Të dhëna mbi projektin
-
Studio
Studio Rebus
-
Faqja e Studio
-
Tipologjia
Commercial
-
Statusi
Project Idea
-
Viti i ndërtimit
2022
Përshkrimi
Sheshi i ndërtimit ndodhet pranë qytetit të Belshit, përgjate rrugës nacionale Belsh-Berat, në një distancë prej 3 km nga qyteti i Belshit. Sheshi është i aksesueshëm nga rruga Belsh-Berat e cila është dhe rruga e vetme që kalon pranë sheshit të ndërtimit. Ai ndodhet pranë dy elementeve të rëndësishëm të natyrës siç janë 'Liqeni i Rrumbullakët' dhe 'Liqeni i Merhojës'. Prezenca e elementëve të tillë natyralë krijon premisa për një lidhje organike funksionale midis elementëve zhvillimore dhe elementëve natyralë duke krijuar një sinergji për një model zhvillimi në përputhje me rekomandimet bashkëkohore për një zhvillim të qëndrueshëm drejt reduktimit në maksimum të konsumit të energjisë dhe të emetimit të CO2.
Zona ka karakter bujqësor të përbërë ku përfshihen ndërtime me karakter banimi dhe eko turizmi. Terreni ku do të ndërtohet ka në pjesën e parë një pjerrësi të moderuar e cila vjen duke u rritur në drejtim të liqenit që ndodhet në perëndim. Gjelbërimi dhe pemët që ndodhen në zonë do të ruhen.
Objektivat
-Përdorimi i teknologjive të avancuara
Përdorimi i teknologjive të avancuara do të jetë prezent gjatë proçesit të projektimit dhe zbatimit. Proçesi si i menaxhimit të tregut si dhe shërbimeve do të kryhet duke u bazuar në një platformë digjitale e cila do të koordinojë proçeset bazë dhe njëkohësisht do të akumulojë të dhëna për përmirësimin automatik të shërbimeve të ofruara.
-Arritshmëria dhe lëvizshmëria
Arritshmëria dhe lëvizshmëria duhet të jetë një përvojë më vete, duke krijuar diversitet, jo vetëm si funksionalitet por edhe si eksperiencë. Parimi i aksesit universal do të zbatohet në të gjitha fazat e planifikimit. Qëllimi është krijimi i një tregu për të gjitha moshat përfshirë dhe ata me aftësi të kufizuara.
-Treg këmbësor
Brenda tregut lëvizja do të jetë vetëm këmbësore duke synuar krijimin e një tregu me një nivel të lartë të ndërveprimit social, të lirë nga makinat si dhe reduktimin në maksimum të sipërfaqjeve të zëna nga elementët e infrastrukturës duke e vënë theksin në integrimin e tij me natyrën përreth.
-Treg i gjelbërt
Aplikimi i gjelbërimit intensiv dhe i elementëve të energjive të rinovueshme krijon premisa për një lidhje organike funksionale midis elementëve zhvillimor dhe elementëve natyrale duke krijuar një sinergji për një model zhvillimi në përputhje me rekomandimet bashkëkohore për një zhvillim të qëndrueshëm drejt reduktimit në maksimum të konsumit të energjisë dhe të emetimit të CO2.
-Treg auto-sufiçent
Tregu Belsh do të jetë auto sufiçent në këndvështrimin e zhvillimit dhe aplikimit të parimit të përdorimit të materialeve të detoksifikuara dhe me nje nivel të lartë riciklimi. Aktiviteti i tregut do të bazohet në parimet bazë të ripërdorimit, riciklimit reduktimit dhe riparimit të fokusuara në energji, ujë, materiale dhe ushqim.
-Kosto të përballueshme
Koncepti i të qënurit të arritshëm si dhe miksimi i interesave, kulturave, besimeve dhe kushteve ekonomike të ndryshme do të shërbejë si një formë për ti dhënë një hop cilësor zhvillimit social dhe ekonomik të grupeve të ndryshme socio-ekonomike të cilët në tregun e qytetit të Belshit gjejnë mundësinë për një punë dhe një jetë më të mirë.
Vizioni
-Treg U
Tregu do të projektohet me synimin për të kapërcyer diktonominë qendër-periferi dhe shpërndarjen hierarkike të vlerave të tregut. Do të jetë një centralitet i ri, i cili funksionon si një njësi indipendente universale duke lënë të hapura mundësitë për komunikim me zonat përreth si dhe natyrën qe e rrethon, i formësuar nga hapësira të hapura dhe volume ndërtimi bazuar në miksime funksionale për të gjeneruar një nukël ekonomik jo vetëm për qytetin e Belshit por edhe për ekonominë e zonave përreth.
-Koncepti
Ne propozojmë përdorimin e një nukli gjashtë këndor, shumëfishimi i të cilit krijon një diversifikim të sistemit të qarkullimit duke krijuar një gjurmë specifike të objektit e cila plotëson programin e kërkuar por lë të hapur mundësinë për zhvillimin e projektit në kohë. Nukli i gjashtë këndor rrit dhe diversifikon nivelin e shikueshmërisë të peisazhit duke krijuar mundësinë për një pamje të pandërprerë prej 360 gradë pa dëmtuar mundësinë e lidhjes së nukleve me njëri-tjetrin.
-Nuklet
Ne propozojme që secili nukël të ketë karakteristika të veçanta të cilat lidhen me pozicionimin në altimetri të tij, mënyrës së konstuimit dhe orientimit të strukturave, programit që zhvillohet në të, dhe mënyrës së vendosjes së posteve individuale të shitjes brenda tyre.
-Ambienti
Për ndërtimin e tregut do të përdoren kryesisht materiale natyrale të cilat do të përfshijnë drru për strukturat, terrakotë dhe gurë natyralë për shtrimin e dyshemeve si dhe sipërfaqjeve me rërë dhe çakull të imët të rruluar në ambiente specifike. Gjithashtu për të plotësuar nevojat për energji të tregut janë parashikuar vendosja e paneleve fotovoltaike si dhe sipas rastit edhe e turbinave të erës. Gjithashtu ne propozojmë një sistem për menaxhimin e ujit të shiut për përdorimin si ujë sanitar dhe për vaditje. Sistemi do të jetë një kombinim i akumulimit të ujit të shiut dhe shfrytëzimit të ujit të liqenit në perëndim i cili pavarësisht se është një liqen karstik, gjithashtu shërben edhe si një akumulues i ujërave të shirave për zonën.
Vendndodhja
Belsh, Elbasan, Albania