, në planifikimin urban dhe projektimin arkitektonik. Puna në administratën publike krahas një njohjeje shumë të mirë të aspekteve administrative dhe ligjore ka mundësuar marrjen pjesë në proceset kryesore të zhvillimit të kryeqytetit shqiptar, ndër të tjera në hartimin e Planit të Rregullues të Tiranës në periudhën e ekonomisë së tregut. Që nga viti 2012, ka punuar si arkitekte e pavarur dhe urbaniste. Ajo ka marrë pjesë në disa procese planifikimi në mbarë Shqipërinë, si dhe në projekte arkitekturore. Në tetor 2015, themeloi studion AK-UA të fokusuar në planifikimin urban, projektimin urban dhe arkitektonik. Znj. Kushi ka udhëhequr hartimin e më shumë se 20 Planeve të Përgjithshme Vendore, Politikave Bashkiake dhe Planeve Kombëtare Sektoriale të vendosura në të gjithë Shqipërinë që mbulojnë bashkitë që po zgjerohen si dhe territoret me popullsi në tkurrje. Znj. Kushi ka ofruar përvojën e saj në disa auditore ndërkombëtare arkitekturore si pedagoge e ftuar dhe në botime në revista profesionale ndërkombëtare. Përvoja e saj përfshin bashkëpunimin me kompani ndërkombëtare në projekte të financuara nga Banka Botërore, USAID, JICA, BERZH, GIZ, etj.
Jam rritur me arkitekturën, në kujtimet e fēmijërisë rendis vizitat në kantiere, letrat kalk e kopjativ dhe shumë, shumë lapsa. Vitet e adoleshencës që përkuan me fillimin e demokracisë më nxitën akoma më shumë për të zgjedhur arkitekturën për të bërë diçka ndryshe. Orientimi im drejt urbanistikës, më çoi më afër shtysës kryesore për të sjellë një ndryshim ndonëse modest në kaosin urban të realitetit tonë.
Plani Rregullues i Tiranës -2008
Ka qënë projekti më i madh ku jam përfshirë në një rol koordinues dhe planifikues. Ka qënë sfidë kryesore pasi për herë të parë po hartohej një plan në periudhën e ekonomisë së tregut, plani i mëparshëm i përkiste 1989. Ishte një plan i hartuar me takime me grupet e interesit, me qytetarë dhe njëkohësisht me planin po identifikohej dhe baza ligjore që përcaktonte instrumente të reja planifikimi në Shqipëri. Ndonëse plani mbeti në nivelin e draftit shumë nga elementët e tij janë ripërdorur në plane të mëvonshme dhe aktuale.
Arkitektura për mua nuk është profesion por pasion. Jetoj me të 24 orë, endem nëpër qytet e shoh fragmente frymëzuese apo dhe momente "sikur të ishte bërë kështu do ishte më mirë".
Projekti që më përfaqëson më mirë - projekti që kam në proces dhe projekti i rradhës për të cilin ëndërroj.
Për çdokënd që dëshiron të zgjedhë arkitekturën kam 2 këshilla:
Arkitektura dhe urbanistika, janë të lidhura me njerëzit dhe për njerëzit, ndaj duhet pasion e dashuri për punën dhe durim e qetësi.
Arkitektura dhe urbanistika janë pjesë e jetës dhe çdo projekt ka hapësirë për t'u përmirësuar për t'u bërë më mirë, por duhet ditur të vendoset një kufi. Një punë e mirë në kohë është më mirë se një punë perfekte e padorëzuar.
Çdo punë diktohet nga vendndodhja. GENIUS LOCI - shpirti mbrojtës i një vendi - është frymëzuesi i parë: historia, natyra, njerëzit, rrethinat, dinamikat e flukset diktojnë dhe formën e re që do brumoset nga projekti.
Në punën time tentoj të frymëzohem nga arkitektura bashkëkohore nga zhvillimet urbane ndërkombëtare. Shpeshherë rikthehen te mjeshtrat e mëdhenj: Kahn, Scarpa, Wright, Mies van der Rohe, Le Corbusier etj. Frymëzim për mua janë dhe udhëtimi i rradhës, qoftë ky në natyrë apo në zona urbane; libri e filmi i fundit lexuar e parë.
Studimet urbane janë ëndrra e vizione të hedhura në letër. Urbanisti strukturon dinamikat dhe dëshirat e një territori e një popullate në një moment të caktuar, duke lënë në dorë të bashkësisë realizimin e tyre. Qëllimi im në punët që drejtoj nuk është thjesht përcaktimi i disa rregullave për të "mundur" kaosin por krijimi i disa instrumentave për të nxitur rritje ekonomike dhe krijuar komunitete me jetë sociale të larmishme. Në shembuj në vijim janë të pasqyruara:
Mundësia e krijimit të një itinerari turistik në zonën e Mallakstrës si një mundësi për të aksesuar dhe zonat më të largëta. Ky itinerar është bazuar në histori dhe vlera territoriale të një territori të pasur në histori e tradita.
Krijimi i një potenciali turistik në bregdetin e Adriatikut ku gërshetohet natyra me strukturat e reja akomoduese dhe hapësirat publike duke synuar gjithëpërfshirje.
Rikualifikimi urban në qendrat historike, ruajtja e traditës dhe elementëve të arkitekturës tradicionale duke sjellë nje frymë bashkëkohore dhe ftuese për vizitorë e turistë.
Planifikim Urban
Rikualifikim Urban
Planifikim Urban