Përparim Rama, u lind në Prishtinë, më 20 janar 1976. Babai i tij ishte piktor i njohur shqiptar, i cili, ndër vite ka pasur ekspozita të ndryshme rreth botës duke u vlerësuar për punën e tij dhe shpërblyer me çmime. Në vitin 1992, kur Përparim Rama ishte vetëm 16-të vjeç u shpërngul në Britani të Madhe. Në atë kohë, Kosova u bë pjesë e luftës për autonomi brenda ish-Jugosllavisë. Me përkeqësimin e situatës politike mes Kosovës dhe Serbisë dhe vurjes së sanksioneve të shtetit të atëhershëm Jugosllav ndaj shqiptarëve të Kosovës, të gjithë punëtorët shqiptarë u larguan nga postet publike si rezultat edhe prindërit e Përparimit mbetën të pa punë, pasi që të dy ishin mësimdhënës. Djem të rinj rekrutoheshin nga paramilitarët serbë dhe policia, për t'i dërguar në luftë kundër kroatëve, sllovenëve ose boshnjakëve. Në Britani të Madhe kërkoi azil i cili iu pranua menjëherë shkaku i situatës së rënduar politike.
Rama vazhdoi jetën e tij në Britani të Madhe, atje dhe përfundoi studimet. Pjesën e parë të studimeve universitare Bachelor i ka filluar në vitin 1995, në SBU London Bank University për arkitekturë dhe i ka përfunduar në vitin 1998. Nga viti 2001 deri në vitin 2003 vazhdoi pjesën e dytë të studimeve në Institutin Mbretëror të Arkitektëve Britanik. Pas studimeve bachelor, nga viti 2003 vazhdoi studimet për master DipArch në “University of East London”. Nga CECA (Centre for Evolutionary Computing in Architecture) u shpall Master i dalluar. Gjatë studimeve të tij ka pasur profesorë si Paul Coates, Christian Derix, Robert Thum e Jeffrey Turko.
Rama ka përvojë mbi 20 vjet në projekte të ndryshme në banesa e hotele, ndërkaq më parë ka punuar si këshilltar në Aeroportin e Southampton. Ai ka përvojë si mentor në Shkollën e Arkitekturës në Universitetin Nottingham dhe bashkë-mbikëqyr Doktoraturat në Arkitekturën Gjeneruese dhe dizajnimin SMART të ndërtesave në programin MA dhe PHD në institutin SmartLab Media.
Me një karrierë të gjatë profesionale, Përparim Rama mbart mbi supe shumë projekte të realizuara, në drejtimin e studios 4M Group me vendodhje në Londër.
"Një nga miqtë tanë na pyeti për të propozuar një ndërhyrje në pjesën e prapme të shtëpisë së tij.
Kishte një seri konstruksionesh prej betoni që qëndronin akoma në këmbë dhe krenarë, në një plan gjysmë drejtkëndor. Ishte e qartë se dëmtimi i strukturave kishte filluar dhe funksioni që ato synonin të përmbushnin ishte dytësor përkundrejt nevojave të menjëhershme të shtëpisë për t’u zgjeruar në këtë zonë."
-4M Office Interior
Varur nga sipër, duke vëzhguar gjithçka që ndodh përreth, qëndron pezull koncepti eksperimental i zhvilluar si një shkrirje e artit dhe arkitekturës së materialeve, e pllakave katrore me baltë, krijuar në tërësi nga vetë dheu i kryeqytetit.
Nën to, duke mbushur korridorin qendror, panele metalike mbrojtëse - të frymëzuara nga pemët e Hyde Park, - janë dizajnuar për të imituar modelet e larmishme që krijohen nga hijet e gjetheve të lisave në muzgun e ndezur të verës. Duke përcjellë një temë të fortë të 'pyllit metalik' përmes imazheve paradoksale - ata qëndrojnë si një metaforë për të nxjerrë në pah dy gjendje të kundërta që ekzistojnë njëra pranë tjetrës - duke ecur i lirë mes natyrës, ndërsa je i mbyllur brenda. Çfarë inkuadrimi mund ta shprehte më së miri thelbin e detyrës së tyre – duke qenë se ndodhen brenda interierit të ish-zyrës se Grupit 4M.