Të dhëna mbi projektin
-
Arkitekti
Klaudio Curmaku
-
Tipologjia
Commercial
-
Statusi
Completed
-
Viti i ndërtimit
2025
-
Kate
1
-
Photography
Leonit Ibrahimi
Përshkrimi
Figaro Resto-Bar / Klaudio Curmaku
Në Tiranë, Shqipëri, ky transformim i hapësirës së brendhsme për një resto-bar të vogël lidh gjeografinë mesdhetare me kujtesën kulturore vendase. Brenda një " guaske betoni" me lartësi pesë metra, dy volume monolitike në formë “shkëmbi” orientojnë planimetrinë dhe sjellin ndjesinë e peizazhit në brendësi: njëri prej tyre i mbjellë me kaktuse për të theksuar karakterin jugor dhe kontrastin mes masës së ashpër dhe pikave të kuruara .
Strategjia hapësinore favorizon qartësinë dhe shkallën njerëzore: një vijë horizonti e vazhdueshme në lartësinë 2.2 metra e bën hapësirën e lartë të lexueshme dhe komode, ndërsa nëntë ndriçues sferikë ndjekin këtë nivel për të udhëhequr lëvizjen mes hyrjes, banakut dhe zonave të uljes, duke krijuar një kontrast të butë mes zonës së sipërme më të errët dhe asaj të poshtme të ndriçuar ngrohtë. Banaku përcaktohet nga një kub ndriçues i varur, i cili ndalet në kufirin 2.2 metra, duke shënuar zonën e shërbimit pa penguar pamjen dhe duke krijuar një tension të matur brenda një hapësire të qetë. Zonat e ulëseve vërtiten rreth dy volumeve dhe mbulesës së banakut, duke krijuar nivele intimiteti pa përdorur ndarje dhe duke ruajtur qarkullim të thjeshtë e të lexueshëm.

I vendosur në një lagje autentike të Tiranës, brenda një ndërtese të re që si shumë të tjera ka zëvendësuar vilat e mëparshme me banesa shumëkatëshe, projekti synon të riaktivizojë kujtesën kolektive vizuale. Kjo arrihet përmes reinterpretimit të dekoreve të vëzhguara në vilat përreth të fillim-shekullit XX dhe përshtatjes së tyre për përdorim bashkëkohor.
Qëllimi është që zbukurimet, ndriçuesit dhe elementët elektrikë të funksionojnë si një sistem i vetëm, duke integruar pajisjet teknike në dizajnin e përgjithshëm, në vend që t’i fshehin ato. Në të njëjtën kohë, dekori trajtohet si pjesë e rendit hapësinor dhe jo si dekor i aplikuar: dy figura bazë euklidiane : rrethi dhe rombi, kompozohen me mermer jeshil, duke balancuar mes drurit me tone të kuqërremta dhe nuancave mente të pranishme në interier.

Në vend të rozëtës tradicionale me llambadar qendror, në tavan u përdorën difuzorë rrethorë të furnizimit me ajër; që së bashku me hapjen rrethore të kubit të varur përcaktojnë katër rrathe që ndihmojnë në markimin e katër zonave të dallueshme.
Ndriçuesit ndjekin të njëjtën gramatikë dekori, me elementë prej mermeri jeshil të vendosur në të dy anët e kolonës në lartësinë 2.2 metra, duke përforcuar vijën e horizontit të vendosur në të gjithë hapësirën. Ndërkohë, prizat, në porcelan ngjyrë kafe të errët, vendosen përgjatë boshtit të ndriçuesve dhe lihen qëllimisht të dukshme, duke pranuar nevojat bashkëkohore për karikim dhe duke kontribuar në një gjuhë teknike koherente të interierit.

Rezultati është një interier i qetë dhe taktil, ku referencat e peizazhit dhe dekoret e rinterpretuara harmonizohen në përdorimin e përditshëm, i lehtë për t’u orientuar, familjar në frymë dhe qartësisht tirans.
Vendndodhja
Tirana, Albania