Një përshkrim i shkrurtër rreth jush, ku punoni, sa vite eksperiencë keni si dhe fushën tuaj të ekspertizës:
Aktiviteti im 40 vjeçar në marrëdhënie me punën shtetërore fillon që prej vitit 1971, vit në të cilin unë u diplomova në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Degën e Arkitekturës - ndër të diplomuarit e parë në këtë degë në Shqipëri. Emërimi im i parë është bërë në tetor të vitit 1971 në Institutin Shtetëror të Projektimeve, në Sektorin e Urbanistikës. Puna në këtë sektor ka vazhduar pa asnjë ndërprerje deri në vitin 1990, kur me vendim të Ministrisë së Ndërtimit u emërova kryespecialiste në Drejtorinë Teknike të Ministrisë së Ndërtimit. Gjatë kësaj kohe, paralelisht, kam punuar si autore dhe bashkautore në shumë projekte e studime të Planeve rregulluese të qyteteve dhe fshatrave në vendin tonë.
Në fushën e legjislacionit, puna ime ka konsistuar në përgatitjen e Ligjit të Urbanistikës (Dekreti i Urbanistikës i vitit 1978) dhe ripunimi i tij i vitit 1983 dhe rregullorja e urbanistikës në zbatim të këtij Dekreti. Puna me legjislacionin e urbanistikës është ndërthurur dhe me punë të tjera studimore, dhe gjatë kësaj periudhe (1971-1990) kam patur dhe një aktivitet të ngjeshur të punës studimore në fushën e urbanistikës.
Si rezultat i angazhimeve të mia serioze, pasionante dhe me rezultate pozitive në projektimin urbanistik, më është bërë dhe vlerësimi nga organi më i lartë i ekzekutivit shqiptar, Këshillit të Ministrave, duke më akorduar dhe çmimin e Republikës, datë 22.11.1979 me motivacionin “Për punë të talentuar krijuese në fushën e urbanistikës dhe, veçanërisht, për studimin dhe zgjidhjen e arritur të qendrës së Vlorës”.
Kjo periudhë e ngjeshur me punë studimore e projektuese vazhdoi deri në ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, kohë e cila u kalua me punësimin tim në “Ministrinë e Ndërtimit”, me kërkesë të asaj Ministrie në fillim të viteve 90’. Përvoja e gjatë e punës studimore projektuese, e kombinuar me kërkesat e punës administrative në nivelin më të lartë në planifikimin e territorit, më dhanë mundësinë që t’i përgjigjesha me cilësi gjithnjë në rritje detyrave të ngarkuara në ministri, ku punova pa ndërprerje nga viti 1990 deri në vitin 2005.
Ndër aktivitet kryesore profesionale ka qenë impenjimi për perfeksionimin e legjislacionit të Urbanistikës dhe si rezultat i kësaj, kam qënë e përfshirë në hartimin e ligjit “Për Urbanistikën” nr.7693, datë 06.04.1993 dhe Rregullores së Urbanistikës miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.722, datë 19.11.1998.
Mund të them pa mburrje se personalisht jam e vetmja ndër ekspertët shqiptarë që një pjesë të mirë të kohës së punës si profesioniste, e kam përdorur në përpunimin e legjislacionit të urbanistikës në vendin tonë. Duke qenë kjo baza e punës në Ministri, impenjimet e tjera zyrtare ishin pa dyshim të suksesshme, dhe si rrjedhojë puna ime jo vetëm u bë e dukshme, por dhe e domosdoshme dhe e vlerësuar pozitivisht. Si rezultat i kësaj situate të vlerësuar, në Janar të vitit 1997 u emërova Drejtore e Drejtorisë së Planifikimit të Territorit, miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.28, datë 24.01.1997.
Një mundësi shumë e mirë për të mësuar nga eksperienca Europiane në Planifikimin Hapësinor ka qenë dhe pjesëmarrja ime në Komitetin e Zyrtarëve të Lartë të Konferencës Europiane të Ministrave Përgjegjës për Planifikimin Hapsinor Rajonal, pranë Këshillit të Europës në Strasburg-Francë për periudhën 1997-2005.
Po gjatë punës time në Ministri, më është dhënë rasti që të përfitoj edhe nga specializime profesionale në vende të tjera si p.sh. specializimi në Itali, në Izrael. Gjithashtu të dobishme kanë qenë dhe tour-et studimore në SHBA –Wiskonsin (1998), në Land Tenure Center dhe study-tour në Francë (2003), në zonën turistike bregdetare në jug të Francës, në kuadrin e projektit MEDWETCOAST.
Mbas largimit nga MPPT për shkak të mbushjes së moshës së pensionit, vazhdova punë dhe u emërova Nëndrejtore në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike (ISPU), ku vazhdova të punoj që prej nëntorit të 2005 deri në korrik 2007. Pas kësaj periudhe, me kërkesë të Drejtorisë Qëndrore të ALUIZNI-it, vazhdova punën në këtë Drejtori si “Përgjegjese e sektorit të urbanizimit”, nga Korrik 2007 deri në Korrik 2010, kohë kur dola në pension.
