01_HYRJE
Gjithnjë e më shpesh, tema e betonizimit dhe transformimit të qytetit rikthehet si jehonë, kur flitet për cilësinë e jetesës në Tiranë. Nga ana tjetër është për t’u theksuar që ky proces ka ardhur si rrjedhojë e një sërë faktorëve kompleks, social dhe ekonomik, pas ndryshimit të regjimit pas viteve `90. Ndër faktorët kryesor që kanë influencuar në zgjerimin dhe përqendrimin e banesave, apo godinave dhe komplekseve të reja rezidenciale, mund të përmendim:
Në bërthamë të këtij hulumtimi të hapur, qëndron tema e densifikimit të qendrës së Tiranës dhe ndikimi i këtij transformimi në cilësinë e jetesës qytetare. Për të dhënë një përgjigje sa me të strukturuar dhe për të nxjerrë në pah ndryshimet dhe ngjashmëritë, me qëllim shmangien e subjektivitetit, është marrë në konsideratë analiza krahasuese e normativës italiane mbi Standardet Urbanistike[1] dhe transformimit të një lagje banimi pranë zonës së ish-bllokut. Transformimi i qytetit gjatë tre dekadave të fundit nuk ka prekur vetëm shkallën fizike, pra zgjerimin dhe densifikimin e tij por edhe dimensionin funksional, social-kulturor dhe ekonomik duke shndërruar apo krijuar vlerat të reja në indin e saj urban dhe atë shoqëror.
02_ZGJERIMI I TIRANËS NË TRE DEKADAT E FUNDIT
Imazhi më lartë tregon fazat e zgjerimit të Tiranës përgjatë dekadave ne shqyrtim. Me ngjyrën bojë qielli paraqitet Tirana e viteve `80, me lejla vitet `90, me ngjyrën portokalli dekada e parë e mijëvjeçarit dhe me të kuqë dhjetëvjeçari i fundit. Siç mund të vihet re nga kjo fotografi ajrore e sintetizuar, zgjerimi i qytetit ka ndodhur në mënyrë koncentrike në perimetrin e tij, me një zhvillim të theksuar përgjatë korridoreve kryesorë, veçanërisht lidhja me Durrësin, ai i rrugës së Elbasanit, drejt Dajtit dhe Ali Demit. Pavarësisht zgjerimit të zonës në shqyrtim, në rreth 200%, përllogaritet që popullsia është rritur me rreth 300-400%. Nga kjo e dhënë mund të kuptohet lehtë se mesatarja e densifikimit të popullsisë për sipërfaqe të shfrytëzuar është dyfishuar. Nga ana tjetër duhet theksuar se densiteti i popullsisë, si pasojë dhe ai ndërtimor, nuk është i shpërndarë në mënyre të njëtrajtshme. Në zona të caktuara si qendra e qytetit apo ish komunat, popullsia dhe zhvillimi ndërtimor mund të jetë trefishuar apo katërfishuar dhe zona të tjera me banesa private, kryesisht ato informale apo të ndërtuara ne toka ish-bujqësore, densiteti ka ngelur minimal.
03_ANALIZË SKEMATIKE E DINAMIKAVE URBANE GJATË DEKADAVE TË FUNDIT
Imazhi me poshtë, paraqet në mënyrë sintetike dhe skematike transformimin e qytetit gjatë kohës në shqyrtim. Për të lehtësuar analizën ndarja është bërë sipas dekadave kalendarike, pavarësisht faktit se shumë fenomene kanë ndodhur ndërmjet dhjetëvjeçarëve.
Mund të shohim në kuadratin lart-majtas se si gjatë viteve 80, qyteti ishte i rrethuar në periferi, kryesisht nga lagje satelitore dhe me një qendrën relativisht të konsoliduar. Këto lagje periferike ishin shpesh herë të lidhura me industrinë apo prodhimtarinë, si lagjet e ish-Uzinës Enver, ato të Porcelanit, Ali Demit, Laprakës, stacionit i fundit i Tiranës së Re etj. Zonat në fjalë por edhe ato në brendësi të qytetit karakterizoheshin nga një densitet i ulët ndërtimi dhe si rrjedhoje me hapësira të gjëra publike. Një karakteristik tjetër e kësaj periudhe, jepet nga ndërprerja drastike e qytetit të banuar me tokën bujqësore dhe të koperativizuar në periferinë e saj.
