Përshkrimi

Këtë vit sezoni pranveror në COD “Qëndra për Hapje dhe Dialog”, në Kryeministri, është hapur me një ekspozitë aspak të zakonshme, me një vepër të artit publik, e çeliktë, e formuar në 3 cikle dhe 3 hapësira, e titulluar “LEVIATHAN”.

E vlerësuar si një përmbajtje abstraguese e artit publik shqiptar, kemi kënaqësinë t’Ju ftojmë ta vizitoni!
Vepra ofron një përvojë të estetizuar akademike, një mundësi njohjeje dhe eksperience, e cila mund të stimulojë analiza dhe dialog mbi përmbajtjen, marrëdhënien me artin dhe botën fizike, si dhe rëndësinë e artit publik shqiptar, lidhjen me qytetin, hapësirat urbane dhe arkitekturën.

Kjo vepër vjen si një degëzim natyral i skulpturës, inxhinierisë, arkitekturës së hapësirës, duke ju imponuar vetë hapësirës, si një ekuivalent në një shkallë të madhe i nevojës për shprehje publike, nëpërmjet mesazhit që ajo përmban.
Në lëvizje dhe statike në të njëjtën kohë, duke e përjetuar lëvizjen dhe materialin në hapësirat e krijuara, duke përjetuar mënyrën se si hapësira dhe forma ndryshon nga prania jonë, nuk kemi zgjidhje tjetër vecse duke u ndeshur me hapësirën dhe objektet në një gjendje thjesht joutilitare, por duke ndier karakteristikat e tyre thelbësore.

Duke siguruar një përvojë jo vetëm identifikuese, duke e tërhequr komunitetin jashtë, në rrugë, në qytet, duke e ndier artin urban si pjesë të përmbajtjes dhe formës së qytetit, mundemi të sigurojmë, jo thjesht një gravitet irracional dhe sentimental, por një memorie të gjatë të shëndetshme krejtësisht të justifikuar dhe te lidhur me krijimet tona.

Në fakt strukturat vizuale kontribuojnë në strukturat shoqërore, ndihmojnë në orientimin e evolucionit të kulturës njerëzore. Nëse injektojmë në subtancën e qytetit përmbajtje, mund të prodhojmë një product natyral I cili mund të cilësohet në shembujt më të mirë, një vepër publike.

Ekspozita vetjake e artistit Ergys Krisiko, vepër e kuruar nga Ajola Xoxa, do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 15 prill 2022.
Jeni të ftuar ta vizitoni, në oraret:
E hënë - e premte: 09:30 – 14:00 / 17:30 – 20:30 E shtunë: 17:30 – 20:30.

“Është një shok estetik dhe fizik, sepse vepra të detyron të ndërveprosh me të dhe ta ndjesh praninë e saj materiale, mes dyshimit nëse kjo fuqi është e errët apo krejtësisht e padëmshme, çka përforcohet edhe më tepër prej pranisë së tre kuajve të vendosur jashtë COD, të cilët fare të qetë hanë bar, si brenda një peizazhi të qetë idilik, të pashqetësuar, të pafrikësuar. E nëse këta mbretër të natyrës së egër nuk kanë frikë përballë Leviatanit të madh, pse duhet të ketë vizitori? Sa fizike, eksperienca është edhe filozofike, në botën politike të vitit 2022, ku asnjë krijesë mitologjike nuk arrin të sfidojë realitetin, ku realiteti e tejkalon fantazinë” -shkëputur nga shkrimi kuratorial

Vendndodhja

1000, Tirana, Tirana, Albania

mood_bad
  • Comments are closed.