Të dhëna mbi projektin
-
Studio
Alida Salillari, Projekt.Al
-
Faqja e Studio
-
Arkitekti
Alida salillari
-
Tipologjia
Interior Design
-
Statusi
Completed
-
Viti i ndërtimit
2021
-
Sipërfaqja
82.4 m2
-
Ekipi
Silva Demirxhiu
Përshkrimi
Gjendja ekzistuese
Sipërfaqja që kishim në dispozicion ishte një apartament 2+1, me sipërfaqe të shfrytëzueshme 82.4m2, e cila ndodhej në katin e tretë të një pallati ekzistues Moskat, i ndërtuar rreth viteve ’30. Sfida kryesore me të cilën jemi përballur që në momentin që jemi prezantuar me këtë apartament, ishin muret mbajtës, trashësia e të cilave shkonte deri në 45cm. Planimetria bashkëngjitur na jep gjendjen ekzisuese të hapësirës.
Koncepti i ndarjes funksionale
Duke iu referuar lokacionit në zonën e bllokut, si dhe distancës së afërt me rrugën kryesore dhe me pikat më atraktive të qytetit, klienti na kërkoi që kjo hapësirë të përkthehej nga ana jonë në tre apartamente të vogla AirBnB, ku secili apartament të kishte të përfshira brenda tij të gjitha shërbimet, si: kthina hidrosanitare, kuzhina dhe ambjenti i ngrënies, ambjenti i ndenjes dhe ai i fjetjes. Duke qenë e pamundur që të kryhej ndërhyrje në konstruksion, për shkak të vjetërsisë së objektit dhe për shkak të një tipologjie jo shumë të njohur nga ana jonë, lindi nevoja e mbajtjes së dhomave në gjendjen që ishin, pa pasur mundësinë ti zmadhojmë apo zvogëlojmë ato. Këtu filloi koncepti i ndarjes funksionale të dy dhomave të para të cilat kishin një sipërfaqe prej 19.6 m2 secila. Brenda kësaj sipërfaqeje prej 19.6m2, do të përfshiheshin të gjitha facilitetet. Por, kishim një favor të madh, lartësinë e katit dysheme-tavan: 340 cm. Ky fakt na krijoi mundësinë që të ndërhyjmë në vertikalitet, duke e pasur të pamundur horizontalitetin. Por, ndarja e dhomës në dy kate duhej të realizohej në mënyrë shumë elegante për të mos zbehur ndjesinë e hapësirës brenda saj. Nuk duhej kurrsesi që klienti të hynte në apartament dhe të ndihej sikur po jetonte në një tunel të ngushtë dhe të ulët. Prandaj, duhej që të ndahej në dy kate vetëm ajo pjesë e hapësirës që do të shfrytëzohej më pak, dhe mundësisht të mos ishte në dukje sapo hapej dera e dhomës. Kështu lindi ideja e mezzaninës nën të cilën do të pozicionohej kuzhina, e mbi të do të ishte krevati i fjetjes. Pjesa tjetër e dhomës do të ishte një katëshe. Duke pasur parasysh që brenda dhomës duhej të kishim dhe një kthinë hidrosanitare, duhej të mendonim dhe për të, për ti lënë hapësirën e nevojshme dhe për ta pozicionuar në mënyrë të tillë që tubat e shkarkimit të ujrave të ndotura të mos kishin pengesa deri tek kollona e cila ishte relativisht larg. Planimetritë bashkëngjitur na japin më qartë idenë tonë.
Ngjyrat dhe dizajni
Përsa i përket dizajnit të brendshëm dhe ngjyrave, kishim tre kushte:
- apartamentet të mos ishin njëlloj
- apartamenti i tretë të ishte luksoz
- dizajni të mos ishte i kushtueshëm
Këto dy kushte na vunë përballë një sfide tjetër, duhej të ishim shumë kreative për të realizuar dy apartamente identike në ndarje funksionale, por totalisht të ndryshëm në dizajn, e gjitha kjo, nën presionin e kostos. Në fund, përsëri ia dolëm për ti realizuar të tre apartamentet me të gjitha kërkesat e klientit.
Fotot bashkëngjitur janë produkti final i punës tonë: apartamente funksionale, të bukur dhe jo të kushtueshëm.
Vendndodhja
Tirana, Tirana, Albania