Gjate viteve `90, kuadrati lart-djathtas, janë pikërisht këto hapësira bujqësore që urbanizohen të parat, shpesh herë në mënyrë informale nga ndërtesa private. Kjo periudhë koinçidon me çaktivizimin e zonave industriale dhe gjithashtu me tjetërsimin e hapësirat publike në njësi tregtare. Këto të fundit janë pikërisht kioskat, dyqanet dhe baret e para përgjatë lumit të Lanës apo parqeve qytetar, si ai Rinia, Vëllezërit Frashëri, 1 Maji etj.
Në dekadën 2000-2010, këto hapësira publike i rikthehen qytetit dhe njësitë tregtare fillojnë të zhvendosen në katet e para të banesave ekzistuese, duke tjetërsuar funksionin e tyre, apo duke u spostuar posaçërisht në ndërtesat e reja. Këto vite karakterizohen nga bumi ndërtimor dhe densifikimi i qendrës së qytetit. Kjo përqasje invazive, u pasqyrua edhe më qartë te spekullimi ndërtimor i ish-komunave përreth qytetit, tashmë lagjet Astir, Liqeni i Thatë, Fresku etj. Kjo periudhë koincidon gjithashtu me zhvillimin e korridoreve ekonomik kryesor në industrinë e lehtë dhe atë tregtare, me qendrat komerciale TEG dhe QTU përgjatë aksit Durrës-Tiranë-Elbasan.
Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, procesi i densifikimit vazhdoi me ritme më të ulëta, sipas mundësisë dhe hapësirës së ngelur në zonat qendrore, ndërkohë që komunat vazhduan me ritme intensive deri në ndarjen e re administrative të 2014. Gjithashtu, po në këtë periudhë, mbase dhe si pasojë e konsolidimit të industrisë së ndërtimit, si dhe të legalizimit të ndërtesave informale, lulëzojnë edhe komplekset rezidenciale, me densitet të lartë në zonat ish periferike të viteve 80. Bashkë me to, lind dhe një tipologji e re në ofertën ndërtimore, të ashtuquajtura rezidenca elitare apo luksoze, në brezin e fundit rrethues së qytetit, kryesisht në skajin jug-lindor të tij.
04_MARRDHËNIA NDËRMJET DENSITETIT NDËRTIMOR DHE CILËSISË SË JETËS
Një nga arkitektët dhe urbanistët më në zë, i cili ka dedikuar karrierën e tij profesionale në kërkimin e përmirësimit të cilësisë së jetesës urbane, është Jan Gehl. Në një nga pohimet e tij, thuhet se një qytet i mirë është si një festë e bukur ku askush nuk do të largohet dhe për ta bërë këtë të mundur duhet menduar së pari për njerëzit, më pas për hapësirat dhe në fund për ndërtesat. Në këtë pohim ai shton se nëse problemi kapet nga e kundërta, pra ndërtesat e para dhe në fund njerëzit atëherë qyteti nuk funksionon. Sipas këtij pohimi, mund të deduktojmë lehtësisht se si zhvillimi i Tiranës ka qenë një rast i suksesshëm i një qyteti jo-funksional, ku prioritet është cilësuar ndërtimi dhe cilësia jetesës urbane ka ardhur si pasojë.
Nga sa më lartë na rezulton që mundësimi i një raporti optimal midis hapësirave publike me ndërtimin kthehet në parakusht për cilësinë e jetës qytetare. Element të tjerë të rëndësishëm për tu theksuar, që ndikojnë në mirëqenien urbane, janë shërbimet publike apo private si dhe mundësimi sa më i arritshëm i lëvizshmërisë. Në përgjithësi këto dy kategori marrin sipërfaqe nga hapësirat boshe të qytetit nëpërmjet rrugëve apo trotuareve për rastin e mobilitetit dhe ndërtesave në rastin e shërbimeve publike, apo private. Në përfundim do themi që vlerësimi i këtyre tre elementëve të lartpërmendur përcakton për së shumti edhe cilësinë e jetesës qytetare[2].
