Të dhëna mbi projektin
-
Studio
Avatelier
-
Faqja e Studio
-
Arkitekti
Lead . Armand Vokshi
-
Tipologjia
Residential Architecture
-
Statusi
Completed
-
Viti i ndërtimit
2021
-
Sipërfaqja
480 m2
-
Kate
2
-
Photography
Evisa Karaj
-
Ekipi
Jani Toçi, Soni Oka, Kristiana Aliaj, Ertgrela Omeri, Sabina Ramaj
Përshkrimi
METAMORFOZA E VILËS ANA
Vila Ana ka pësuar një metamorfozë domethënëse trasformimi në kuptimin e plotë të fjalës. E pozicionuar në një moment perfekt buzë lumit Erzen, nga një shtëpi e ndërtuar nga një fshatar i zonës në mënyrë informale dhe pa një projekt arkitektonik, ajo shndërrohet në një prekje bashkëkohore të përmbajtur, ku estetika, forma dhe materiali ndërthuren dhe spikasin në pëlhurën suburbane rezidenciale përreth saj.
Projekti i ri rivlerësues realizohet duke u nisur nga marrëdhenia me dritën, e cila është edhe zemra e transformimit, pa prishur plotësisht ambientet ekzistuese si hapësira. Për t'i dhënë një sens ish pjesës së ahurit të kafshëve në katin përdhe, kjo hapësirë ekzistuese kthehet në ambientin e ndenjës, duke u trajtuar sipas konceptit ambientit të hapur, me sipërfaqe rreth 180m2. Ajo ka një hapje perfekte panoramike drejt lumit të Erzenit dhe peizazhit përreth. Meqenëse ky kat nga ana e jugut ishte i futur nëntokë, pikërisht aty krijohet një çarje e fortë gjatësore lineare, duke mundësuar gërshetimin me disa elementë në korrespondencë direkte me njëra tjetrën:
- futjen e dritës së jugut në formë zenitale duke krijuar loje dritëhijesh me elementët e fasadës,
- vendosjen e një vazo të gjatë lineare diku 18 m të gjatë, të mbushur me gjelbërim të bollshëm, që merr direkt dritë zenitale nga dritarja e re lineare
- vendosjen e banakut shumë të gjatë linear ngjitur me vazon dhe me përfundimin e tij me vendosjen e një shkalle të çrregullt e të hapur
Metamorfoza e brendshme vazhdon edhe jashtë duke modifikuar çatinë, çarjet arkitekturore dhe ballkonin, duke krijuar një figurë të re dinamike dhe magjepsëse, një linjë bashkëkohore që bie menjëherë në sy. Kontrasti lidhës nga jashtë me ambientet e brendshme dallohet me qasjen në një atmosferë të qetë dhe diskrete, një simfoni ngjyrash dhe materialesh, ku rehatia njerëzore është në qendër të përjetimit.
Pjesa lartë i dedikohet tërësisht ambienteve të natës, një lidhje direkte me natyrën dhe panoramën e cila predikon privatësinë dhe qetësinë. Koha mbetet pezull ndërsa drita natyrale filtron nëpër dritaret e reja panoramike, sidomos në atë zenitale ku ndihet një shkrirje magjike midis brendësisë dhe jashtësisë.
Një vështrim konservativ e ruajtës të së egrës natyrë ekzistuese ishte i domosdoshëm në kopshtin magjepsës që mbështjell përreth ndërtesën. Duke rehabilituar disa pjesë, pa modifikime të mëdha për të ardhmen është lënë një hapësirë enkas për të krijuar pishinën e re dhe një tarracë të jashtme, vendi i përsosur për një pushim veror.
Lojërat e dritë - hijeve, ngjitja simbiotike midis ndërtesës dhe natyrës, krijojnë një atmosferë zen sidomos kur arrin mbrëmja e errët e rrethuar nga qielli me yje.
E fundit por jo më pak nga rëndësia që vlen të përmendet, ky projekt është realizuar në harmoni të plotë me të zotët e shtëpisë dhe duke u mbështetur thellësisht tek artizanët dhe firmat prodhuese shqiptare:
Format +, Everest, Mobileri Cela etj, ku të gjithë bashkë kanë dhënë një rezultat të mrekullueshëm.
Vendndodhja
Qeha,Tirana, Albania