Jam diplomuar si arkitekte ne vitin 2017. Ndonëse ende studente kam punuar pranë studiove të tjera, si dhe kam pasur mundësinë të bashkëpunoja me kolegë të tjerë. Me tu diplomuar, së bashku me kolegun dhe partnerin tim, vendosëm të themelonim “Tharm Architects”.
Ne donim që të zgjidhnim një emër që të përfaqësonte praktikën tonë. “Tharm”, për ata që nuk e dinë, do të thotë farë, thelb, gjenezë e diçkaje, ashtu si tharmi i bukës, që duke filluar që nga molekulat e vogla vjen duke u rritur. Filozofia e studios është të gjejmë esencën në çdo detyrë projektimi, duke dhënë zgjidhje sa më inovatore dhe krijuese. Projektet tona variojnë në objekte me madhësi të vogël dhe mesatare, si në eksteriere ashtu dhe në interiere. Nëse do veçoja një tipologji që më pëlqen më së shumti, do të thoja vila njëfamiljare, pasi më jep mundësinë që ta trajtoj një objekt të vetëm si nga ana e jashtme, ashtu dhe e brendshme, duke menduar deri në detajet më të imta.
Fillimisht dua të përmend faktin se mamaja ime me profesion piktore, ka ndikuar thellësisht në jetën time. E rrethuar nga arti, isha e predispozuar për një drejtim artistik, por më pëlqente edhe të kisha një profesion që të arrinte të materializonte botën time të brendshme. Arkitektura është në të vërtetë një disiplinë shkencore, e udhëhequr sa nga racionalja ashtu dhe sensi estetik. Ato përgjigje që mua arti thjesht nuk mund të m’i jepte të mirëfillta, arkitektura ka gjithmonë një pse dhe një arsyetim logjik, edhe në rastin kur në krijimtari përfshihet ndjenja.
Arkitektura është një aspekt shumë i rëndësishëm që i jep formë shoqërive tona. Mënyra se si ne projektojmë ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë dhe mënyrën e organizimit të jetesës. Për mua arkitektura duhet të tregojë koherencë në stil dhe mënyrë ndërtimi, t’i përgjigjet kërkesave njerëzore dhe të ketë vlerë në çdo kohë.
Projekti që më përfaqëson më shumë është “Shtëpitë mbi pemë”, mbase për nga thjeshtësia e tij. Është një projekt jo egoist, që përpiqet të integrohet në natyrë, pa dashur që ta konkurrojë atë, por duke ndërhyrë sa më pak të jetë e mundur.
Do t’u thoja asnjëherë mos e mendoni veten më pak se të tjerët.
Mos thoni që disa gjëra t’i nuk mund t’i bëni dot, sepse janë përtej kapacitetit tuaj. Ne i vendosim vetë limite vetes, e sidomos vajzat/gratë. Gjithmonë e më shumë vajza po zgjedhin arkitekturën, e mund të them që nuk mund të konsiderohet më një profesion ekskluzivisht i burrave.
Janë shumë që më frymëzojnë, për arsye të ndryshme. Por do të veçoja Zumthor. Gjej shumë pika të përbashkëta me filozofinë e tij për arkitekturën. Mënyra sesi një ndërtesë përfaqëson vetveten, trajtimi i materialitetit, thjeshtësia dhe eleganca e ndërhyrjeve.