04_1_ MODELIMI EMPIRIK I MARRËDHËNIES SË DENSITETIT ME CILËSINË E JETËS
Imazhi më poshtë, mundohet të paraqesi në linja teorike raportin që ekziston midis densitetit ndërtimor[3] dhe cilësisë së jetesës në një porcion të indit urban, me përdorim të shumëllojshëm banimi, shërbim dhe shplodhje në hapësirë publike. Nga ky grafik kuptohet se cilësia e jetesës ndikohet pozitivisht me rritjen e densitetit ndërtimor, deri sa arrin një pikë maksimale, të cilin e kemi emërtuar “raporti optimal cilësi-densitet”. Ky raport optimal, vjen si rrjedhoje e faktit që çdo ndërtim apo ndërhyrje e shtuar, ndonëse merr nga hapësirat boshe apo publike, ndikon ende pozitivisht në cilësinë e jetesës, pasi ofron shërbime të cilat optimizojnë dhe konsolidojnë një zonë të caktuar të qytetit. Me rritjen e mëtejshme të densitetit, kurba e cilësisë fillon të zbresë. Ky fenomen ndodh si pasojë e faktit që hapësirat publike fillojnë e janë gjithnjë e më të limituara, ndërkohë që përdoruesit sa vinë e shtohen. Arrin një pikë kritike, minimumi i pranueshëm i cilësisë së jetesës, ku për shkak të densitetit të lartë, nuk përmbushet kërkesa për hapësira publike nga të gjithë banorët. Këtë pikë kritike, e cila do të jetë një nga temat kryesore të paragrafëve në vijim, do e paraqesim në formën e një limiti duke e emërtuar “maksimumi i tolerueshëm i densitetit”.
04_2_ STANDARDI ITALIAN I PLANIFIKIMIT URBAN
Për ti dhënë një dimension të matshëm kësaj pike kritike, pra minimumit të tolerueshëm për një cilësi jetese dinjitoze, do marrim si referencë Standardin e Planifikimit Urban Italian. Ky standard paracakton limitet dhe rregullat për hartimin e Planeve Urbane, duke parashtruar hapësirat publike minimale, përjashtuar ato infrastrukturore si rruge, ura etj., në planifikimin e banesave dhe vendbanimeve të reja në territorin italian. Ky dekret ministerial, lind nga nevoja e një përgjigje efikase ndaj zhvillimit të pa kontrolluar të bumit ndërtimor gjatë viteve `60 në Itali. Standardi përcakton një sipërfaqe publike minimale, në formë hapësire apo strukture, prej 18m2 për çdo banor. Kjo sipërfaqe ndahet përkatësisht në 4.5m2 për arsim, si shkolla, kopshte dhe gjimnaze, 2m2 në struktura me interes publik dhe kulturor, si institucione fetare, spitale, institucione administrative, kulturore etj., 9m2 në hapësira të gjelbra, sheshe të pajisura apo shëtitore dhe 2.5m2 për parkingje. Nga sa më lartë mund të vihet re që nga këto 18m2 për banorë, 11.5m2 janë në formën e hapësirave të hapura publike dhe 6.5m2 në formën e strukturave të ndërtimit.
Nëse do donim ti kthenim këto parametra në kontekstin shqiptar, sipas Planeve te Detajuar Vendor, për zonat homogjene “parcelat”, apo shumatoren e tyre, koeficienti i intensitetit të ndërtimit nuk duhet të kalojë shifrën 1.8. Kjo shifër rrjedh si pasojë e parakushtit që një banori i nevojiten mesatarisht 25m2 banesë, për të cilin nevojiten 11.5m2 hapësirë e lirë publike, sipas referencës së standardit italian. Pra 25m2/11.5m2=2.17, koeficient të cilit duhen zbritur një mesatare prej 20% për sipërfaqe rrugore, aksese dhe mundësimin e lëvizshmërisë, duke zbritu në një koeficient me intensitet ndërtimor 1.74.
