Të dhëna mbi projektin
-
Studio
Martini Design Studio
-
Faqja e Studio
-
Arkitekti
Ingrid Martini
-
Tipologjia
Residential Architecture
-
Statusi
Completed
-
Viti i ndërtimit
2020
-
Kate
1
-
Photography
Armand Habazaj
Përshkrimi
Apartamenti Blu është një projekt nga Ingrid Martini, një arkitekte dhe interior designer, e specializuar në ndërtimin e arkitekturës së brendshme të objektit. Me një eksperiencë 17 vjeçare në fushën e interierit, e me një larmi punësh që spikasin në shumëllojshmërinë e diversitetin e tyre. Në panoramën e gjerë të arkitektëve të brendshëm, Ingridi, është padyshim një zë i spikatur e me shumë stil.
Shtëpitë e bukura, ashtu si Apartamenti Blu nga Ingrid Martini, ushqehen nga personaliteti i atyre që banojnë në të dhe i kontekstit arkitektonik-natyral i cili e rrethon. Sigurisht që banesa e këtij çifti të ri me tre fëmijë, në një nga komplekset më cilësore në periferi të Tiranës, është në nivelet maksimale, përsa i përket pamjes panoramike që ofron zona e ditës, një spektakël i vërtetë i natyrës, por edhe për qetësinë e intimitetin që ofron zona e natës, duke e bërë këtë banesë të ketë privilegjin e një këndi të plotë shikimi prej 360 gradësh. E gjithë banesa është e rrethuar pothuajse në 4 këndet e orientimit me veranda e ballkone.
Në interior, ajo që bën përshtypje është eleganca diellore, e gjallë, e gëzueshme, e që ndizet nga pasionet e të zotëve të shtëpisë për artin, dizajnin, arkitekturën, natyrën, ngjyrat. Në këtë hapësirë fluide, nuk mund të mos vësh re ikona që kanë bërë historinë e dizajnit internacional, disa të autorëve si Michele de Lucchi, Vëllezërit Bourullec, Charlote Perriande, Jean Prouve, Luovica + Roberto Palomba.
I shkujdesur, por perfekt shtresëzimi i mobiljeve, tapeteve, ndriçuesve apo objekteve të dashura e mbi të gjitha, kornizat me piktura e fotografi të ekspozuara në mure.
Hapësira prezantuese e apartamentit është korridori që mungon, e praktikisht hyrja bëhet drejt e në sallon, ku është vendosur me shpinë një divan i madh, shumë i madh, në formë “L”. Volumetria e objektit është absolutisht interesante , e plotë, e madhe, më një frymëmarrje të gjerë. E gjitha është theksuar akoma më shumë edhe nga efektet kromatike të përdorura dhe loja e bukur e kontrasteve. Ndriçimi i duhur dhe paleta kromatike e zgjedhur ka ndihmuar që kjo hapesirë të jetë mjaft e këndshme.
Më pas kalohet në sallon, ku përpara divanit të madh, qëndron pikërisht faqja e madhe e fokusit ku është pozicionuar televizori po ashtu extra large.
Ndërkohë, nuk mund të të lërë indiferent pamja e mrekullueshme që ofrojnë vetratat e shumta në numër që shoqërojnë sallonin dhe zonat e ndërlidhura me të.
Në zgjatim të sallonit vjen e pandërprerë me konture zona e gatimit, e ngrënies dhe një bibliotekë e madhe e cila është aq e lartë sa është projektuar bashkë me shkallën rrëshkitese ndihmëse. Por ajo që është totalisht risi, është dhoma e lojrave, dedikuar 3 të vegjëlve të shtëpisë.
Zona e gatimit ka një impakt pothuajse monumental. Ajo është vendosur në një zonë ku kuota maksimale arrin 450cm. Dhe mobiljet e saj janë zgjedhur të jenë relativisht të ulëta, me qëllim. Lartësia maksimale e kolonave të kësaj kuzhine Doimo Cucine, arrin vetëm 145cm. Është zgjedhur për të një design modern, pothuajse minimalist, shumë i pastër në linja e në volume, e me një ritëm rigoroz të dimensionit të kanatave. Ngjyra blu është gjithashtu një zgjedhje e guximshme, por që ka rezultuar një balancë perfekte me materialet e finiturat që e rrethojnë.
3 dhomat e gjumit kanë një format drejtkëndor, me përmasa të plota, gjë që i bën shumë komode. E veçanta e tyre qëndron në trajtimin e bërë nga arkitektja, për t’i dhënë një atmosfrë të ngrohtë e të ëmbël në finiturë, materiale dhe në ngjyrë.
Të dyja dhomat e fëmijëve janë trajtuar me letër muri dhe me ngjyra shumë të pazakonta . Ndërsa dhoma matrimoniale ka një plan shfrytëzimi jashtë kornizave. Shtrati i madh është pozicionuar në qendër, me shpinë nga hyrja për në dhomë dhe përballë një vetrate që sheh në verandën e pasme të shtëpisë.
Vendndodhja
Tirana, Tirana, Albania