nga Ronilda Dedvukaj
“Një ndërtesë ka dy aspekte, funksionin e saj dhe bukurinë; funksioni i përket pronarit të saj ndërsa bukuria e saj i përket të gjithëve: ta shkatërrosh do të thotë të tejkalosh të drejtat e tua”
“Luftë Shembësve” Viktor Hygo 1825
Tirana është një qytet që ka qenë dhe është pre e ndryshimeve të shpeshta arkitektonike. Të gjithë udhëheqësit që ka pasur Shqipëria nga fillimi i shekullit XX e deri më sot kanë pasur tendencën që të lënë një gjurmë të fortë në qendrën e Tiranës, pa u kujdesur për shtresëzimin e periudhave të ndryshme kohore gjatë të cilave është formuluar ajo hapësirë apo për lënien e një gjurme të ndërtesës që shembej, qoftë një tabelë. Kjo i ka kushtuar shumë qytetit i cili ka parë ndër vite t’i zhduken ndërtesat apo hapësirat simbol, duke sjellë si pasojë një humbje të identitetit të qytetit. Monumentet e humbura janë të shumtë, por fokusi është qendra e qytetit duke cituar shembjen e Xhamisë së Karapicit, Kishën e Shën Prokopit, Pazarin e Vjetër, Bashkinë e Tiranës, Kishën Ortodokse, Teatrin Kombëtar. Duke analizuar parimet restauruese shpjegohet përse këto ndërhyrje kanë qënë të gabuara ndër vite. Problemi kryesor qëndron në mentalitetin jo konservues ndaj veprave arktektonike dhe mbizotërimit të shijes arkitektonike të kohës ndaj vlerave të objektit që duhet ruajtur.
Deri në fillim të shekullit të XX Tirana ishte një qytet që zhvillohej rreth xhamive si Xhamia e Vjetër e Et’hem Beut, Fires, Zajmit, Hetemit, Stermasit, Karapicit, Berxollit, Mujos e Reçit të cilat mblidhnin rreth vetes ndërtesa banimi, tregje e shërbime të ndryshme. Në atë periudhë Tirana paraqitej si një qytet me banesa të ulëta deri në dy kate që kishin funksion banimi dhe ku minaret ishin ndërtimet më të larta. Përsa i përket tendencave stilistike “vilat paraqiten me një variacion të pafund. Stile të ndryshme shfaqin aftësitë referuese dhe fermentet kulturore që karakterizojnë jo vetëm Tiranën por gjithë Evropën në vitet 1920-1930. Arkitektët, artistët, ndërtuesit i kanë ofruar në këtë periudhë familjeve tiranase më të mirën e eksperiencës së tyre teknike e krijuese, në tërësinë e qytetit, brenda kopshteve, në mes të gjelbërimit, apo dhe gjatë rrugës janë ngritur rezidenca të stileve arkitekturore nga më të ndryshmet orientale, neoklasike, eklektike e moderne.”(1)
Duke analizuar sheshet, mund të dallohet që “ato nuk mund të quhen të tilla në periudhën kohore që po analizojmë, mund të quhen zona të lira, pasi sheshet e vjetra të Tiranës manifestohen më shumë si hapësira me formë të çrregullt, pa prezencë ndërtesash, të krijuara nga zgjerimet e rrugëve dhe jo si ambiente të lira të delimituara nga ndërtesat rreth e rrotull. Sheshet e vjetra, me hyrjen në fuqi në mënyrë sistematike të një plani rregullues të qytetit, kanë pësuar ndryshime të forta ose më së shumti janë zhdukur, duke i lënë hapësirë ndërtesave të reja për t’i bërë ballë kërkesave të një qyteti në rritje. Mund të citojmë sheshin përballë Xhamisë së Vjetër, të Et’hem Beut, sheshi në lagjen e Tabakëve si dhe sheshi afër pallateve Shallvare afër parkut Rinia.”(2)
Në shkurt të vitit 1920 Tirana shpallet kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë në Kongresin e Lushnjes, ndërsa Asambleja e shpall atë kryeqytet përfundimisht në janar të 1925. Kryeqyteti i ri kishte nevojë për një plan zhvillimi dhe realizimi i ndërtesave ku të përqendrohej qeveria dhe institucionet shteterore ishte me rëndësi. Për këtë detyrë u thirr Armando Brasini, i cili në 1926, propozonte krijimin e një aksi veri- jug që fillonte nga Sheshi Skenderbej, ku do të përqëndroheshin ministritë, për të përfunduar në një shesh tjetër me formë elipsoide. Ky plan nuk lidhet me kontekstin, por karakterizohet nga monumentaliteti duke krijuar një kontrast të fortë midis Tiranës ekzistuese dhe asaj që po konceptohej, si nga pikëpamja arkitektonike, si urbanistike. Realizimi i këtij propozimi kërkonte sakrifikimin e kishës së Shën Prokopit si dhe Xhamisë së Karapicit.
