nga Matilda Qesja
Në një kryqëzim rrugësh mes arkitekturës dhe ligjit zënë vend të drejtat e autorit, si një koncept i mirë definuar dhe i rregulluar në mënyrë të posaçme nga e drejta e pronësisë intelektuale. Në këtë artikull do të hulumtojmë mes veprimtarisë krijuese të një arkitekti dhe ndërveprimit të saj me çështje të së drejtës.
Pikëprerja mes tyre konceptohet si vendosje e kreatives, në kornizën e procedurës, me qëllim mbrojtjen e përmbajtjes së saj. Ligji, duke definuar konceptet, identifikon atë pjesë të krijimtarisë së arkitektit që është subjekt i mbrojtjes së tij. Përmes rregullimeve të posaçme ligjore garantohet disponimi i lirë dhe pacënueshmërinë e të drejtave të lidhura me veprimtarinë krijuese, patjetërsueshmërinë e të drejtës së autorit, si edhe përfitueshmërinë në kuptimin e të drejtave ekonomike të lidhura me të. Në këtë mënyrë bashkohen pjesët e kornizës së mbrojtjes së krijimtarisë nga e drejta.
Punimi ndalet dhe në aspekte të tjera të bashkautorësisë apo shtrirjes së punimeve të arkitekturës përtej kufijve, si në aspektin e shtetësisë së autorit ashtu dhe në vendosjen territoriale të tyre. Secili prej aspekteve fillestare të parashtruara më lart do të gjej një trajtim më të dedikuar në vijim.
Ligji 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejta të tjera të lidhura me to” (në vijim do të referohet si “Ligji”) parashikon se autorët e veprave arkitektonike, të ndërtuara në territorin e Republikës së Shqipërisë gëzojnë mbrojtje të veprimtarisë së tyre krijuese, si edhe të të drejtave të tjera ekonomike të lidhura me të. Të drejtën që buron nga veprimtaria krijuese, arkitekti e gëzon, si në rastin kur është shtetas shqiptar ashtu edhe kur është rezident në vendin tonë, apo kur ka shfaqur veprën intelektuale në territorin shqiptar.
Veprimtaria krijuese e arkitektit, në kuptimin e së drejtës së autorit, përfshin vizatimet, planet, skicat në shkallë të zvogëluar dhe krijimet grafike në projektet arkitektonike.
Ligji parashikon se f) veprat e arteve të aplikuara, duke përjashtuar ato vepra, si dizajne industriale që mbrohen nga ligji “Për pronësinë industriale”; g) krijimet tredimensionale, ilustrimet, listat, hartat dhe vizatimet në fushën e topografisë, gjeografisë dhe shkencës në përgjithësi; gj) krijimet hartografike1; krahas të mësipërmeve edhe veprat e prejardhura të arkitekturës janë krijime intelektuale të autorit, i cili përmes transformimit, rimodelimit ose përshtatjes së veprave ekzistuese krijon vepra të reja, të cilat janë produkt i përpjekjeve të tij, duke vënë në zbatim njohuri dhe aftësi të posaçme. Të drejtat e autorit të veprave të prejardhura mbrohen në mënyrë të pavarur nga ato të autorit të së drejtave origjinale/ veprës ekzistuese, por në asnjë rast e drejta e arkitektit i cili ka ripunuar, duke e transformuar dhe përshtatur një vepër të mëparshme nuk interpretohet në dëm të autorit të veprës ekzistuese.
Të drejtat e autorit për nga natyra i përkasin personit fizik, krijuesit të tyre, por mbajtës i të drejtave të tjera të lidhura me to mund të jenë persona fizikë ose juridikë të ndryshëm nga autori, të cilët kanë porositur realizimin e një vepre arkitektonike, ose përmes një marrëveshje të posaçme dhe kundrejt një shpërblimi të drejtë kanë rënë dakord me autorin për transferimin e të drejtave që rrjedhin prej saj. Me vlerë për të sjellë në vëmendje është fakti, se të drejtat e autorit në përgjithësi dhe ato të veprave arkitektonike, të cilat po trajtohen në mënyrë të posaçme në këtë artikull, nuk mund të kufizohen përveçse me vullnetin e autorit dhe në përputhje me rregullimet ligjore, duke ruajtur në çdo rast të drejtën e krijuesit për t’i përmendur autorësinë, duke e bërë të dukshme në çdo shfaqje të tyre publike, ashtu si në një pikture, libër, apo produkte të tjera, objekt i së drejtës së pronësisë intelektuale. Përdoruesit e një vepre, e cila mbrohet në kuptim të Ligjit, janë të detyruar të shkruajnë dhe të përmendin emrin e autorit në çdo kopje ose përdorim të veprës, me përjashtim të rasteve kur autori deklaron në formë të shkruar se heq dorë nga e drejta për t’iu përmendur autorësia, në përputhje me natyrën e veprës dhe përdorimin e saj. E drejta e njohjes dhe përmendjes së autorësisë ekziston në mënyrë të pavarur nga e drejta pasurore e autorit, edhe pas transferimit të të drejtave ose tagrave të veçantë të saj dhe nuk kufizohet prej transferimit të tyre.
Shpesh ndodh që një vepër arkitektonike të krijohet si rezultat i krijimtarisë dhe përpjekjeve/ angazhimit të përbashkët të disa autorëve dhe si e tillë bashkimi i tërësisë së përpjekjeve të përbashkëta, prej të cilave rezulton të krijohet një vepër e pandarë, do të konsiderohet bashkautorësi dhe prej saj do të derivojë një e drejtë e përbashkët. Kjo e drejtë ka si objekt të pandarë veprën e tyre të përbashkët dhe si e tillë mbrohet bashkërisht për autorët. Në këtë rast të drejtat e garantuara nga ligji i takojnë dhe zotërohen solidarisht nga bashkëautorët.
Veprat e arkitekturës gjejnë mbrojtje ligjore edhe në hapësirën e së drejtës ndërkombëtare, në rastet kur rrugëtimi i krijimeve kalon përtej juridiksionit territorial të shtetit shqiptar. Garantimi i një mbrojtje të barabartë të të drejtave të autorëve të huaj në territorin ku vepron ligji shqiptar i fushës, por dhe të autorëve vendas në juridiksione të tjera përmbushet përmes aderimit të Republikës së Shqipërisë në marrëveshje ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të autorit, duke garantuar në këtë kontekst pronën intelektuale të krijuesve, e cila ka një dimension që nuk kufizohet nga kufijtë territorialë të shteteve, por rrugëtimi i tyre përtej kufijve materializon shkëmbimin kulturor ndërmjet vendeve dhe përcjell frymën e kohës apo traditën e modeleve të mira të së shkuarës nga një territor në tjetrin, duke transmetuar vlera.
Në përfundim të këtij rrugëtimi, që nis me lindjen e veprës dhe bashkë me të dhe të së drejtës së autorit, gjejmë me vend të ndajmë për vëmendjen e autorëve veprave të arkitekturës, se e drejta e autorit mbi veprat e tyre, sipas ligjit, i lind me realizimin e krijimit, pa nevojën e asnjë regjistrimi të veprës ose formaliteteve të tjera. Megjithatë në kuadër të një përkujdesje të shtuar në aspektin e gëzimit të së drejtës, autorët mund të regjistrojnë vullnetarisht veprat e tyre në një regjistër të veçantë, i cili mbahet nga Drejtoria për të Drejtat e Autorit dhe ka efekt ligjor për sa kohë një vendim gjyqësor provon të kundërtën.
P.S. Ligji kur përkujdeset për krijimtarinë bëhet me frymëzues