nga Dritan Kapo
Nё fokus tё kёtij diskursi janё disa prej eksperiencave tё arkitekturёs bashkёkohore vendase, tё vendosura pёrballё disa shembujve tё huaj. Mёnyra se si ato raportohen me aspektet identitare, me qёllim qё tё nxirren në pah ndryshimet dhe ngjashmëritë përkatёse. Pёr aspekte identitare nёnkuptojmё ato veҫori që karakterizojnё territorin nё fjalё dhe qё njёkohёsisht na dallojnё nga kulturat e tjera. Nё kёtё pohim jemi tё vetёdjishёm qё këto aspekte janё nё shndёrrim tё vazhdueshëm, duke iu përshtatur nё njё menyrё apo tjetrёn, proçeseve tё ndryshme shoqёrore.
Me synimin për të hetuar mbi mundësinë e një arkitekture bashkëkohore dhe autentike e veshur me simbolizëm identitar, diskutimi pёrshkohet gjatё gjithё rrjedhёs sё tij prej konceptit tё "kontekstit" dhe "koherencës". Kontekstin mund ta përcaktojmë si shumatoren e një sёrё rrethanave e tё dhёnave tё vendit ku ndёrtohet, ndërsa koherencën si pikë nisje për të prodhuar vepra arkitekturore të cilat përkasin dhe vijnë si shprehi e individualitetit të kulturës tonë.
Konteksti përcjell gjithnjë një mesazh. Ai mund të jetë koherent, pra i përbërë nga pjesë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën, ose e kundërta. Imazhi në të majtë (Fig.1) paraqet një malësor shqiptar dhe dy ushtar alpin italian. Konteksti në fjalë tregon me koherencë një periudhë historike të caktuar. Çdo gjë në këtë imazh na lidh në mënyrë të drejtë me atë çka po ndodhte në momentin kur është shkrepur kjo fotografi, prandaj dhe ajo ka një vlerë historike dhe kulturore. Nga ana tjetër, imazhi në të djathtë (Fig.2) paraqet një kontekst jo-koherent. Në këtë rast, tabela reklamuese e një byrektoreje paraqet në të njëjtin mesazh dy rrethana, të cilat nuk ndërveprojnë me njëra tjetrën, duke mos shprehur qartë kuptimin.
Fig. 1
Fig. 2
Mesazhi vjen si pasojë e nje proçesi të anasjelltë, që lind nga një përmbajtje, merr një formë të caktuar dhe shndërrohet në një simbol i cili na rikthen te kuptimi i gjësë. Në rastin e kësaj byrektoreje, përmbajtja konsiston te byreqet e freskët, forma te Mc Donald`s dhe simboli te bashkimi i të dyjave. Jo-koherenca në këtë rast qëndron në faktin se forma, aspekt jo-identitar i referohet përmbajtjes, e cila mbart një aspekt identitar të vendit në fjale, pra byrekët e freskët.
Fenomeni i "byrektores Mc Donald`s" është kthyer në një dukuri identitare dominuese në kontekstin shqiptar, në vlerat e prekshme dhe ato të pa prekshme, ku arkitektura zë një vend të rendësishëm. Kjo dukuri, ndonëse vjen si pasojë e një serë dinamikave komplekse sociale, ekonomike dhe kulturore, karakterizohet nga paqartësia e vlerave dhe miteve nga një anë dhe nga ana tjetër nga dëshira e madhe për tu projektuar drejt vendeve të zhvilluara "perëndimore".
Ndërhyrja e vitit 2008, për zgjeriminin e muzeut etnografik të qytetit të Bazelit, në Zvicër, është vepër e arkitektëve Herzog dhe DeMeuron. Qyeteti mesjetar i Bazelit i përmbahet kategorive të ansambleve historike të qytezave me etni gjermane. Gjuha karakteristike e këtyre ndërtimeve pasqyrohet nga sekuenca të vazhdueshme e çative të pjerrta me dy kullime. Në këtë rast, është pikërisht silueta e çative, e cila merret si model frymëzues për nderhyrjen e propozuar; ku koherenca me kontekstin luan rolin më të rëndësishëm në mesazhin që do të përcjelli kjo arkitekturë bashkëkohore. Tabela më poshtë (Fig.3), paraqet proçesin e logjikës kompozitive të ndërhyrjes në fjalë.