Standardi Italian i përshkruar me lart, përcakton minimumin e sipërfaqes së lirë publike për banor, ne zonat homogjene urbane, në planin rregullator. Ky minimum i domosdoshëm sipas Standardit Italian, në modelin empirik mbi raportin e densitetit dhe cilësisë së jetesës të përshkruar me lart, korrespondon me “maksimumin e tolerueshëm të densitetit” mbi të cilin cënohet “minimumi i pranueshëm i cilësisë së jetës”.
05_RASTI STUDIMOR I PALLATEVE AGIMI
Për të kuptuar konkretisht dinamikat urbane dhe transformimin e indit urban, do marrim si rast studimor një lagje në qendër të qytetit. Lagja në fjalë ndodhet pranë ish bllokut dhe njihet me emrin Pallatet Agimi. Lagja delimitohet nga 4 rrugë kryesore, Bulevardi Zhan D’Ark në Veri, Rruga Ibrahim Rugova në Lindje, Sami Frashëri në perëndim dhe Rruga Brigada VIII në jug. Ajo ndahet nëpërmjet Rrugës Vaso Pasha në dy blloqe rezidenciale, të pajisura me oborret e brendshëm përkatës, të cilat kanë shërbyer si sheshe ndërtimi gjatë hovit ndërtimor.
05_1_ ANALIZË SKEMATIKE E TRANSFORMIMIT DHE DENSIFIKIMIT TË ZONËS NË STUDIM
Siç mund të vihet re në imazhin më poshtë[4], gjatë viteve ’80, blloku karakterizohej nga dy struktura të mbyllura drejtkëndore me oborret përkatëse, të cilat shërbenin si hapësira shplodhëse dhe rekreative për banorët e zonës. Këto struktura lineare varionin nga 4 deri në 5 kate, me raste të veçanta prej 3 katesh apo vilave dy-katëshe të përqendruara në skajin jugor, përgjatë Rrugës Brigada VIII. Gjatë fillimit të viteve `90 transformimet kryesore ishin ato të tjetërsimit, nga lulishte publike në truall për ndërtim, ekzaktësisht përgjatë Lanës[5], mbushur kryesisht me lokale dhe njësi tregtare si dhe në skajin jug-lindor, njohur si “vila e Ilir Metës” dhe ngjitur saj “vila e gjermanit” të paraqitura në ngjyrën lejla.
Shndërrimi dhe densifikimi kuptimplotë i bllokut në fjalë ka ndodhur gjatë viteve 1998-2001, në disa prej parcelave të vilave ekzistuese, duke e trefishuar sipërfaqen ndërtimore në më pak se 3 vjet. Për efekt koherence me ndarjen në 4 dekada, imazhi paraqitet në kuadratin poshtë-djathtas me ngjyrë portokalli. Gjithashtu po në këtë periudhë filluan edhe zgjerimet vëllimore të strukturave ekzistuese, si shtesa katesh apo zgjerime anësore. Një tjetër aspekt për tu përmendur përgjatë periudhës në fjalë, jepet nga tjetërsimi funksional i banesave të kateve të para nga banim në njësi tregtare. Për sa më lart, mund të supozojmë se faktorët kryesor të cilët ndikuan ne këtë proces kanë qenë; 1) rikthimi përgjatë Lanës dhe parqeve në hapësirë publike duke shtyrë kërkesën për njësi tregtare në zone, 2) nga zhvillimi i lartë ndërtimor që karakterizoi të ardhmen e zonës.
Vitet në vazhdim janë karakterizuar kryesisht nga shtesat vëllimore[6] dhe ndërhyrjeve të viteve të fundit, me ndërtesat në parcelat përkatëse të vilave ekzistuese.