A.Brasini Projekti i qendrës 1926
Në vitin 1929 fillon ndërtimi i qëndres së Tiranës pas propozimit të Florestano Di Fausto, i cili bazohet në aksin e propozuar nga Brasini, por sjell një version më të ekuilibruar në kosto dhe forma. Në vitin 1931 përfundojnë ministritë, të cilat paraqiten në një stil neorinashimental të pozicionuara në mënyrë simetrike sipas aksit veri-jug. Në 1935 fillojnë punimet për një ulje të nivelit të sheshit, të cilat drejtohen nga Giulio Bertè, pasi ishte shumë i madh në raport me ndërtesat që e rrethonin. Ky plan i ri gjithashtu konfirmon shembjen e dy monumenteve sipas propozimit të Brasinit.(3)
Në këtë plan paraqitet qëndra e Tiranës e konceptuar nga Di Fausto, ku vihet re që ndërtesa e Bashkisë zë vëndin e Xhamisë së Karapicit.
Modernizimi i kushtoi qytetit humbjen thuajse totale të trashegimise historike, pasi të vetmet ndertesa që u kursyen dhe ju nenshtruan mbrojtjes ishin Xhamia e Ethem Beut, Kulla e Sahatit, kompleksi i ministrive dhe disa ndertesa tipike. Tendenca e autoriteteve komuniste per të mohuar të shkuarën, në veçanti simbolet e trashëguara nga monarkia e nga fashizmi, u përqëndrua në një pjësë të mirë në qëndrën e qytetit.(4) Në këtë mënyrë kisha ortodokse, ndërtesa e Bashkisë, Pazari i Vjetër u shembën për ndërtimin e Pallatit të Kulturës, Muzeut Historik Kombëtar dhe Hotel Tiranës. Pazari i Vjetër ishte një hapësirë që i dedikohej zanateve dhe rrugët e tij emërtoheshin sipas zanatcinjve që i përbënin përshembull: Rruga e Farketarëve, Rruga e Drithit, Rruga e Rrobaqepësve, Rruga e Argjendarëve, Rruga e Kripës etj.
Në maj 2020, ndodh shembja e Teatrit Kombëtar me qëllim ndërtimin e një Teatri Kombëtar “më të denjë”. Propozimi i Studios BIG për teatrin e ri është modern dhe deri diku i imponohet kontekstit ku vendoset. Il circolo italo-albanese Scanderbeg siç quhej, u ndërtua në vitin 1939 nga Pater Costruzioni me material parafabrikat në një kohë të limituar dhe do kishte si funksion kryesor argëtimin e banorëve të Tiranës.
Format e para të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore i gjejmë në Francën e pas revolucionit të vitit 1789 ku lind nevoja për “të ruajtur për kombin” pasi gjatë revolucionit shumë ndërtesa që përfaqsonin fuqinë e fesë si dhe ndërtesa të epokës mesjetare të lidhura me pushtetin feudal u dëmtuan. Kështu nga normat e para juridike lidhur kryesisht me ndëshkimin e vandaleve kalohet në mënyra më specifike të mbrojtjes së monumenteve duke krijuar figurën e “inspecteur général des Monuments Historiques” që kishte detyrën të inspektonte të gjitha monumentet me rëndësi historike e artistike në Francë për të mos lejuar cenimin e asnjë monumenti pa ezauruar paraprakisht të gjitha mënyrat për shpëtimin e tyre. Qasja ndaj restaurimit të trashëgimisë kulturore nga ai moment deri në ditët tona ka krijuar rryma të ndryshme në restaurim, por që në thelb gjithmonë kanë ruajtjen dhe transmetimin e veprës në të ardhmen.
Me qëllim përcaktimin e qëndrave historike, duhet të merren në konsideratë jo vetëm qëndrat tradicionale “të vjetra” urbane, por të gjitha vendbanimet njerëzore strukturat e të cilave në mënyrë unitare ose të framgmentuar dhe pse pjesërisht të transformuara në kohë, kanë qënë të ndërtuara në të shkuarën ose nga ato të mëvonshme, të cilat kanë vlerë të veçantë si dëshmi historike ose cilësi të spikatura urbanistike ose arkitektonike.
