Një përshkrim i shkurtër rreth jush, ku punoni, sa vite eksperiencë keni si dhe fushën tuaj të ekspertizës:
Loreta Çapeli është arkitekte dhe pedagoge në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universiteti Politeknik i Tiranës. Ajo ka përfunduar studimet në 1991 dhe prej 1996 është lektore e historisë së arkitekturës botërore dhe shqiptare në FAU, Albanian University, Metropolitan University. Ajo zotëron Master Shkencor në Arkitekturë, Master të Nivelit të 2-të në Restaurimin dhe Dokumentimin e Monumenteve të Kulturës dhe doktoraturë në Studimin arkitektonik të Apollonisë dhe rindërtimin virtual të Qytetit Antik. Fushat e saj kryesore të hulumtimit janë Historia e Arkitekturës, si ajo e Botërore dhe ajo Shqiptare, gjithashtu kritikat dhe analizat arkitektonike të tipologjive të ndërtuara, rivlerësimi dhe restaurimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore. Në veprimtarinë e saj didaktike dhe shkencore ajo numëron studime dhe kualifikime shkencore në Francë dhe Itali, pjesëmarrje në konferenca dhe seminare kombëtare / ndërkombëtare, botime dhe në projekte shkencore ndëruniversitare.
Pse keni zgjedhur arkitekturën? Cila ka qenë shkëndija që ju drejtoi drejt këtij profesioni?
Më tepër se një shkëndijë, arkitektura u afrua tek unë si një vegim, një vegim nga ato që të afrohen ngadalë, të lënë kohë ti kuptosh e më pas ravijëzohen në një figurë njerëzore: i gjatë, elegant e gjithmonë me një kostum të errët, me fytyrë të mprehtë e sytë blu ku lexohej thellësia e mendimit të një personazhi të plotësuar në të gjithë parametrat njerëzore. Kolevica kish qenë gjithmonë prezent në gëzimet familjare. Prej tij mbaj mend ëmbëlsinë dhe qetësinë e zërit në bisedat e shtruara me prindërit e mi, biseda ku nuk dëgjova kurrë të flitej për arkitekturën, argumentin e ndaluar, i cili në shpirtin e tij, i strukur në një kënd në kohën kur e patën dënuar, nuk guxonte të dilte as në biseda familjare. Si fëmijë sdija asgjë për profesionin e tij, por vetëm dëgjoja time më që pasi i përcillte pohonte “sa i mirë është ky Petraqi”. Ky ishte vegimi i ravijëzuar në një njeri, ky ishte vegimi që mori emrin arkitekt, kur e rritur, në vitin e fundit të gjimnazit, pas propozimit që të mund të aplikoja për arkitekturë, dhe pyetjes se “ç’bën një arkitekt?”, mora përgjigje se: “arkitekt është dhe xhaxhi Petraqi”. Dhe për mua arkitekt e arkitekturë u ravijëzuan në figurën e tij. Kisha pikturuar dhe vizatuar gjithmonë si fëmijë, kisha pasion vizatimin teknik me ushtrimet që gjithmonë i zgjidhja më dëshirë e shpejtësi edhe për time motër, por atëherë kuptova se kjo dhunti e imja mund të më çonte në të njëjtin drejtim me të, me të, të cilit nuk i njihja asnjë vepër, por që tek unë ishte ravijëzimi i perfeksionit pasionant. Koha e gjimnazit tim korrespondonte me kohën e ndërtimit të Pallatit të Kongreseve dhe Institutit të Informatikës, (sot INIMA), objekte që i shihja nga dritarja e shtëpisë. Aty kisha parë me ëndje çdo gjë, që nga fazat e para të ndërtimit e deri te veshjet e habitshme me pllaka, që në atë kohë kapeshin me ganxha metalike për t’u distancuar nga muri duke imituar një fasadë të ventiluar të ditëve tona. Detaje të tilla u kthyen tek unë në shembullin e asaj që do të thoshte arkitekturë, por më pas kuptova se arkitektura do të ishte shumë më shumë se aq.
Si e mendoni ju arkitekturën dhe cili është projekti juaj i cili ju përfaqëson më së miri?