Fig. 3
Një ndërhyrje e ngjashme është edhe ajo e vitit 2014, për Filarmonin e Stetinit në Poloni (Mies Van Der Rohe Aëard 2015). Zyra arkitekturore spanjolle, Barozzi dhe Veiga në këtë rast propozojnë një vepër (Fig. 4) e cila i përmbahet të njejtit simbol, pra siluetës së çative të qendrave historike. Ndonëse Stetini sot ndodhet brenda kufinjëve polak, në të kaluarën ai ka qenë një qendër e rëndësishme e Pomeranisë, rajon historik i Europës qendrore me etni Gjermane. Prandaj dhe në këtë rast, i njejti simbol merr një formё alternative, pёrmes shprehisё sё arkitekturёs, duke u kthyer në ikonën e një ndërtimi bashkëkohor të Stetinit.
Fig. 4
Formalisht e ngjashme me ndërhyrjet paraardhëse është propozimi i markatës së Pazarit të ri në Tiranë. Projekti i vitit 2017, nga zyra Atelier 4, është kthyer tashmë në një arkitekturë ikonike të qytetit. Ndërhyrja synon të rijetësojë zonën nëpërmjet një arkitekture e cila promovon vlerat e një qyteti bashkëkohor, nëpërmjet një arkitekture që lidh të kaluarën me të tashmen. Thënë kjo, ndërhyrja, ndryshe nga projektet paraardhës nuk gjenerohet nga konteksti por nga simboli, i cili na rikthen tek çatitë e popujve gjermanik. Tabela më poshtë, (Fig.5) paraqet në të majtë një nga shëmbujt më të mirë, për të përmbledhur vlerat kulturore të arkitekturës identitare shqiptare. Në qendër duket qart se forma, projekti arkitektonik, nuk merr në konsideratë kontekstin, por ispirohet nga simboli i nje kulture tjetër, pra nga një aspekt jo-identitar, në një kontekst ku supozohet të jetë markata historike e qytetit.
Fig. 5
Ashtu siç parashtruam më parë, paqartësia e përmbajtjes në kontekstin shqiptar, vjen si pasojë e krizës identitare dhe e deshirës për të qenë "perëndimorë". Kjo dukuri e cila manifestohet, në të gjitha dimensionet e përditshmërisë sonë, në ndërtim shfaqet nëpërmjet një arkitekture e cila mundohet të përvetësojë simbole të kulturave të huaja, të cilat në imagjinarin kolektiv konsiderohen të zhvilluara. Si pasoje, arkitektura nuk sjell vlera të reja "perëndimore", pasi logjika kompozitive nuk i referohet proçesit "perëndimor" të projektuarit, përmbajtje-formë-simbol dhe anasjelltas.
I ngjashëm me projektin e Pazarit të ri është propozimi i ciftit Tagliabue dhe Miralles. Ai konsiston në ndërhyrjen e së njëjtës tipologji, pra markatës. Në kete rast, forma, mbulesa e pazarit ispirohet nga arkitektura ekzistuese, pak kilometra me tutje. Janë po të njejtët element që karakterizojnë arkitekturën e Gaudi-së që ripropozohen, veshja me elemente qeramike të ngjyrosura dhe linjat sinusoidale, bëhen tema kryesore për mbulonjësen e pazarit në fjalë. Tabela më poshtë (Fig.6), paraqet proçesin e llogjikës kompozitive dhe koherencën kontekstuale, midis përmbajtjes, pra Modernizimit katalanas, formës arkitektonike të propozuar dhe simbolit.
Fig. 6
Nga sa më lart, mund të kuptojmë qart se shumë arkitektë bashkëkohor të huaj nuk iu duhet të largohen nga vendi ku ndërhyjnë, për të gjetur frymëzimin e duhur për propozimet e tyre, pasi të projektuarit do të thotë të interpretosh të ardhmen duke analizuar të kaluarën. Një vepër e drejtë, e mirë dhe si pasojë e bukur, është ajo që pasqyron dhe ekzalton në mënyrë ideale vlerat e kontekstit. Nga ana tjetër, është për tu theksuar se trashëgimia kulturore nuk mbrohet vetëm nëpërmjet muzeve dhe monumenteve, por edhe nëpërmjet arkitekturës bashkëkohore, nëpërmjet transferimit të principeve dhe vlerave ku ajo bazohet, pra te një kulture e caktuar, në një vend të caktuar. Është pikërisht shumëllojshmëria e kulturave të ndryshme që i jep vlerën e shtuar arkitekturës botërore, dhe jo monotonia e një kulture dominuese.
