Ndërtimi i një hosteli bashkëkohor në sheshin qendror të Selanikut ishte një sfidë e veçantë që kërkonte dizajnin e duhur, estetikën moderne dhe sigurimin e rehatisë maksimale për vizitorët që do të zgjidhnin të qëndronin atje.
Transformimi i një ndërtese zyrash të viteve '70 në një ambient "të ngrohtë" mikpritjeje për udhëtarët apo turistët vendas nuk ishte një detyrë e lehtë. Ekipi i Urban Soul Project që ndërmori dizajnin arkitektonik të "Zeus is Loose" luajti një rol përcaktues në këtë transformim. Të gjitha ndërhyrjet që u bënë në godinë i shërbyen vizionit për një bujtinë moderne, duke ruajtur në të njëjtën kohë estetikën e zonës.
Ndërtesa shumëkatëshe ofron një pamje të mrekullueshme në sheshin Aristoteli dhe sistemet prej aluminit që mbulojnë hapësirat e gjera të dritareve përmirësojnë pamjen e papenguar dhe ndriçimin natyral. Ngjyra e bakrit u përzgjodh për kornizat, pasi prania e saj është e dukshme në kishën bizantine që ekziston përballë ndërtesës dhe në strukturën urbane përreth.
Në ambientet e brendshme gjejmë dhoma për 2, 4 dhe 6 persona, me një dizajn që ndjek estetikën minimale dhe linja të pastra, duke krijuar hapësira komode. Në të njëjtën kohë, përdorimi i mozaikut ruan një ekuilibër mes të djeshmes dhe të sotmes. Në katin e gjashtë të Zeus is Loose ka ambiente të përbashkëta, me divane, sallë lojërash, kuzhinë, ambjente ngrënieje, ndërsa në katin e shtatë lokali Nectar Distillery, me atmosferën e tij të relaksuar dhe një pergola mbresëlënëse që mbulon zonën e jashtme, ofron pamjen më të bukur të qendrës së qytetit.
Zeus is Loose merr frymëzim nga mitologjia greke dhe lidh të tashmen me të kaluarën e qytetit, në një mënyrë të freskët dhe rinore. Kjo është një bujtinë që ofron të gjitha shërbimet e nevojshme të një organizate moderne mikpritjeje, duke e ftuar vizitorin të jetojë si vendas dhe të përjetojë momente të paharrueshme.