Të dhëna mbi projektin
-
Studio
VARKA arkitekturë
-
Arkitekti
VARKA arkitekturë
-
Faqja e Arkitektit
-
Tipologjia
Hospitality Architecture, Interior Design
-
Statusi
Completed
-
Viti i ndërtimit
2021
-
Photography
Leonit Ibrahimi
-
Ekipi
Dorian Tytymçe
Florian Pollo
Rudina Kazazi
Suela Dyrmishi
Branka Kallogjeroviç
Isra Hyka
Amarildo Isufi
Përshkrimi
Vila Yamato është projekti i një restoranti me identitet dhe rrënjë japoneze, sjellë në zemër të urbanitetit të një qyteti mesdhetar si Tirana, rreth dhe brenda një ndërtese historike me historinë e saj të gjatë të tjetërsuar keq në 30 vitet e fundit. Ekuilibri i brishtë i komplementimit të dy kulturave e mentaliteteve kaq të largët, konceptualisht, u kthyen në sfidën kryesore të qasjes sonë!
Gjenerimi i konceptit nisi nga pyetjet që i bëmë vetes si: hapja apo mbyllja ndaj qytetit, shfaqja e menjëhershme apo eksplorimi i avashtë, vizualiteti gjithë-tregues apo gjysmë transparenca e përzgjedhur, e mirëkuruara apo sinqerteti i gjurmëve të kohes, dhe një shtrat filozofik kontekstual për atë kulturë fantastike mbi të cilin mbillet përjetimi unik atmosferik!
Ndërhyrja e zgjedhur në objektin e rikonstruktuar, në vend që të shtojë më tej, në fakt heq dhe e zhvesh atë nga gjithë shtresat e shtuara objektit njëra pas tjetrës në ciklet e ndryshme të jetës gjatë tranzicionit (shpesh të punuara jo mirë e pa shije), për ta kthyer në atë që në fakt objekti është në esencë, tektonika e elementeve përbëres me sinqeritetin thelbësor të historisë unike të ndërtimit të tij, me mjeshtërinë por edhe imperfeksionet e duarve të punëtorëve që e kanë ndërtuar atë përpara rreth 100 viteve. Me këtë vendim minimalist që nis nga jashtë dhe vijon me koherencë edhe brenda, njëkohësisht u arrit një prezencë fantastike e materialitetit natyral të drurit dhe terrakotës që jo vetëm lidhin objektin me tokën nga e cila kanë dalë këto materiale, por tregojnë dhe historinë e ndërtimit të tij pa komplekse, në sinqeritet tërësor dhe dinjitetin e vërtetësisë.
Japonezët kanë një filozofi shumë interesante në folklorin e tyre se si mendojnë rreth objekteve të vjetër dhe jo-të përkryer, apo qoftë të dëmtuar e thyer, dhe si i qasen atyre. Ata nuk tentojnë ta ribëjnë apo ta fshehin imperfeksionin, por përkundrazi mundohen më shumë kujdes dhe elegancë ta riparojnë me një material të çmuar që në fakt evidenton edhe më shumë në një mënyrë dinjitoze jetën e re të objektit dhe historisë së tij. Kjo praktikë brenda filozofisë së Wabi-Sabi quhet Kintsugi.
Wabi-sabi është filozofia japoneze që gjen të bukurën tek papërsosmëria, tek gjërat e paplota dhe të përkohshme. Bukuria jo-konvencionale në wabi-sabi ndodhet tek moshimi i hijshëm i materialit dhe historia që ai tregon në mënyrë autentike. Estetika e kësaj pikëpamje të botës shprehet nëpërmjet formave jo të rregullta e organike dhe të çmuarit të korrozionit natyral tek materialet natyror të papërpunuar. Wabi-sabi nuk ndjek hierarkinë konvencionale të vlerësimit të materialit, por vlerën e sheh tek evidentimi i historisë së përbrendësuar tek objekti, në brishtësinë dhe papërheshmërinë e tij. Në zemër të kësaj filozofie qëndron thjeshtësia dhe shprehja e së hijshmes nëpërmjet modestisë fisnike.
Vila Yamato fton për një eksperiencë eksluzive duke respektuar kontekstin e qytetit në menyrë selektive. Manteli rrethues i kopshtit si një erashkë perimetrale, frymëzuar nga marrëdhenia e ngushtë e kulturës japoneze me detin dhe interpretimi i tyre artistik ndër shekuj, ndan zërat e qytetit me heshtjen e përjetimit personal duke theksuar brendësinë dhe intimitetin e ketij ceremoniali. Kornizimi i qëllimshëm i të bukurës dhe natyrales i lë vendin hijeshisë nëpërmjet modestisë fisnike të materialit. Thyerja dhe ndreqja janë pjesë e çmuar e jetës, pjesë e historisë unike të një personi apo objekti të cilat shtojnë vërtetësisht dinjitetin e tij.
Vendndodhja
Rruga Papa Gjon Pali Ii 2, 1000 Tirana, Albania