Karakteri historik i referohet interesit që vendbanime të tilla paraqesin si dëshmi të qytetërimeve të së shkuarës e si dokumentim i kulturës urbane, pavarësisht nga vlera artistike e tyre ose formale ose nga veçantia e aspektit ambiental, që mund të pasurojë ose të theksojë më tepër vlerën e tyre, duke qenë se jo vetëm arkitektura, por dhe struktura urbane ka në vetvete kuptim e vlerë.
Ndërhyrjet restauruese në Qendrat Historike kanë si qëllim të garantojnë – me mjete e strumente të zakonshme dhe të jashtëzakonshme – ruajtjen në kohë të vlerave që karakterizojnë këto komplekse.(5)
Majtas Pazari dhe Xhamia e Et'hem Beut në vitet 20, djathtas hartë e vitit 1937 Qendra e Tiranës
Të gjithë udheheqësit që ka pasur Shqipëria nga fillimi i shekullit XX e deri më sot kanë pasur tendencën që të lënë një gjurmë të fortë në qendrën e Tiranës, pa u kujdesur aspak për shtresëzimin e periudhave të ndryshme kohore gjatë të cilave është formuluar ajo hapësirë apo për lënien një gjurme të ndërtesës që shembej, qoftë një tabelë. Kjo i ka kushtuar shumë qytetit i cila ka parë ndër vite t’i zhduken ndërtesat apo hapësirat simbol duke çuar në një humbje të identitetit të qytetit.
Sipas Giovanni Carbonara restaurimi është akt kultural dhe në të njëjtën kohë shumë i specializuar. Ai shikon drejt të ardhmes dhe jo të shkuarës, në të njëjtën kohë nuk është i rezervuar për kënaqësinë
e disa të kulturuarve të zgjedhur të antikes. Ka funksione edukative dhe të memories, për gjeneratat e të ardhmes, për të rinjtë; ka të bëjë, jo me kënaqësinë për studimin, por me formimin e çdo qytetari dhe cilësinë e tij të jetës, në sensin shpirtëror e material kuptimplotë.(6) Pra qëllimi kryesor është që të ruajmë veprat për të ardhmen dhe gjithashtu në të tashmen të arrijmë të përceptojmë shtresëzimin arkitektonik të kohëve të ndryshme. Ndërkohë në Shqipëri, veçanërisht në kryeqytet është kërkuar indoktrinimi përmes arkitekturës për të dhënë mesazhe të qarta si gjatë komunizmit, si në rastin e Muzeut Historik Kombëtar ku përcillet një shije hermetizmi e monumentalitati tendecioz, fatkeqësisht në harmoni me shijen estetike dhe klimën e përgjithshme në vend. Përveç se një sipërmarrje monumentale si për projektuesit, e për financat e shtetit, ajo përbënte në esencë metarrëfimin personal të Hoxhës mbi historinë, rëndësia e të cilit nënkuptohet lehtë nga dimensionet dhe vendi që ai përfton në shëshin kryesor të kryeqytetit.(7)
Me shembjen e Pazarit të Vjetër humbet një pjesë e kulturës urbane të qendrës së Tiranës. Raporti bosh-plot ndryshon në mënyrë rrënjësore, kalohet nga një “bosh” i strukturuar nga blloqet e dyqaneve, në një “bosh” të madh që ka si limit vetëm njollën në formë U-je të Pallatit të Kulturës, duke tjetërsuar në mënyrë të pakthyeshme imazhin e qendrës së qytetit dhe duke humbur definitivisht gjurmët e aktivitetit njerzor të brezave të kaluar.
Një shembull që ia vlen të citohet për lidhjen që njerëzit kanë me simbolet e qytetit të tyre është ai i qytetit të Vjetër të Varshavës, i cili u sheshua komplet gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Zgjedhja e rikthimit të pamjes e qytetit para luftës të qendrës historike është një vepër unike në historinë e ndërhyrjeve në monumentet historike dhe kthehet në përgjigjen që polakët i japin përpjekjeve të vazhdueshme për asgjësimin sistematik të kombit të tyre përmes shkatërrimit të dëshmive të tyre historike”.(8) “Ruajtja e qytetit të vjetër ka qënë më tepër një vepër sociale sesa një problem konservimi”.(9) Përgjigja që akti barbar merr patjetër ka të bëjë me shërimin psikologjik të banoreve, të cilët nga një moment ne tjetrin shohin të rrafshuara simbolet arkitektonike të qytetit të tyre, pasi nga pikëpamja e restaurimit dhe konservimit mund të flitet pa dyshim për një fallco historik.