Për mua arkitektura është një ravijëzim i shpirtit njerëzor të arkitektit. Dhe ky arkitekt nëse jeton në një shoqëri prosperoze, humane, të paqtë e me bonsens, do ta reflektojë në projektet e tij gjithçka nëpërmjet delikatesës së të shprehurit, ndjeshmërisë e butësisë së formave e materialeve, lartësive të proporcionuara drejt në lidhje me vendin ku ndërton, por edhe në lidhje, në rradhë të parë, me njeriun për të cilin ndërton. Kështu e mendoj unë arkitekturën, një ndërhyrje të lehtë e të proporcionuar, jo prepotente e imponuese, jo dhunuese e të ashper, e cila të të bëjë të ndjehesh pjesë e saj kur e shikon, e të të bëjë të ndjehesh e respektuar kur e percepton. Me këtë nuk mund të them se mohoj format e larta, imponuese e sfiduese të arkitekturës. Ato jane sfida që çdo arkitekt dëshiron t’ja vendosë vetes, por nëse ato do të bëheshin në mungesë të respektit të sitit ku ndërton apo dhe qoftë në interiere, të personit për të cilin ndërton, ato do të humbisnin koherencën kontekstuale e do të stononin duke u kthyer jo në një krijim, por në një qëllim në vetvete të arkitektit. Perceptuat besoj që me këtë po shpreh opinionin tim si kritike e arkitekturës por dhe si perceptuese e thjeshtë e saj, një opinion që sdo ngurroja ta cilësoja si një indinjatë të lidhur me shumë ndërhyrje në disa qytete tonat sot, e në Tiranë mbi të gjitha. Në vende si sheshet e mirë formuar në dekada apo blloqe banimi të studiuar e proporcionuar në kohë, në respekt të të gjithë normave urbane përfillëse të jetës njerëzore në qytet, shoh të pavend objekte që kapercejnë deri në 5 herë apo më shumë lartësinë e ndërtesave ekzistuese duke u imponuar me imazhin e tyre dhunues. Është kjo mungesë e delikatesës në ndërhyrje apo dhe e respektit ndaj paraardhëses, që ravijëzon më së miri shoqërinë konfliktuale, të ngarkuar me kontradikta e mërira në të cilën po jetojmë. Dhe kjo është Arkitektura. Ajo është ravijëzim i shoqërisë që e prodhon. Në rrugën time si arkitekte i jam përkushtuar më shumë analizës dhe kritikes arkitektonike, duke devijuar dukshëm në një historiane e teoriciene të arkitekturës. Librin e parë mbi arkitekturën, sapo fillova studimet, në atë kohë kur asgjë nga literatura botërore nuk gjehej në libraritë tona, ma ka huazuar ark. Kolevica. Një libër mbi arkitekturën moderne te shekullit të XX, në një format të madh plot foto e komente të vepravë të arkitektëve të mëdhenj botërorë, do të ishte si një ogur i mirë për rrugën që karriera ime do të merrte, atë të një historiane e kritike te arkitekturës. Projekti im është analitik, ai kërkon të analizojë, të kuptojë, të perceptojë e të reflektojë mbi arkitëkturën, mbi rrugën e teorinë arkitektonike që ndjek arkitekti nga skicat e para mbi letër, deri tek projekti i plotë. Të analizosh e të reflektosh në këtë aspekt, të ndihmon të kuptosh shumë nga gjithë procesi projektiv që qëndron pas një vepre të bukur arkitektonike. Të shkruaj e ravijëzoj këtë rrugëtim për mua tashmë është kthyer në një pasion, por është khyer edhe në një mision që kam marrë përsipër ta përmbush duke e lënë edhe të shkruar. Një mision i lidhur me studentët e të rinjtë në arkitekturë, një mision që përmbushet për të ndihmuar arkitektët e rinj të lëxojnë përmes syve të mi, procesin projektiv të arkitektit, psenë e të bukurës së veprës së tij, me qëllim që të dinë kështu në të ardhmen, të ripërsërisin të njëjtat procese teorike e analitike, për të arritur në prodhime projektesh të bukur arkitektonikë. Ky është projekti që më përfaqëson më së miri.
Çfarë këshille do i jepje vetes tënde në fillim të karrierës, e vlefshme edhe për arkitektet e reja ose ato vajza/gra që duan të bëhen arkitekte?
Udhëto sa më shumë, shiko e vrojto sa më shumë arkitekturën e kupto procesin teorik e analitik që fshihet prapa saj. Ndalu para çdo vepre që intuitivisht të pëlqen dhe përpiqu të kuptosh pse ajo është e bukur. Kjo do të të bëjë të aftë të projektosh bukur edhe ti. Ndërkohë që vajzave, akoma më të ndjeshme ndaj të bukurës, do ti këshilloja të reflektojnë në arkitekturë butësinë e ndjeshmërinë femërore, intuitën e dashurinë që vetëm nje vajzë di të përcjellë. Të mos përpiqen të imitojnë arkitekturën e madhe të mjeshtrave kontemporanë, por të lexojnë thellë në shpirtin e tyre krijues për të gjetur atë që vetëm një femer mund të projektojë: delikatesën e lehtësinë formale.