05_02_ ANALIZA SASIORE E NDIKIMIT TË DENSITETIT TË NDËRTIMIT
Për këtë analizë, sipërfaqja e truallin në shqyrtim rreth 53,000m2 është përjashtuar nga rrugët duke dhënë një sipërfaqe neto[7] prej 42,500 m2. Tabela më poshtë paraqet dinamikat demografike, duke u bazuar mbi principin e 25m2/banorë dhe të dhënave të densitetit vëllimor gjatë katër dekadave të fundit. Po në këtë tabele pasqyrohet zvogëlimi i sipërfaqes së lirë publike, duke e krahasuar atë me minimumin e standardit urbanistik italian për hapësira të lira publike, prej 11.5m2/banorë përgjatë kohës në shqyrtim. Është për tu theksua gjithashtu që në këtë tabelë nuk janë marrë parasysh ish-hapësirat e lira të cilat shfrytëzohen aktualisht nga bar-restorantet apo parkingjet private të zonës. Nëse kjo e dhënë do i shtohej pasqyrës së më poshtme, hapësirat e lira publike do zbrisnin në mënyrë drastike.
Grafiku më poshtë paraqet vijueshmërinë e sipërfaqes ndërtimore përgjatë kohës në shqyrtim, duke e krahasuar atë me sipërfaqen e lirë publike. Vihet re se si gjatë viteve `80, sipërfaqja e lirë publike mbizotëronte mbi atë të ndërtuar. Një tjetër pikë interesante jepet nga momentin që ato barazohen, gjatë gjysmës së parë të viteve `90, për të përfunduar në vitet e fundit, ku sipërfaqja e ndërtuar tejkalon mbi tre herë sipërfaqen e lirë publike.
Në grafikun më poshtë, paraqitet vijueshmëria e raportit që qëndron midis sipërfaqes së lirë për banorë dhe numrit të banorëve të zonës në shqyrtim. Siç mund të dallojmë, sipërfaqja e lirë për banor zvogëlohet në mbi katër herë, nga ajo viteve `80, si pasojë e rritjes së numrit të banorëve nga një anë, dhe ngushtimit të sipërfaqes së lirë si pasojë e ndërtimeve të reja nga ana tjetër.
Më lartë mund të dallojmë vijueshmërinë e uljes së sipërfaqes së lirë publike për banor, të krahasuar me limitin e hapësirave publike, sipas standardit italian. Ndërthurja e limitit mbi hapësirën minimale për banorë, me vijueshmërinë e sipërfaqes së lirë për banor, na përcakton momentin kohor kur kushti nuk plotësohet më. Kjo periudhe sipas kësaj analize koincidon përafërsisht me vitin 2000 duke vazhduar rënien e mëtejshme përgjatë viteve në vazhdim.
Në përfundim të kësaj analize, grafiku më lartë, mund të deduktojmë lehtësisht se ndërtimet që vijuan pas viteve 2000, jo vetëm nuk ishin të afta të plotësonin kushtin e minimumit të tolerueshëm, por edhe vazhduan të ndikojnë në zvogëlimin e sipërfaqes së lirë publike. Një aspekt tjetër i vlefshëm për tu theksuar jepet nga inercia e kurbës përgjatë viteve 1998 dhe 1999, periudhe e cila përkon edhe me bumin ndërtimor në këtë zonë.
06_DISA KONSTATIME MBI ZHVILLIMIN URBAN
Aspekti kryesor që karakterizon zonën në studim[8], jepet nga ndarja drastike midis perimetrit të jashtëm dhe atij të brendshëm të bllokut rezidencial. Kjo ndarje nuk është vetëm në dimensionin fizik, si ai ornamental i fasadave apo vëllimeve dhe hapësirave, por edhe në atë funksional. Perimetri i jashtëm, në katet e para, është tjetërsuar tërësisht në njësi tregtare, ku bar-restorantet dhe dyqanet në modë mbizotërojnë. Nga ana tjetër, brendësia e blloqeve, paraqitet mos-mikpritës dhe i pa përshkueshëm nga flukset, si për sa i përket shërbimit në katet përdhe por edhe nga aksesibiliteti i cunguar ndaj banesave, duke krijuar diferenca në vlerën e pronës, midis atyre me akses nga rruga kryesor dhe atyre në brendësi të lagjes. Njëkohësisht mos-mikpritës janë edhe hapësirat për agregimin social të banorëve, si pasojë e mungesës fizike të hapësirave. Sa me lartë, ka pasur ndikim edhe në aspektet e segregimit social, midis banorëve të rinj e atyre te vjetër, por edhe midis shfrytëzuesve të zonave në perimetrin e jashtëm dhe atyre në brendësi. Gjithashtu vlen për tu përmendur se impakt negativ te banorët ekzistues ka pasur edhe rritja e presionit financiar, si pasojë e kërkesës së lartë në perimetrin e jashtëm të bllokut.
