Një përshkrim i shkrurtër rreth jush, ku punoni, sa vite eksperiencë keni si dhe fushën tuaj të ekspertizës:
Kam përfunduar Fakultetin e Inxhinerisë së Ndërtimit pranë UT (sot UPT), në profilin arkitekturë dhe ndërtim në vitin 1969 me diplomë të shkëlqyer. Në fillimet e karrierës time kam punuar pranë ndërmarrjes së ndërtimit Lushnje si inxhiniere dhe kryeinxhiniere deri në vitin 1974. Më pas, kam punuar pranë universitetit të Tiranës nga viti 1974 deri në 1992 si pedagoge e lëndeve: Teknologji Ndërtimi, Histori Arkitekture dhe Qyteti. Përveç mësimdhënies, kam zhvilluar edhe kurse leksionesh për Historinë e Arkitekturës Shqiptare në Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Stokholmit, Universitetin e Marburgut dhe Universitetin Teknik të Vjenës. Profesionin e kam ushtruar dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, ku kam punuar si arkitekte dhe inxhiniere në Liban dhe në Kongo. Kam marr gradën shkencore Doktor dhe titullin Docent dhe punoj sot pranë Universitetit POLIS prej 15 vitesh që nga themelimi i tij.
Për më shumë se 50 vjet, jam përfshirë në projekte arkitektonike të ndryshme dhe kam ideuar koncepte inovatore si eksperte, mbi edukimin e arkitekturës për këdo. Përpos projekteve të shumta, kam botuar monografi dhe tekste universitare. Disa prej të cilave janë: "Të projektosh për të jetuar" - projektueset 1945-1990, "Mëso Historinë e Arkitekturës dhe Qytetit duke Luajtur", "ArchiGames - Learn Architecture by Playing". Gjatë eksperiencës time profesionale kam marr pjesë në kongrese, konferenca, sympoziume ndërkombëtare dhe kombëtare.
Pse keni zgjedhur arkitekturën? Cila ka qenë shkëndija që ju drejtoi drejt këtij profesioni?
Gjatë studimeve në shkollën e mesme, duke soditur bregdetin e bukur të Vlorës, me lindi ideja se si mundet të kthehet ky në një qytet turistik të mirë organizuar. Këtë ide e zhvillova duke vëzhguar, lexuar literaturë mbi arkitekturën si dhe romane, libra artistik që bënin përshkrime në këtë drejtim të tilla si Katedralja e Parisit.
Si e mendoni ju arkitekturën dhe cili është projekti juaj i cili ju përfaqëson më së miri?
Arkitekturën e mendoj si një sferë të veprimtarisë shoqërore që kërkon njerëz me aftësi të gjithanëshme. Me pasion për të studiuar dhe projektuar. Mjafton t’ju kujtoj fjalët e rilindasit Leon Batista Alberti që thotë se "Arkitekti duhet të njohi mirë shkencat humane dhe ato kurioze" (këtu autori ka parasysh shkencat ekzakte). Përsa i përket punëve të mia, kam projekte të shumta veçanërisht në organizimin e interiereve, shtëpi banimi, komplekse sportive dhe rekreative si "Blur", sot zyrat e Euronews.
Çfarë këshille do i jepje vetes tënde në fillim të karrierës, e vlefshme edhe për arkitektet e reja ose ato vajza/gra që duan të bëhen arkitekte?
"Të kesh rezultate në një fushë të caktuar duhet ta dashurosh atë."
Disa nga librat e botuara: