Mohammed bin Salman, princi i Arabisë Saudite, ka bërë publike planet për një rrip 100 milje të gjatë me komunitete të aksesueshme në këmbë dhe me energji zero për një milion njerëz. Qyteti linear nuk do të ketë makina ose rrugë dhe banorët do të jetojnë brenda një zone ku të gjitha objektet thelbësore do të jenë pesë-minuta larg në këmbë.
Bin Salman publikoi planet për The Line në një video ku e përshkroi atë si një "revolucion civilizues që i vë njerëzit në radhë të parë". Mega-qyteti 100 milje i gjatë (170 kilometra) do të përbëhet nga bashkësi të lidhura - të cilat ai i quan "modulet e qytetit" - dhe do të lidhë bregun e Detit të Kuq me veri-perëndimin e Arabisë Saudite. Projekti do të jetë pjesë e Neom, rajoni plotësisht i automatizuar i Arabisë Saudite prej 500 miliardë dollarësh që do të shtrihet në Arabinë Saudite, Jordaninë dhe Egjiptin dhe do të mundësohet krejtësisht nga energjia e rinovueshme.
Sipas Bin Salman, i cili është gjithashtu kryetari i bordit drejtues të kompanisë Neom, ndërtimi i The Line do të fillojë në tremujorin e parë të vitit 2021. Transporti me shpejtësi të lartë, shërbimet, infrastruktura digjitale dhe logjistika do të integrohen pa ndërprerje në hapësirat e dedikuara në një shtresë të padukshme nëntokë përgjatë The Line.
Vizatimet tregojnë automjete të drejtuara nga inteligjenca artificiale (AI), një linjë metroje dhe transport mallrash me shpejtësi të lartë të vendosura nën tokë. Mbi tokë do të jetë një "shtresë këmbësorësh" e pasuar nga dy shtresa nëntokësore - niveli i parë, ai i "shtresës së shërbimit" të infrastrukturës dhe një "shtresë kurrizore" për transport në nivelin e poshtëm.
Kjo shtyllë kurrizore do të lidhë bashkësi të ndryshme, për të cilat Neom parashikon se do të strehojë një milion banorë dhe do të shtrihet në 100 milje. Transporti nga një skaj i The Line në tjetrin nuk do të zgjasë kurrë më shumë se 20 minuta, sipas zhvilluesve të Neom.
Bin Salman e përcaktoi projektin si një përgjigje ndaj çështjeve të ndotjes dhe aksidenteve të trafikut. "Deri në vitin 2050, kohëzgjatja e udhëtimit do të dyfishohet," tha ai. "Deri në vitin 2050, një miliard njerëz do të duhet të zhvendosen për shkak të rritjes së emetimeve të CO2 dhe nivelit të detit. 90 përqind e njerëzve thithin ajër të ndotur."
Komunitete të mundësuara nga AI
Transporti i drejtuar nga AI (inteligjenca artificiale) do të bëhet i mundur me shfrytëzimin masiv të të dhënave. Në një deklaratë, zhvilluesit e The Line thanë se komunitetet e saj do të jenë "njohëse" dhe të mundësuara nga AI, e cila "do të mësojë vazhdimisht mënyra parashikuese për ta bërë jetën më të lehtë".
Rreth 90 përqind e të dhënave në dispozicion do të shfrytëzohen për të rritur aftësitë e infrastrukturës shumë më tepër se sa 1 përqind që përdoret zakonisht në qytetet ekzistuese inteligjente. Ndërtesat do të jenë pozitive ndaj karbonit dhe do të mundësohen nga energjia e pastër dhe sipas Neom, 95 përqind e tokës në rajonin e tij, që ndodhet në një rrugë kryesore tregtare, është e mbrojtur.
Source: dezeen.com