E diplomuar në Shkenca të Arkitekturës e me tej në degën Arkitekturë – Konstruksion në Politeknikun e Torinos, formimi im akademik është zhvilluar mes dy universiteteve Politekniku i Torinos dhe Etsam i Madridit. I jam dedikuar botës së dritës dhe Lighting Designit prej rreth 7 vitesh, me punën time në zhvillimin e projekteve të ndriçimit në kompaninë A BI ESSE në Tiranë.
Drejt arkitekturës më orientoi dëshira për një profesion kreativ dhe frymëzues, dashuria për pikturën dhe për të bukurën. Pasioni për lighting design erdhi në mënyrë graduale, pas eksperiencave të para në interior design.
Çdo projekt është gjithmonë një sfidë e re.
Sfida më e madhe për mua është momenti i skicës së parë, nga ku idetë fillojnë të zhvillohen.
Ky moment është përherë emocionues. Çfarë ndodh më pas është punë, studim, hulumtim për të materializuar këtë ide.
Arkitektura si çdo formë tjetër e shprehjes artisktike është një përgjegjesi shumë e madhe.
Është produkt i cilësisë së mendimeve tona.
Ajo përcakton mënyrën tonë të jetesës, ka fuqinë të përcaktojë mënyrën si bashkëveprojmë me njëri-tjetrin dhe botën që na rrethon.
Vetes time dhe çdokujt në fillim të karrierës do i thoja:
“Mos ndal kurrë së kërkuari, së ëndërruari, së qëni kurjoze. Mos ndal kurrë së zhvilluari njohuri të reja për të zhvilluar mendimin dhe imagjinatën tende. Rrethohu nga njerëz brilant, ambicioz, mendjehapur, kurioz dhe pozitivë, sepse njerëzit nga të cilët rrethohesh do të ndikojnë në cilësinë e mendimeve të tua. Dhe cilësia e mendimeve të tua do të përcaktojë cilësinë e jetës tënde.”
Çdo stimul që ndikon në zhvillimin e imagjinatës është frymëzues në jetën dhe punën time. Letërsia ka qënë gjithmonë një nga burimet më të mëdhaja të frymëzimit për mua. Gjithshtu piktura, muzika, natyra.
Ndriçues
Silueta është “një dallgë drite” që valëzon me volumet që ndriçon. Ndriçuesi është i konceptuar për ambjentet e jashtme për ndriçimin e një peme apo një muri. I vendosur rreth një peme, ndriçuesi përqafon trupin dhe degët e saj me format e tij të lakuara. E mbështetur në një mur, “Silueta” është një skulpturë me volumet dhe hijet e saj gjatë ditës dhe një valë efektesh drite gjatë natës.