shkrimi nga Ornela Gjoni
“Ju që dolët mbi atë dallgë,
Poshtë së cilës u zhytëm ne,
Kurt të flisni për dobësitë tona,
Kujtoni
Edhe kohët e errëta
Nga të cilat shpëtuat.”
Me këto vargje të poetit B. Breht, Petraq Kolevica përshëndet “arkitektët e rinj të sotëm e ca më tepër ata të nesërm” dhe fton lexuesin të bëhet pjesë e një rrëfimi jete të zhytur në përmbajtjen veshtullore të një regjimi totalitar, i cili sigurohet të shtypë egërsisht çdo shpirt rebel që sjell frymën e kundërshtisë. I cilësuar si “nismëtar i një rryme të re në arkitekturë”, Kolevica punoi për shumë objekte, ku ndër më të rëndësishmet përmendim banesën prapa Bankës në Tiranë, Bibliotekën e Korçës, Muzeun Kombëtar apo Postën e Tiranës. Duke kundërshtuar tipizimin dhe standartizimin që mbizotëronte kohën, e për pasojë monotoninë fatale dhe ndrydhjen e krijimtarisë, ai ia doli të prezantonte elementë të rinj në ndërtesat që projektoi, të cilat shpesh u kritikuan fort dhe madje u cilësuan nga Kryeministri edhe si “qafëleshet e arkitekturës”. Megjithatë, kultura teknike, arkitektonike dhe konstruktive që Kolevica zotëronte bënë që atij t’I besoheshin objekte
me rëndësi, disa prej të cilave i cekëm më lart. Fund i vitit 1976. Do fillonte puna për projektimin e Muzeut Historik Kombëtar. Ndërkohë që ishte formuar grupi i punës, ku sigurisht nuk mund të mungonte Kolevica, dërgoheshin orientime qesharake që vinin “nga lart”, nga “I madhi”, ku here thuhej që “ndërtesa duhej të bëhej në tri pjesë: periudha para luftës, Lufta Nacional Çlirimtare, ndërtimi i Socializmit; pastaj urdhërohej që “Muzeu të jetë një I tërë, jo I ndarë, sepse edhe revolucioni i popullit shqiptar është një i tërë.” Madje, u dha ideja që fasada të trajtohej rreth e qark në një mënyrë që të dukej si gjerdan me fishekë. Siç shprehet Kolevica, ai rryp dekori që është sot, s’është veçse mbeturinë e kësaj ideje.
E gjithë kjo parantezë shërben për të dhënë një ide mbi mjegullnajën në të cilën grupi duhej të punonte. Petraqi qe aktiv në procesin krijues, zgjidhjen e kërkesave funksionale, programore dhe estetike, duke ndikuar në konceptin e përgjithshëm (vëllim kubik, solid, kompakt, I hapur në qendër me oborrin e ekspozimit). Megjithatë, ai ndahej me kolegët në mendime mbi shumë çështje lidhur me objektin, gjë që solli që Kolevica të dorëzonte propozimet e tij në Këshillin Teknik, të
cilat u refuzuan.
Me interes është edhe ndërtesa pas Bankës, si nga teknika e ndërtimit, ashtu edhe nga veshja arkitektonike. Në kompozim u përdor seksioni me 4 apartamente në shkallë, shkalla e ndriçuar nga lart dhe nyjet sanitare me ndriçim dhe ajrim të brendshëm. Në fasadë u përdor suvatimi me granil, me ngjyrë me 3 breza të kuq dhe çdo apartament kishte dritare të mëdha, llozha dhe ballkone. Objekti përshtatej mirë me harkun e rrugës dhe rrinte në harmoni me godinën e bankës. E megjijthatë, vizatimi për këtë objekt u cilësua “skandaloz” dhe u urdhërua që ndër të tjera, të zvogëloheshin dritaret. Me gjithë ndryshimet e sforcuara, thelbi mbeti i pandryshuar. Është e dhimbshme se si shumë punë të lavdërueshme të Kolevicës shoqëroheshin me pseudonime qesharake. Banesa 5 dhe 6 katëshe afër Bllokut, e cila u lye bardhë e blu, u
konsiderua si “flamuri grek në mes të Tiranës”, u rilye me të verdhë dhe dëmet i pagoi arkitekti. Ndërtesa për diplomatët në rrugën “Skënderbeg” ishte e orientuar nga perëndimi. Në mënyrë që apartamentet të shihnin nga jugu, Kolevica krijoi thyerje të njëpasnjëshme dhe kështu ballkonet morën diell dhe fasada fitoi plasticitet. Cili qe shpërblimi? Ndërtesa u etiketua si “sharrë e importuar nga Honolulu”!
Gjithë sa u shpjegua më sipër përbën vetëm një pjesë të sfidave nëpër të cilat të ushtruarit e profesionit të arkitektit të përplaste në atë kohë. Ndërkohë që kishte arkitektë e profesionistë të tjerë që iu përshtatën regjimit, Kolevica, përveç risive që u rrek të sillte në arkitekturë, mbi të gjitha u qëndroi besnik idealeve dhe parimeve të veta. Siç shprehet edhe vetë: “Duke folur për vete atëherë dhe sot shpesh e përsëris se nuk do të skuqem as përpara të tjerëve, as përpara ndërgjegjes sime po të them që punës së projektimit i pata kushtuar gjithë aftësitë e mia, dijet, gjithë kohën time, gjithë rininë time, madje guxoj të them edhe shëndetin tim. Mundet që dikush t’i ketë kushtuar më tepër. Unë s’kisha ç’t’i jepja më shumë se zemrën.”