Këtë dukuri transformuese, fizike, social-kulturore dhe ekonomike, midis perimetrit të jashtëm dhe atij të brendshëm, të një blloku banesash, do e emërtojmë “proces transformues, divergjent në perimetër”[9]. Ndërsa fenomeni i anasjelltë, pra kur rritja apo përmirësimi i densitetit ndërtimor, ka pasur impakt pozitiv, si në perimetër dhe brendësi, gjatë procesit shndërues të bllokut në fjalë, do e emërtojmë “proces transformues, konvergjent në perimetër”[10].
Ndërkaq, çmimet në tregun imobiliar për këto blloqe me ndërtim të përzier, ekzistues dhe të ri, me densitet të lartë ndërtimor dhe me mungesa te theksuara të hapësirave publike, vazhdon ende të jetë i lartë. Faktorët që ndikojnë në këtë inkoherencë tregu, vlerë monetare e shpenzuar për cilësi jetese të ofruar, vjen si pasojë e disa faktorëve kompleks dhe të ndërlidhur, të cilët nuk janë objekt i këtij studimi. Por gjithsesi, vlen për të përmendur disa nga faktorët kryesor që ndikojnë në ofertën e tregut, si infrastruktura e ngritur, afërsia me shërbimet publike, konsolidimi i indit shoqëror dhe ndërtimor dhe kryesisht vlera e tyre historike, siç mund të jetë zona e bllokut, i pa aksesueshëm[11] nga shumica e popullsisë qytetare prej thuajse tetë dekadash.
Një aspekt tjetër i vlefshëm për tu përmendur, i cili lidhet ngushtë me studimin e mësipërm, jepet nga lindja e ofertës së re ndërtimore të dekadës së fundit. Kjo ofertë alternative, vjen si përgjigje optimale për t’i bërë ballë uljes së cilësisë së jetës në zonat qendrore, si pasojë e rritjes së densitetit në blloqet me ndërtesa ekzistuese dhe të reja. Oferta e parë, jepet nga banesat në blloqe të reja rezidenciale, me densitet të lartë, por gjithsesi më të ulët se banesat në blloqet me ndërtesa të reja dhe të vjetra. Në ofertën tjetër bëjnë pjesë komplekset e reja ndërtimore, të njohura si elitare apo luksoze[12], të cilat kanë avantazhin e një densiteti optimal dhe shtrese sociale homogjene, por me disavantazhin e një kostoje më të lartë prone dhe largësinë nga qendra dhe shërbimet e saj.
07_ PËRMBLEDHJE DHE PËRFUNDIME
Qendrat e qyteteve në rajon dhe më gjerë, ashtu si edhe në Tiranë, karakterizohen nga një densitet i lart ndërtimor dhe/ose me sipërfaqe të lira të limituara, si pasojë e transformimit të funksioneve në këto zona. Ndërtesat në këto hapësira, një herë e një kohë kryesisht rezidenciale, kthehen gjithnjë e më tepër me zhvillimin e qytetit në njësi tregtare, prodhuese apo shërbimi privat, si zyra, klinika apo institute formimi, të cilat karakterizohen nga një funksion i shumëfishtë, banim, prodhim dhe shërbim. Nga ana tjetër kjo dukuri, cënon gjithnjë e më tepër cilësinë e jetesës qytetare të banorëve ekzistues apo atyre të rinj, si pasojë e mungesave hapësinore të lartpërmendura.
