Të dhëna mbi projektin
-
Studio
MAD Studio
-
Faqja e Studio
-
Tipologjia
Hospitality Architecture
-
Statusi
Completed
-
Viti i ndërtimit
2019-2022
Përshkrimi
Ndërhyrja në një objekt me karakter historik është një nga sfidat më të komplikuara që mund ti ngarkohet një arkitekti. Duhet të ruash një balancë mes të resë dhe të vjetrës dhe njëkohësisht të përshtasësh në mënyrë sa më organike me funksionin e ri që do të implementohet.
Objekti i ndërtuar në 1918 pas ndryshimit të herëpashershëm të pronësisë dhe funksionit mbërriti në duart tona i braktisur dhe i degraduar.
Na është dashur të kryejmë punime me karakter përforcimi të strukturës ekzistuese dhe më pas krijimin e hapësirave të reja për funksionin e hotelerisë, spa-së dhe restorantit.
Asgjë nuk ishte e thjeshtë dhe e favorshme përveç dëshirës tonë dhe të investitorit për të çuar me përpikmëri deri në fund konceptin e propozuar.
Sfidat kanë qenë pafund duke marrë në konsideratë periudhën kohore të shtrirjes së projektit ku kemi pasur disa ngjarje që për këdo do mbahen mend gjatë siç ishte pandemia dhe tërmeti që na ndikoi në ndryshimin e afateve të paracaktuara por edhe të filozofisë të projektimit.
Nisëm të shikonim gjithçka me sy më kritik për sa i përket jetëgjatësisë së objektit dhe funksionimit të tij.
Në një objekt kaq të ndërlikuar në fund arriti të dilte një rezultat që vetëm investitorë të përkushtuar dhe detajist mund të na mbështesnin.
Sot Butique Hotel & Spa ka hapur dyert për të akomoduar me shërbimin më të mirë dhe eksperiencën më të mirë, për turistë që kryesisht janë të huaj.
Objekti është neoklasik në tipologjinë e vet por duke qenë se jemi në 2022 është bërë një restaurim i pjësës neoklasike të fasadës dhe ndërhyrjet e reja të propozuara janë kryer në stil minimalist modern. Një ndërhyrje që të lë lehtësisht të kuptosh qartë periudhat e ndërhyrjes në gjithë ngarkesën historike që objekti mbart. Ky qëndrim ruhet dhe në interierin e objektit duke krijuar ambiente me një gjuhë neoklasike me pak prekje moderne dhe një sallë ngrënie krejtësisht kontemporane në koncept dhe stil duke qenë se zhvillohet në pjesën moderne të volumeve të fasadës.
Projekti parashikon 9 dhoma gjumi të ndara sipas kategorive në dhoma junior dhe suita me një stil neoklasik dhe pak rifresikm modern në mobilim dhe ndriçim duke u paralelizuar me pjesën klasike të objektit ku ato janë të implementuara.
Për të kryer sa më mirë funksionin e relaksit kemi implementuar një spa të vogël por tepër funksionale. Aty ofrohet sauna, hamam, jacuzzi, 'experience shower' dhe ekspozimi në murin me kripë himalaje.
Recepsioni është impakti i parë që merr në interierin e objektit, dhe ai të paralajmëron për një shkrirje në stilin që do të zhvillohet në brendësi. Përzgjedhja e trajtimit të mureve si dekore allçie të shkrira është jo pak e qëllimshme. Pasqyrat e përdorura krijojnë idenë e një hapësire më të madhe dhe drita natyrale hyn nga dritarja e shkallës të paralajmëron për një holl të lartë.
Përdorimi i ngjyrës së bardhë në gjithë pjesën e trajtuar me gjuhë neoklasike si në interier edhe në fasadë ka qenë një kërkesë e domosdoshme nga arkitektët pasi lojën në interier duhet ta bënin vetëm dritë-hijet nga relievi i dekoreve dhe ndriçimi. Materiali që duhet të thyente heshtjen ishte mermeri. 'Calacatta viola' i jep hapësirave një frymë më luksoze që të sjell në kohë periudhën që është ndërtuar objekti dhe finitura që vetëm shtresa e lartë mund të kishte privilegjin ti përdorte.
Në objekt është montuar një ashensor që mundëson kalimin e vizitorëve dhe klientëve në katin e dhomave të gjumit ose të restorantit.
Siç u përmend edhe më parë restoranti duke qenë në pjesën e ndërhyrjes moderne në volumetrinë e objektit do të mbarte konceptin edhe në interier pa humbur finiturat luksoze dhe cilësinë që do të ofrojë.
Restoranti është konceptuar një facilitet që është dhe i hapur dhe i mbyllur, mundësuar nga struktura metalike me mbulesë xhami të hapshme. Materialet e përdorura në finitura janë të gjalla mermeri dhe tunxhi. Për të krijuar idenë e një verande ose sere të vogël, në interier janë përdorur ngjyra jeshile në përzgjedhje të mermerit, tapicerisë dhe sigurisht buazeri me rimeso druri natyral dhe një ishull i gjelbëruar në qendër të hapësirës. Ky restorant duhet të sillte në qytet diçka të veçantë të lidhur me artin dhe dërgimin e vizitorit në një atmosferë të re me eksperiencën më të mirë të degusitimit të verërave më të mira dhe ushqimit më të shijshëm. Për këtë është krijuar një kënd me bazoreliev me kuaj që përsëriten dhe me një lojë me ndriçim të ngrohtë. Në vazhdim të këtij muri ngrihet “bibloteka e verës” siç na pëlqen ne ta quajmë. Ku vera merr formën më të mirë të ekspozimit të vet në raftin minimalist me tunxh.
Për të gjithë vizitorët që duan të shijojnë këtë përvojë në një zonë më intime kemi krijuar një zonë më private. Dy salla të lidhura me njëra tjetrën ku njëra shërben si ngrenie me një tavolinë qendrore dhe një ashensor të dedikuar që sjell ushqimin direkt nga kuzhina dhe tjetra si sallon dhe 'cigar room' me buazeri druri, një tavan të bardhë dhe një ndriçues “aura” në perimeter të hapësirës.
E fundit dhe më interesantja është rooftopi “francez” që ka pamjen më të bukur që mund të marrësh nga ndërtesa.
Vendndodhja
Tirana, Albania