Me 17 maj të 2020 u shemb Teatri Kombëtar në një mënyrë të dhunshme dhe me argumenta shumë të dobët nga të gjitha pikëpamjet: strukturore, estetike, teorike. Në asnjë moment nuk u mor parasysh rëndësia e tij si dokument i gjallë historik, si vend ku qindra tiranas ruajnë kujtimet, si ndërtesë me nje konstruksion të veçantë për kohën apo si ndërtesë që ishte pjesë e themelimit të qendrës së Tiranës “moderne” duke qënë e para ndërtesë e këtij tipi. Shumë nga argumentat pro shembjes lidheshin me mos pershtatjen e ambienteve të brendshme për rëndësinë e funksionit apo me vlerat e dobëta estetike që kjo ndërtesë mbarte. Sipas Brandit “Restaurimi është momenti metodologjik i njohjes së veprës së artit, në konsistencën e saj fizike dhe në polaritetin e saj të dyfishtë estetik dhe
historik në funksion të transmetimit të saj në të ardhmen”.(10) Arsyetimi mbi vlerën estetike të një ndërtesë shpesh herë mund të jetë shumë subjektiv prandaj në themel të çdo vendimi qëndron njohja e thellë e ndërtesës, pra momentit metodologjik i njohjes.
Duke qenë se vepra e artit “përcaktohet në radhë të parë nga polariteti i saj i dyfishtë estetik dhe historik, direktiva e parë e hetimit do jetë ajo që ka të bëjë me përcaktimin e kushteve të nevojshme për shijimin e veprës së artit si imazh dhe si fakt historik. Në radhë të dytë vepra e artit përcaktohet nga materia ose materiet që e përbëjnë: këtu hetimi duhet të zhvillohet mbi gjëndjen e konsistencës së materies, e më vonë mbi ato ambientale që mund të lejojnë, të cënojnë ose të rrezikojnë në mënyrë direkte konservimin”(11) Pra jo vetëm duhet të kujdesemi për veprën si imazh, por duhet të sigurohemi që me anë të ndërhyrjeve të përshtatshme të garantojmë jetëgjatësinë e veprës në kohë, pasi siç shprehet dhe Ruskin “me mirë të kesh një patericë sesa të mbetesh pa këmbë”.
“Arkitektura është arti rregullon dhe zbukuron ndërtesat e çdo lloj funksioni, të ngritura nga njeriu, në mënyrë të tillë që shikimi i tyre mund të kontribojë në shëndetin e tij, forcën e tij vitale si dhe kënaqësine e tij intelektuale” shprehet John Ruskin ne librin e tij Shtatë llampat e arkitekturës duke afirmuar në aforizmin e katërt të tekstit që: “E gjithë arkitektura ka si qëllim të influencojë shpirtin e njeriut, jo vetëm të ofrojë një shërbim për trupin e tij”. Duke u nisur nga ky citim deduktojmë lidhjen e fortë që ka njeriu me qytetin e tij dhe ndërhyrjet në arkitekturën e qytetit ndikojnë drejtpërsëdrejti në humbjen e memories kolektive, kujtesës historiko-familjare si edhe vizionit e qetësisë shpirtërore individuale. Përtej konceptit estetik, ndërhyrjet arbitrare mbi objektet kryesore të qytetit ndikojnë në dobësimin e të trejave dimensioneve njerëzorë të sipërcituara (individuale, familjare e kolektive) duke i shërbyer kauzave ekstra-artistike shpeshherë në funksion të kufizimit të lirisë së individit.
Shpjegime
(1)Vera Bushati. Vilat e Tiranës – gjysma e parë e shekullit XX fq 12
(2)Ana Shpuza-Tirana 100 anni capitale fq.41,42
(3)M.Stiliano, Modernità d’esportazione – Florestano Di Fausto e lo stile del costruire nei territori italiani oltremare
(4)Arkitektura Shqiptare e shekullit XX – Ermir Hoxha fq 94
(5)Allegato D Istruzioni per la tutela dei “Centri Storici”, Carta del Restauro
(6)Carbonara, La reintegrazione dell’immagine, Roma 1976, p. 27 e segg.
(7)Arkitektura Shqiptare e shekullit XX – Ermir Hoxha fq 94
(8)Il restauro in Architettura-Maria Piera Sette fq 177
(9)Ciborowski, 1970 fq 228
(10)Cesare Brandi- Teoria e Restaurimit fq. 6
(11)Ibidem, fq.57
Referencat:
Cesare Brandi – Teoria e Restaurimit
Ermir Hoxha - Arkitektura Shqiptare e Shekullit XX
Maria Pietra Sette - Il Restauro in Architettura
Marco Stiliano - Modernità d’esportazione – Florestano Di Fausto e lo stile del costruire nei territori italiani oltremare
Vera Bushati - Vilat e Tiranës – gjysma e parë e shekullit XX
Ana Shpuza-Tirana 100 anni capitale
Le sette Lampade dell’Architettura – John Ruskin