Një përshkrim i shkrurtër rreth jush, ku punoni, sa vite eksperiencë keni si dhe fushën tuaj të ekspertizës:
Anila Kokona Alite është arkitekte dhe urbaniste me një eksperiencë të gjatë akademike dhe pune në Shqipëri dhe jashtë saj. Ajo ka mbaruar studimet e larta në Universitetin Politeknik të Tiranës për arkitekturë dhe master në EALR, Francë për menaxhim territori. Pas një eksperience të gjatë si pedagoge në Departamentin e Arkitekturës dhe Urbanistikës ku është përfshirë në një sërë studimesh për problemet e fushës themeloi studion e projektimit, ideuar në vitin 2004 si një studio "full service", me ekspertizën dhe strukturën e duhur për gamën e plotë të shërbimeve kreative në fushën e ndërtimit, nga masterplanet, studimet urbanistike, tek arkitektura dhe interieret. Gjatë kësaj kohe, studio ka punuar dhe bashkëpunuar në mbi 100 projekte, prej të cilave është zhvilluar një ekspertizë më e profilizuar në komplekset rezidenciale dhe turistike të kontekstualizuara me kushtet lokale, trashëgiminë, por edhe aspiratat shoqërore të një vendi në ndryshim, duke mbrojtur dhe aktivizuar potencialet e konsiderueshme të tij.
Pse keni zgjedhur arkitekturën? Cila ka qenë shkëndija që ju drejtoi drejt këtij profesioni?
Zgjedhja e arkitekturës si profesion nuk ka pasur një shkëndijë, por ka qenë rezultat i një rrugëtimi të gjatë midis kuriozitetit dhe dëshirës për të njohur dhe kontribuar në drejtime të ndryshme, sociale, teknike dhe kreative. Dhe gjithnjë kam menduar se arkitektura e bën më së miri këtë sintezë. Në këtë kontekst, duke i konsideruar mundësitë dhe horizontet e pafundme të arkitekturës për ti dhënë formë krijimtarisë personale, por edhe botës fizike që na rrethon, arkitektura në vetvete nuk ishte kurrë për mua as pyetje, as dyzim.
Si e mendoni ju arkitekturën dhe cili është projekti juaj i cili ju përfaqëson më së miri?
Vështirë ...
Çfarë këshille do i jepje vetes tënde në fillim të karrierës, e vlefshme edhe për arkitektet e reja ose ato vajza/gra që duan të bëhen arkitekte?
Arkitektura është aq e gjerë dhe e komplikuar sa mësimi nuk mbaron. Mëso nga çdokush dhe çdogjë, por përcakto kur duhet ti referohesh një prurjeje të jashtme dhe kur duhet të besosh intuitën tënde. Të projektosh shpeshherë nënkupton një ekuilibër midis përuljes totale dhe individualizmit të pacënuar- ndaj nevojave të projektit, por edhe për duke ruajtur entuziazmin dhe vizionin gjatë rrugës.
Rreth projekteve:
-Long Hill Residence
Një nga projektet e para në zhvillimin e zonave suburbane, Long Hill Residence kristalizon një përvojë të gjerë dhe të thellë me shumë tipologji të ndryshme arkitekturore për të arritur një sintezë totale midis arkitekturës dhe natyrës, duke përdorur urbanistikën për të pajtuar këto dy njësi kontrastuese në një zgjidhje koherente. Kompleksi përball racionalitetin modern me një plan urbanistik në dukje kaotik dhe spontan, por realisht thellësisht të informuar nga terreni dhe vecoritë natyrore të kodrave të Tiranës, duke i lëvruar në mënyrë efikase terrenet e pjerrëta me një frymë kontmporane, por kurrëherë monotone.
-Godina Qendrore e Bankës Credins
Projekti i Godinës Qendrore të Bankës Credins harmonizon të njëjtën gjuhë vizuale projektimi midis eksterierit dhe interierit, duke i pershtatur gjuhën gjeometrike të një fasade monolitike me zgjidhjen funksionale dhe programatike të një hapësire me kërkesa shumë specifike. Në këtë mënyrë, arkitektura e Bankes Credins sintetizon një gjuhë të qartë vizuale dhe të brandimit të vetë institucionit me hapësira funksionale që reflektojnë nevojat bashkëkohore të punës së institucioneve financiare.