Jam diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës pranë Universitetit të Prishtinës (2003) ku dhe fillova punën time si mësimdhënëse. Studimet e doktoratës i kam përfunduar në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Sarajevës (2021).
Në vitin 2001 u angazhova në studion e arkitekturës dhe dizjanit urban URBAN PLUS ku pas 4 viteve u bëra partnere. Përvoja imë përfshin një mori projektesh në lëmin e arkitekturës, peizazhit, dizajnit urban dhe planifikimit hapësinor duke filluar nga hulumtimi, dizajnimi e deri tek udhëheqja dhe menaxhimi i projekteve.
Kombinimi i punës profesionale me punën shkencore ka bërë që shumë prej tyre të prezantohen si modele të mira nëpër konferenca të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore.
Fokusi im kryesor është dimensioni i padukshëm i vendit, respektivisht trajtimi i mjedisit në kontekst ndijor dhe psikologjik për të cilin kam publikuar disa hulumtime shkencore.
"Çdo gjë që shihje dhe mrekulloheshe dhe tentoje t'a interpretoje qoftë përmes vizatimeve, simboleve apo kodeve, aty dhe kudo që kishe mundësi: në mure, cepa tavolinash, rroba, nëpër gjymtyrë trupi ", kështu më përshkruajnë prindërit si të vogël.
Talenti për të interpretuar grafikisht dhe mahnitja pas gjuhës universale - matematikës, ishte një kombinim që dhanë një mesazh se do të drejtohesha nga arkitektura. Kjo më vonë, në moshën e adoleshencës, u bë edhe më fuqishme, kur fillova të vë në pikëpyetje standarde arkitektonike të cilat ishin të projektuara për një mjedis me njerëz që përdorin të djathtën. Unë jam mëngjerashe. Imagjinoni një ditë kur zgjoheni në mëngjes dhe çdo gjë ju duket mbrapsht. Ndoshta kështu do t'a kuptonit.
Ky lloj "rebelimi" ende i paformuar në adoleshencë më vonë vë në pikëpyetje dhe norma shoqërore për të cilat kisha qasje dhe këndvështrime ndryshe. Është pikërisht ky dyshim që do të shndërrohet në një burim inspirimi prej nga edhe rrjedh qasja ime metafizike për arkitekturën. Qasje të cilën më vonë përmes hulumtimeve shkencore e prezantoj përmes motiveve psikozmogjenike- motive këto që lidhen me dimensionin mendor dhe shpirtëror të vendit.
Sfida më e madhë për mua ka qenë kur kam projektuar shtëpinë e parë.
Shpesh herë arkitektët harrojnë se ne me idenë tonë, këndvështrimin dhe filozofinë tonë jemi duke vendosur për një jetë të një personi, çifti apo familjeje. Ne mund të imponojmë në mënyrë të pavetdijshme konceptin tonë të të jetuarit dikujt që ka mënyre dhe filozofi krejtsisht tjetër nga e jona. Kjo reflektohet në dizajn, në funsionin dhe përmbajtet e shtëpise e deri tek detajet që e kompletojnë hapësirën e brendshme të saj.
"Të ecësh në këpucët e dikujt" është një moto që duhet kuptuar nga çdo arkitekt. Është sfiduese natyrisht por një mënyrë e cila na siguron një dizajn të sigurt dhe cilësor.
Arkitektura është një profesion me shumë përgjegjësi.
Ne sa mund të ndikojmë në përmirësimin e kualitetit qoftë të banimit apo të vendit të punës të dikujt në të njëjtën kohë mund t'a shkatërrojmë atë. Imagjinoni nuanca jo të përshtatshme në hapësira të caktuara të cilat me kohë shkaktojnë ndikime negative tek njerëzit, imagjinoni një dhomë gjumi pa ndriçim natyral për një njeri që vuan nga sëmundjet respiratore apo reumatizmale, imagjinoni hapësira pa kontraste për njerëz që kanë probleme me të parin. Impakti ynë është edhe në shkallë globale. Një dizjan jo i përgjegjshëm është një problem më tepër në zinxhirin e problemeve që po e cënojnë vazhdimisht planetin Tokë.
Në studion tonë, ajo çka e karakterizon që prej fillimit është puna në ekip. Çdo ndërtesë përbëhet përmes një pune në grup ku secili kontribuon me idetë e tij.
Gjurma ime mund të shihet tek gjenerimi i koncepteve, kompozimet e në veçanti tek relacioni mes ndërtesës dhe hapësirës përreth apo peizazhit.
