Përshkrimi
“Arkitektura dhe AI – Një Epokë e Re e Arkitekturës Nëpërmjet Inteligjencës Artificiale”
me arkitektin Matthias Hollwich
Qëllimi i këtij aktiviteti është të hapë një diskutim profesional mbi ndikimin transformues të Inteligjencës Artificiale në arkitekturë dhe proceset e konceptimit, projektimit, përmes eksperiencës së arkitektit të mirënjohur në sferën ndërkombëtare Matthias Hollwich, themelues i Architizer.com dhe bashkëthemelues i studio-s HWKN Architecture. Eventi synon të ofrojë një hapësirë reflektimi dhe dialogu mbi mënyrën se si AI mund të shërbejë si një partner krijues, duke zgjeruar mundësitë konceptuale dhe inovative të profesionit të arkitekturës. Z.Hollwich do të prezantojë filozofinë e tij të projektimit duke sjellë shembuj realë kur AI ka kontribuar në zhvillim e koncepteve dhe deri në pergatitjen e projekteve te gatshme për zbatim
RRETH ARKITEKTIT MATTHIAS HOLLWICH
Matthias Hollwich është një arkitekt dhe inovator gjerman, në New York, bashke-themelues i platformës së njohuri Architizer dhe I studios së arkitekturës HWKN. Me eksperiencë formuese në disa nga studiot më me ndikim në botë si OMA, Eisenman Architects dhe Diller + Scofidio ai ndërthur mendimin teknik gjerman me kulturën eksperimentale amerikane.
Si drejtues i HWKN, Hollwich ka udhëhequr projekte të ndryshme ndërkombëtare në shkallë urbane, rezidenciale dhe të përdorimit të përzier, duke u vlerësuar nga Fast Company si një nga arkitektët më inovativë në botë, dhe nga Business Insider si një nga vizionarët kryesorë të biznesit.
Një fokus i rëndësishëm në punën e tij është të menduarit për arkitekturën si mjet për mirëqenie dhe jetëgjatësi, temë që ai e trajton në librin e tij New Aging: Live Smarter Now to Live Better Forever, duke promovuar hapësira për komunitete ndërbrezore dhe jetë aktive.
Së fundmi, Hollwich është angazhuar në eksplorimin e inteligjencës artificiale si një mjet për të transformuar procesin e projektimit, rolet profesionale dhe mënyrën se si ndërtojmë qytetet. Ai beson se AI nuk zëvendëson arkitektin, por e çliron atë nga rutina, për t’u fokusuar te kreativiteti, strategjia dhe ndikimi shoqëror.
VENDI KU DO TË ZHVILLOHET AKTIVITETI
01. Prezantimi me studentë dhe arkitektë të rinj:
Aula Magna - FAU, UPT
UPT, Sheshi ‘Nënë Tereza’
Ora 11:00 am.
02. Ligjërim + diskutim me panel profesional me arkitektin Matthias Hollwich
COD – Biblioteka, Godina e Kryeministrisë
Ora 18:00
Nese dëshironi të regjistroheni, për këtë event ju lutem plotësoni këtë formular:
Do ju njoftojmë me email, pasi vendet janë të limituara.
Pjesë e panelit të diskutimit :
Prof. Asoc. Skender Luarasi, Arkitekt dhe pedagog,
Dekan i Fakultetit për kërkim dhe zhvillim, Universiteti Polis
Olsi Efthimi, Arkitekt, partner i studios Atelier 4
Dr. Ani Panariti Tola, Arkitekte, Zv. Dekanit pranë Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universiteti Politeknik i Tiranës.
Tema adreson tranzicionin që po përjeton arkitektura globale nën ndikimin e Inteligjencës Artificiale. HWKN përdor AI për gjenerimin e formave dhe koncepteve arkitekturore, analizimin e skenarëve urbanë, përmirësimin e proceseve të konceptimit dhe rritjen e kreativitetit. Qasja shikon AI jo si zëvendësim të arkitektit, por si një mjet që zgjeron fuqinë e imagjinatës dhe mundësitë për të projektuar hapësira më humane dhe të ndjeshme ndaj komunitetit, me pergjegjesi sociale ndaj shoqërisë të së ardhmes.
Ju mirëpresim për këtë event special!
Mundësuar nga SMART HOME ALBANIA
EVEREST SHPK, Center for Openness and Dialogue dhe Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, UPT