Shkëputja përfundimtare nga puna shtetërore, pa ndërprerje për periudhën 1971-2010, dhe dalja në pension zyrtarisht, ka qenë shumë e vështirë. Pasioni për punën vazhdon dhe unë mundohem të grumbulloj dhe sistemoj përvojën time në dobi të brezave më të rinj, ku një vend të veçantë zë vajza ime, Iris Papa, po ashtu e diplomuar Arkitekte në Universitetin e Tiranës, që prej vitit 2010. Mbas vitit 2010, jam angazhuar në disa punë studimore, të cilat kanë qenë aktuale dhe janë vlerësuar pozitivisht nga organet kompetente.
Pse keni zgjedhur arkitekturën? Cila ka qenë shkëndija që ju drejtoi drejt këtij profesioni?
Duke qënë një degë e re në Fakultetin e Inxhinierisë, e hapur për herë të parë në vendin tonë, ishte një dëshirë dhe kuriozitet për të provuar aftësitë krijuese, të cilat i ndjeja se i kisha. Prirjet e mia në arte më jepnin sigurinë e hapit që ndërmora për të konkuruar në degën e arkitekturës, që rezultoi e suksesshme.
Origjina ime tiranse autoktone, lidhjet e forta me traditën e qytetit tim, dëshira për ta parë edhe më bukur, më ndihmuan për të hedhur hapat drejt një fushe të panjohur.
Si e mendoni ju arkitekturën dhe cili është projekti juaj i cili ju përfaqëson më së miri?
Arkitektura është një simbiozë e bukur e artit, e të krijuarit me shkencat teknike. Gjithashtu, ajo është pjesë e rëndësishme e planifikimit urban. Duke qenë se kur unë fillova studimet dhe në vazhdim, në praktikën e punës në ISP Nr.1, këto funksiononin së bashku dhe menaxhoheshin nga shteti, dhe rrjedhimisht unë punoja në këto dy fusha, ku më ngarkuan paralelisht edhe në disa projekte arkitektonike. Nevojat e kohës në fushën e planifikimt urban ishin shumë të mëdha dhe urgjente, për pasojë u ngarkova në mjaft projekte urbane në të gjithë vendin. Kryesisht dhe më të arrirat janë pjesëmarrja në projektet e planeve rregulluese të Tiranës, Burrelit, Prrenjasit, Vorës etj. dhe më vonë planet rajonale të komunës Dajt, Bërzhitë, Pezë, Ndroq, plani rajonal Barbullojë, Talë, Fushë Kuqe, Zejmen në Qarkun e Lezhës.
Një vend të rëndësishëm në krijimtarinë time si arkitekte e urbaniste zë dhe puna në fushën e legjislacionit urban, që fillon nga viti 1975 deri në vitin 2005 pa ndërpreje, duke u përmbyllur me Ligjin 8405 për Urbanistikën, miratuar nga Kuvendi në vitin 2005.
Çfarë këshille do i jepje vetes tënde në fillim të karrierës, e vlefshme edhe për arkitektet e reja ose ato vajza/gra që duan të bëhen arkitekte?
Për arkitektet e reja do të këshilloja të mos ngurojnë të provojnë dhe eksperimentojnë me mundësitë që kanë tani me teknologjinë e kohës, por pa hequr asnjëherë dorë nga skicimi e vizatimi ‘a mano’, si e vetmja mundësi e shprehjes origjinale vetjake e fantazisë krijuese. Skicimi dhe vizatimi vetjak, në vija të përgjithshme të konceptimit të një projekti, është jo vetëm garanci e suksesit, por edhe e vetmja mënyrë që çdo person kontrollon dhe beson se është në gjendje të krijojë arkitekturë.
Eksperienca të veçanta:
Eksperienca të veçanta:
Instrumenti i Përgjithshëm Vendor i Komunës Dajt është hartuar në një moment kyç kur Ligji i Urbanistikës ishte zëvendësuar nga Ligji Nr.10 119, datë 23.4.2009 ‘Për Planifikimin e Territorit’, bëhet fjalë për vitin 2013. Integrimi i koncepteve të reja të ligjit ‘Për planifikimin e Territorit’ ishte sfidë për kohën kur u punua ky plan. Kënaqesi më dha gjithashtu bashkëpunimi në këtë studim me vajzën time Iris, dhe dy mikeshat e saj arkitekte, të cilat digjitalizuan këtë studim. Pra, mund të them që ky plan ishte një bashkëpunim i suksesshëm i dy brezave, i cili u finalizua me miratimin e tij në Këshillin Kombëtar të Territorit me Vendim nr. 18, datë 04.07.2013.