Nëse nisemi nga mesazhi që jep ndërtesa atëherë Biblioteka rajonale në Gjakovë do të mund t'më përfaqësojë: përmes eliminimit të monumentalitetit që dikur përfaqësonin këto ndërtesa, duke e sjellë atë në një shkallë më humane dhe më afër njeriut; përmes dialogut mes gurit (i nxjerrë nga lumenjtë e qytetit), drurit dhe gjelbërimit si elementë kryesorë të arkitekturës dhe sidomos dukshmërisë së materialeve natyrore dhe thjeshtësisë në kompozim si rezistencë ndaj fenomentit të arkitekturës së pasluftës në Kosovë ku trend ishte përdorimi i materialeve sintetike dhe stili arkitektonik turbofolk.
Dysho edhe më shumë! Të përmirëson.
Meqenësë jemi duke jetuar në një kohë të "Shok arkitekturës" (Shock architecture), të mos bëheni viktimë e modeleve jo të mira që vijnë si rezultat i egove të investitorëve të ndryshëm që dominancën dëshirojnë t'a tregojnë përmes projekteve megalomane dhe arkitekturës të tejngarkuar.
Arkitektët e rinj duhet ta kuptojnë nocionin e "mishërimit". Sa më shumë të studiojnë vendin për të cilën do të projektojnë, ta shohin duke i përdorur të gjitha shqisat, ta ndjejnë atë. T'a projektojnë veten e tyre në atë vend. Të mishërohen me të sa më shumë që të jetë e mundur sepse vetëm në këtë mënyrë do të krijojnë një ndërtesë origjinale, një ndërtesë e cila duket se ka dalë në mënyrë të natyrshme e jo e vendosur në hapësirë me zor.
Gjithashtu të mos bëhen egoist në idenë e reflektimit të individualitetit në mënyrë imponuese por ai individualitet, përmes tipareve origjinale që kanë dal nga mishërimi, në dizajnin e tyre të jetë i sajuar në atë mënyrë që ndërtesa të krijojë përshtypjen se gjithmonë ka qenë aty dhe do të jetë për një kohë të gjatë.
Mishërimi dhe prezantimi i individualitetit përmes vendosjes së kujdeshme të elementeve arkitektonike është shumë e rëndësishme duke marrë parasysh se së shpejti do të hyjmë në një realitet të ri ku inteligjenca njerëzore do të shkrihet me inteligjencën e makinave. Ndaj “rrëmbeni" momentin, sepse do t'ju bëjë më të privilegjuar në raport me gjeneratat e ardhshme të arkitektëve Gen Z.
Njeriu dhe natyra janë bazë e frymëzimit tim. Njeriu me inteligjencën emocioniale të tij ndërsa natyra me perfeksionizmin, kompleksitetin dhe misteret e saj.
Nga natyra përvetësoj paternat, proceset dhe dukuritë ndërsa nga njeriu ndjesitë dhe përjetimet. Nga e para rrjedh përsosmëria nga e dyta unifkimi apo përkthimi i universales në shkallë humane. Mendoj se ky kombinim sjell harmoni dhe kuptim në dizajn. Natyrisht që duhet pasur kujdes në interpretim dhe përthim të tyre në dizajn, edhe pse shpesh si një akt intuitiv por gjithmonë i pranueshëm për natyrën tonë njerëzore. Relacioni adekuat në mes të komponenteve të bëra nga dora e jonë dhe atyre të krijuara nga natyra sjell një ekulibër ndijor dhe psikologjik. Kjo është ajo ndjesia që na krijojnë ndërtesat apo vendet kur ne themi "ndihem mirë aty".
Nuk është se kam ndonjë arkitekt/artist specifik që më frymëzon. Më frymëzojnë të gjithë ata njerëz, qofshin të njohur apo të panjohur, të cilët janë në kërkim të karakteristikave delikate dhe unike të vendit për të cilën do të projektojnë. Më frymëzojnë të gjitha ato kultura apo njerëz që esencën e jetës e gjejnë në gjëra të zakonshme dhe në jetën e përditshme. Njëjtë ndodh edhe me arkitekturën. Ashtu e shoh profesionin tonë. Ne duhet të projektojmë duke u bazuar në gjërat e zakonshme, e zakonshmja është kërkesa bazike e njeriut - arkitekturë për natyrën njerëzore.
Objekt Kulturor
Statusi - I përfunduar
Objekt arsimor
Statusi - I përfunduar
Objekt arsimor
Statusi - Në ndërtim