Të dhëna mbi projektin
-
Studio
LAAGO Architects
-
Faqja e Studio
-
Arkitekti
Larisa Agovi
-
Tipologjia
Interior Design
-
Statusi
Completed
-
Viti i ndërtimit
2022
-
Photography
Andi Allko
Përshkrimi
Nuk është e zakontë në vendin tonë që arkitektët të marrin kërkesa të tilla për realizimin e një showroomi që pasqyron në çdo detaj filozofinë e një jetese të mirë pa kompromise.
Vanto është një projekt, i cili i dedikohet produkteve elektroshtëpiake të një cilësie dhe dizajni elitar, ndaj që në detyrën e projektimit, pritshmëritë ishin për realizimin e një eksperience krejtësisht ndryshe dhe jo të jetuar më parë. Në përfundim, duhet të krijonim një showroom eksperiencal, ku çdo pajisje mund të testohet nga ana funksionale. Ndaj një rëndësi të veçante, në këtë interier, i është dhënë një zone të dedikuar për degustim ushqimi dhe pijesh, duke mbështetur jetën e gjallë të showroomit.
Gjithashtu përmes ekspozimit të teknologjisë së brendshëme të pajisjeve, si një vitrinë muzeale objektesh arti, i jep mundësi çdo vizitori të informohet më shumë mbi teknologjinë që Vanto promovon me aq krenari.
Në koncept Vanto është e kundërta e një showroomi klasik me produkte të cilat të vendosura në rradhë identifikohen me vështirësi nga njëra tjetra, prandaj koncepti i projektit nis me zhvillimin planimetrik, i cili devijon nga skema klasike e një vitrine paralele me ekspozitorin e xhamit.
Planimetria dominohet nga një aks diagonal, i cili ndan vitrinën nga interieri në hapësira të cilat respektojnë shumë pak këndet e drejta. Ky aks diagonal përkthehet edhe në materialet e përzgjedhura për këtë projekt. Për trajtimin e dyshemesë, në zonën e vitrinës është përdorur rezinë me efekt mozaiku, baza e të cilit ka tonalitete të kuqërremtë, ndërsa pjesa tjetër është trajtuar me rezinë me efekt betoni.
Në krijimin e efektit skenik të hapësirave të mëdha, ka ndikuar dhe lartësia e konsiderueshme e hapësirës, e cila theksohet më tepër nga tavani industrial. Edhe pse të gjithë elementët e kondicionimit dhe të ndriçimit janë të ekspozuar, trajtimi i tavanit me tonalitete të lehta, e bën hapësirën të theksojë të gjithë lartësinë e saj.
Për të ekuilibruar minimalizmin dhe pastërtinë e materialeve, në zonat qendrore janë propozuar disa elementë që e bëjnë hapësirën me të ngrohtë dhe mikpritëse. Prania e basenit ujor, forma organike dhe fluide e tavolinës së takimeve të shpejta, prania e gjelbërimit të integruar në interier, ekuilibrojnë thjeshtësinë që vihet re në blloqet e pastra të propozuara në perimetër.
Qëllimi i këtij projekti është në krijimin e hapësirave të cilat janë në funksion të plotë të produktit të reklamuar, duke nxjerrë në pah të gjitha karakteristikat e tij. Kjo është bërë duke mos e vendosur produktin në një kuzhinë apo lavanderi klasike, por në një hapësirë të kuruar me minimalizëm si një skenë ose vitrinë që ekspozon një “vepër arti”.
Vanto përurohet këtë shtator, më datë 29, në një festë ku janë të ftuar veçanërisht arkitektë, sipërmarrës dhe dashamirës.
Një eksperiencë e re nis këtu, tani!
Vendndodhja
Tirana, Albania