Në korrik 2008 u diplomova në Arkitekturë pranë Departamentit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Universiteti Politeknik i Tiranës. Në janar 2009 iu bashkova stafit akademik të të njëjtit fakultet ku përfundova studimet. Prej shtatorit 2020 jam në pozicionin e Zv. Dekanit pranë Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universiteti Politeknik i Tiranës.
Aktualisht jam kandidate për gradën "Doktor i Shkencave në Arkitekturë" me temën “Përmirësimi i komforti termik në mjedisin e ndërtuar duke u fokusuar në shëtitoret bregdetare me klimë mesdhetare”. Eksperienca profesionale prej rreth 14 viteve përfshin një gamë të gjerë projektesh në fushën e projektimit arkitektonik, interierit, projektimit urban dhe peisazhit. Prej janarit të vitit 2017, së bashku me shoqen time të ngushtë Antonela Saliaj, themeluam studion “ASArchitects Sh.p.k”, edhe pse bashkëpunimi ynë kishte nisur në vitin 2013. Antonela më dha mundësinë të zhvillohesha profesionalisht edhe në tregun ndërkombëtar.
Në periudhën 2010-2012 kam qenë anëtare e American Institute of Architects (AIA), Monterey Bay, California. Në 2016, iu bashkova Shoqatës së Arkitektëve Shqiptarë duke mbajtur pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm ndërsa prej muajit korrik 2021 jam anëtare e bordit drejtues. Në 2019 dhe deri tani jam anëtare e SHARE Architects Forum dhe Balkan Architecture Forum.
Fragment, Shkolla Lasgush Poradeci
Në gjimnaz më tërhiqte shumë procesi i të ndërtuarit, objektet e larta dhe veprat inxhinierike sidomos urat. Isha në dilemë midis inxhinierisë së ndërtimit dhe arkitekturës, dhe konkurova për këto dy degë. Vendimi erdhi gjatë ndjekjes së një emisioni në TV për hotelin Burj Al Arab në Dubai, i cili ishte në formën e Velës dhe po ndërtohej në det. Dhe kështu nga të dy degët fituese zgjodha Arkitekturën. Profesori im i ndjerë Gavril Priftuli, i cili më ka përgatitur drejt këtij profesioni thonte “Arkitektura është art, shkencë dhe teknikë”. Dhe me të vërtetë, ajo përfshin shumë disiplina.
Kopshti Sunny Hill
Arkitekturën e mendoj si një profesion, i cili të jep kënaqësi të pafundme. Të jep mundësi të shohësh dhe të prekësh, të përjetosh konceptet që zhvillohen në mendjen e njeriut.
Çdo projekt në arkitekturë është një ekuacion me shumë të panjohura të cilat, duhet ti zgjidhësh të gjitha së bashku. Projekti im që më përfaqëson më shumë, do të thoja është pa diskutim projekti i diplomës (Akuarium dhe muze në det) sepse është plotësisht i pa ndikuar nga ndërtuesi, investitori dhe nuk ka asnjë kufizim në zhvillim. Por sot, do të cilësoja dy projekte të studios ASArchitects ku së bashku me shoqen time të ngushtë dhe partneren Antonela Saliaj si dhe me ekipin tonë punuam me shumë pasion projektin e Shkollës Lasgush Poradeci dhe Kopshtit Sunny Hill, të cilat u nërtuan në Tiranë në vitin 2021.
Këshilla më e mirë që i jap vetes gjithmonë::
Kërko, lexo sepse çdo ide në arkitekturë është e mundur të realizohet
Ndërsa brezit të ri që zgjedhin profesionin e arkitektit do ti thoja se pasioni dhe durimi janë shokët më të ngushtë në këtë rrugëtim kaq të lodhshëm, por të bukur
Frymëzimi im i hershëm ka qenë dhe mbetet gjithmonë Santiago Calatrava.