Të dhëna mbi projektin
-
Studio
Nusejba Hamiti, Fjolla Saiti
-
Tipologjia
Design
-
Statusi
Completed
-
Ekipi
Nusejba Hamiti, Fjolla Saiti
Përshkrimi
Red Ribbon është një ndërhyrje urbanistike e pozicionuar në hyrje të objektit të ish radio Tetovës, objekt i cili së fundmi ka funksionuar si Hapësira Socio Kulturore "Space Tetova".
Red Ribbon është projekt i financuar nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut dhe është realizuar nga vullnetarët e kësaj hapësire, duke i dhënë objektit të ish radio Tetovës një pamje tjetër në hyrje të tij.
Nga mungesa e një parkingu të mirëfilltë për biçikleta dhe fasadës së dëmtuar nga faktori kohë dhe njeri, lindi ideja për krijimin e "Red Ribbon" një shiriti të kuq që do të përshkonte një pjesë të fasadës, duke e zbukuruar atë.
Lokacioni në të cilin është vendosur kjo ndërhyrje është një lagje e zhvilluar në mënyrë organike që nga periudha e perandorisë Osmane e deri më tani. Në vitin 2018, një godinë e braktisur në këtë lagje u shndërrua në një qendër sociale dhe kulturore për të rinjtë e qytetit. Në hyrjen kryesore të këtij objekti ndodhet një hapësirë e vogël publike ku është vendosur Red Ribbon.
Të frymëzuara nga forma organike e lagjes, edhe ndërhyrja trajtohet si e tillë, një formë organike që fillon nga dyshemeja dhe ngrihet lartë duke vazhduar kështu e lirë nëpër fasadë. Ky shirit i realizuar nga metali i pa ndërperë krijon funksione të ndryshmë siç janë: mbulesë mbi derë, ulëse, parkim për biçikleta dhe vazo për lule.
Funksionet e këtij elementi janë shumë të nevojshme nga shfrytëzuesit e hapësirës Socio Kulturore “Space Tetova” dhe banorëve të lagjes. Mirëpo qëllimi i arkitekteve dhe projektuesve është të krijojnë një lidhje midis kërkesave të shoqërisë dhe si ato mund të përkthehen në zgjidhje fizike që rezultojnë në qytete dhe hapësira më të jetueshme.
Filozofia pas këtij projekti është krijimi i një hapësire njerëzore bazuar në kërkesat aktuale të shoqërisë dhe gjetja e zgjidhjeve të përkohshme dhe të lira që do të ndihmojnë në identifikimin e zgjidhjeve ideale afatgjata.
“Duke projektuar Red Ribbon, ne u përpoqëm të krijonim një element që të gjithë të ndihen rehat duke e përdorur, dhe njëkohësisht të shërbejë si katalizator për krijimin e ndërhyrjeve të përmasave të ngjashme në të gjithë qytetin, duke krijuar një mjedis më të jetueshëm dhe tërheqës për qytetarët.”
Vendndodhja
Tetovo, North Macedonia