Për të adresuar dhe zgjidhur këtë ngërç urban, planifikuesit e vendeve perëndimore, i japin përparësi hapësirave të pedonalizuara, shpesh herë duke marrë nga hapësirat e destinuara për automjete private apo hapësirave të keq shfrytëzuara, apo nënvlerësuara. Ndonëse mund të duket kontradiktore, shumë nga politikat më të avancuara urbane, të vendeve skandinave, po shtyjnë gjithnjë e më tepër drejt këtij modeli. Kjo përqasje “soft”[13] në krahasim me modelin modernist, i cili zonifikon qytetin në baze të funksioneve të saj, ka disa avantazhe të ndërlidhura ngushtë me njëra tjetrën. Ndër to mund të rendisim: uljen e trafikut në orët e pikut, mundësimin e afërsisë së banesës me vendin e punës, nxitjen e policentrizmit në qytet, impaktin minimal në ndotjen e ambientit dhe atë akustike, si eksperiencë përmbushëse për jetën urbane.
Kjo “përqasje e butë”, është lehtësisht e aplikueshme, jo vetëm në zonën në studim, por edhe në zona të tjera të qytetit. Për ta mundësuar këtë, nevojitet një bashkëpunim i strukturuar, i aftë të nxisë vlera midis palëve përfituese, qofshin ato financiare, shpirtërore, shëndetësore, apo administrative. Krijimi i sinergjisë dhe përfitimit të ndërsjellët midis pushtetit lokal e vendor me komunitetin dhe interesat e sektorit privat duhet të jenë parakusht për rritjen e mirëqenies qytetare. Aspekte të tjera që kanë një ndikim të lartë në ndërhyrjet apo planet urbane, si mbrojta e trashëgimisë dhe e memories kolektive ,janë thelbësor dhe paracaktues për arritjen e propozimeve zhvillimore.
Në kushtet aktuale, ku zona të gjera të qytetit karakterizohen nga një mungesë e theksuar e hapësirave të lira publike, si pasojë e proceseve transformues divergjent në perimetër, nismat rigjenerative kthehen në domosdoshmëri. Krijimi i kushteve për hapësira të pedonalizuara në brendësinë e këtyre blloqeve, nxit përshkueshmërinë dhe aksesibilitetin ndaj tyre, duke i kthyer ato në zona atraktive. Çdo hapësirë që aktualisht shërben si vend parkimi, rrugicë e brendshme apo rrethimi informal mund të kthehet lehtësisht në një sistem hapësirash publike të ndërlidhura në nivel blloku banesash. Nxitja e flukseve këmbësore në to ndikon pozitivisht në uljen e segregimit social dhe financiar, rrit ndjesinë e sigurisë për të gjitha moshat, rikthen hapësirat ende të lira në shërbim të banorëve, si dhe rrit vlerën e pronave në perimetrin e brendshëm. Nga ana tjetër një sërë masash në nivel qyteti duhen ndërmarr për të caktuar zonat me trafik të limituar dhe njëkohësisht për të siguruar vendet e parkimit për banorët e zonës. Për sa i përket vendeve të parkimit, rrugët kryesore që rrethojnë dhe kufizojnë blloqet në fjale mund të kthehen lehtësisht në përdorim ekskluziv të rezidentëve.
Sa me lartë i referohet zonave me densitet të lartë dhe kryesisht në ato qendrore të qytetit. Në zonat ish-periferike, të karakterizuara nga prania e strukturave dhe hapësirave ish-industriale, të braktisura apo pjesërisht të tilla, propozimet rigjenerative mund të ndryshojnë lehtësisht. Sidoqoftë edhe ato duhet të mbajnë ne konsideratë dy kushtet e paracaktuara më lartë, pra nga një anë hapësirat publike dhe nga ana tjetër transformimin konvergjent.
Ashtu siç parashtruar në fillim, ky studim mundohet të sintetizojë proceset transformuese të qytetit gjatë dekadave të fundit. Më pas të përcaktoje një korrelacion midis hapësirave dhe cilësisë së jetesës në qytet, për të përfunduar me një propozim mbi skenarët e së ardhmes. Ky studim ngelet një diskutim i hapur dhe në proces për shkak të kompleksitetit dhe multi-disiplinaritetit të temave që prek.