“ARKITEKTURA E NDËRTESAVE PUBLIKE NË PRISHTINË 1945 - 1990: FAKTORËT SHOQËROR DHE FORMËSUES” - Një libër nga Arbër I. Sadiki
Reçenca realizuar nga:
Prof. Asoc. Dr. Armand Vokshi
Dekan i FAU | UPT | Tiranë
"Arkitektura është vullneti i kohës i përkthyer në hapësirë."
- Ludwig Mies Van der Rohe
A ka ardhur momenti që të evidentojmë më shumë atë që kohët e kanë përkthyer në hapësirë në qytetet shqiptare? Këto tridhjetë vite post diktaturë komuniste, si dhe këto njëzet vite paqe, nuk kanë prodhuar mjaftueshëm studime, kërkime dhe debate të paindoktrinuara për arkitekturën dhe urbanistikën në qytetet tona. Kjo varfëri e përgjithshme studimesh hulumtuese dhe debati profesional, na vendos në raport të zhdrejtë me trashëgiminë tonë arkitektonike dhe urbanistike, të cilën brezat e mëparshëm e kanë krijuar për brezat që do vijnë pas nesh. Mbajtja në hije e këtyre vlerave të veçanta, të prodhuara gjatë periudhave të ndryshme, pa marrë parasysh lidhjen konceptuale, ideologjike, fetare apo historike të opusit të ndërtuar, kanë treguar tashmë faktin që këto arkitektura mund të transformohen nga identiteti i tyre fillestar apo të humbasin përgjithmonë. Rastet e ndërhyrjeve të fundit ne Shqipëri, Kosovë e sidomos ne Maqedoni me ndryshimet radikale ne qytetin e Shkupit e vërtetojnë këtë. Studimet kërkimore në realitet duhet të shërbejnë, jo vetëm thjeshtë për anën njohëse e dokumentuese të kohërave të ndryshme, por edhe për të ushqyer debatin mbi dimensionimin e raportit të sjelljes sonë aktuale me këto vlera, unike për kohët kur janë ndërtuar.
Ndaj, me kënaqësi të madhe e prita publikimin e kolegut Arbër Sadiki, në lidhje me arkitekturën e ndërtesave publike në Prishtinë përgjatë viteve 1945 – 1990. Këto vite përkojnë nga ana historike me vitet kur Prishtina ishte një nga qytetet e rëndësishme të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Tashmë është e ditur, kjo pjesë e veçantë arkitekturës ka rimodeluar strukturën organike te qytetit dhe formuar ADN moderniste të qytetit. Tema është mjaft komplekse, kështu që ky studim është një kontribut tejet i vlefshëm në hulumtimin e një periudhe me një prodhimtari specifike në territorin e Prishtinës. Kompleksiteti i temës lidhet sidomos edhe për afërsinë kohore me këtë periudhë historike, kur veprat janë projektuar e realizuar, gjë që shpesh sjell ngarkesa emocionale, ngatërresa të ndjesive të ngushta ideologjike, nacionaliste apo edhe politike e kulturore të kohës së tanishme, në raport me momentet kur ato janë ndërtuar.
Tema e përzgjedhur nga autori paraqitet si një nevojë kërkimore mbi ndodhitë e forta të transformimeve urbane në Prishtinë, ku evidentohet tashmë ndërthurja e elementeve të shtresëzimeve historike, sidomos të periudhës totalitare social-realiste dhe atyre të periudhës orientale osmane prezente në qytetin e Prishtinës deri në ato momente. Duke cekur këto fenomene kontrastuese, ky studim realizon një analize cilësore tё formimit konceptual të arkitekturave dhe hapësirave urbane, evidentimi i transformimit të tyre, ashtu dhe të koncepteve të ndryshme arkitektonike të një standardi mjaft të lartë kompozicional.
Qëllimi i këtij studimi është të zbërthejë mjedisin me karakter publik të projektuar e të ndërtuar me tipare moderne dhe post-moderne. Ai është përqendruar sidomos në ndërhyrjet kyçe, derivate tё planeve studimore të arkitekteve të ndryshëm jugosllavë, përgjatë viteve shtatëdhjetë e tetëdhjetë. Sadiki ka merita duke qenë nga të parët që merret në mënyrë të koncentruar në një temë të tillë, duke e zbërthyer atë si nga ana historike e kronologjike, ashtu dhe nga ana urbane e arkitektonike.
Me kujdes Sadiki është thelluar në analizimin shumëplanësh mbështetur në të dhëna arkivore historike, statistikore, arkitektura të përafërta, të cilat bartin brenda tyre ngjashmëri hipotetike të ndryshme hapësinore funksionale, por edhe të elementëve urbanë e arkitektonik, me ato që janë ndërtuar në Prishtinë. Ato arrijnë fare mirë të na ngacmojnë imagjinatën mbi zhvillimin progresiv që këto pjesë organike të Prishtinës, të ndërtuara apo të pa ndërtuara, kanë pasur në kohë. Kuptohet qartë që synimi kryesor i Arbërit fokusohet në njohjen sa më thellë e saktë të kondicioneve urbane e arkitekturore të këtyre veprave, për të arritur sa më pranë që të jetë e mundur, zbërthime kërkimore të morfologjisë brutaliste arkitektonike e urbane. Kjo është e lidhur ngushtë edhe me studimin e të gjitha aspekteve kompozicionale, teknike, konstruktive të veprave ndërtimore dhe me studimin e sistemeve konstruktive apo me identifikimin e elementeve të veçantë arkitektonikë.
Fillimisht, puna paraprake është bazuar në një analizë të thelluar bibliografike përmes grupeve të mëdha tematike, të cilat lidhen me zhvillimin arkitektonik dhe urban në përgjithësi dhe të Prishtinës në veçanti. Më pas merren në konsideratë tiparet arkitekturore të disa tipologjive ndërtimore te veprave publike të periudhës totalitare. Për këto, Sadiki është përqendruar tek karakteristikat specifike të secilës tipologji të paraqitur, në përputhje me stadin aktual të njohurive dhe studimeve për këto ndërtesa duke i kombinuar me mundësitë e dhëna për hulumtime të drejtpërdrejta në terren.
Autori është përpjekur të lidh në mënyrë sa më organike rrjedhën e mendimeve duke ndjekur vazhdën kronologjike ose analitike për çdo kapitull. Ka një bibliografi të gjerë, të përshtatshme për temën duke treguar kapacitetin dhe seriozitetin e kandidatit.
Bazuar në këto argumente, mendoj që kemi të bëjmë me një publikim me përmbajtje të mirëfilltë kërkimore dhe vlera shkencore, jo vetëm për të dhënat e shumta informative që ka sjellë por edhe për interpretimet bindëse, një kontribut personal me rëndësi të veçantë në kërkimet për studimin e veprave të lartpërmendura në Prishtinë. Gjithsesi, personalisht shpresoj që ky kërkim, të mund të pasohet me studime të tjera nga autori, duke e thelluar akoma në shumë aspekte punën kërkimore edhe në pjesë të tjera të qytetit, akoma incognito.