Pazaret historike, ndryshe nga muzeumet, pasqyrojnë në të tashmen kulturën tonë materiale dhe jo, si zakone, sende, produkte apo njohuri të cilat kanë ende një funksion utilitar në përditshmërinë tonë. Në një farë mënyre mund të themi se shumë prej vlerave tona aktive të aspekteve identitare, gjejnë shprehi nëpërmjet pazareve historik të qyteteve.
Ndodh shpesh, dhe për shumë arsye që pazaret historik kthehen nga utilitar për qytetarët, në hapësira ku tregëtohen simbole të vlerave identitare, thënë ndryshe suvenire. Këto hapësira i dedikohen kryesisht turistëve, dhe në kontekstin shqiptar pazari i Krujës (Fig.7) është shembulli më i mirë. Pazari në fjalë ka një karakteristikë të veçantë, pasi aty nuk arrin dot të gjesh një çifteli që të mos ketë të shtypur, apo gdhendur flamurin shqiptar. Në pazarin e krujës duket sikur të vetmet simbole identitare që mund të shiten, janë flamuri kuq e zi, harta e Shqipërise, Skënderbeu ose variante të këtyre tre elementëve.
Fig.7
Përveç turistëve, pazari në fjalë është kthyer në tempull frymëzimi për propozimet arkitekturore të projektuesve të huaj në vendin tonë. Ashtu siç parashtruam më parë, arkitektët perëndimorë kanë një përqasje të caktuar ndaj proçesit kompozitiv. Projekti lind nga një përmbajtje kontekstuale, më pas merr formë nëpërmjet arkitekturës dhe nëse e suksesshme, apo mjaftueshëm e madhe kthehet në një simbol. Kjo arkitekturë, e cila lind pak nga dëshira e mirë për të patur "shpirt shqiptar" e pak nga pamundësia e arkitektëve për tu njohur mjaftueshëm me kontekstin, rrezikon të kthehet në propagandë nacionaliste. Rastet e tre ndërtesave që do shqyrtohen më poshtë, janë një shembull i mirë i kësaj përqasje.
Stadiumi i ri, Air Albania, projekt i studios italiane Archea Associati, ndyshe nga strukturat paraardhëse, karakterizohet nga një funksion i shumëfisht. Në të njëjtën ndërtesë bashkëjetonë stadiumi, hapësirat ekspozuese, qendrat tregëtare, zyra etj. Logjikat kompozitive të këtyre organizmave ndërtimor nuk i përmbahen një arketipi të veçantë, por një forme të përgjithshme të cilat funksionalisht ngjasojnë më tepër me një ene, apo paketim i aftë të mbajë gjithshka kërkohet. Për shkak të dimensioneve të mëdha, këto ndërtesa kthehen në simbole të qytetit, ngjashëm me skulptura gjigande në qiell të hapur dhe me impakt mbizotërues në qytet.
Në rastin e stadiumit, sipas Archea-s, propozimi frymëzohet nga një këngëve shqiptare, me titull "Kuq e zi je ti". Tabela më poshtë (Fig. 8) paraqet proçesin e logjikës kompozitive dhe koherencën projektuale midis përmbajtjes, formës dhe simbolit. Përmbajtja në këtë rast i referohet flamurit, ndërsa simboli një hibridi të përbërë prej arketipit të stadiumit dhe një qiellgërvishtësi. Ky i fundit na rikthen tek simboli i zhvillimit të ekonomisë së tregut të lirë i paketuar me ngjyrat e flamurit.
Fig. 8
Ashtu si ndërhyrja paraardhëse edhe dy projektet në vazhdim, tashmë në fazë implementimi, i përmbahen të njëjtës logjikë, disi reduktiviste dhe me nuanca nacionaliste. Zyra e mirënjohur MVRDV propozon për qytetin e Tiranës dy ndërtesa ikonike, shumw të ngjashme me ofertën e suvenireve të ekspozuar në pazarin e Krujës. Tabelat (Fig. 9, Fig. 10) paraqesin raportin që qëndron midis përmbajtjes, formës dhe simbolit, duke shndëruar veprën arkitektonike literalisht në shumatoren e përmbajtjes dhe simbolit.
Fig. 9
Fig. 10
Ndryshe nga zanatet e tjera, të bërit arkitekturë nuk konsiston në krijimin e verprave të artit e për më tepër suvenireve në shkallë urbane, të paktën në një shoqëri të lirë dhe minimalisht të formuar. Ndryshe nga arti, arkitektura e qytetit i përket të gjithëve dhe gjatë gjithë kohës. Nëse arkitektura kthehet në art, atëhërë kthehet në propagandë. Për më tepër nëse propaganda i përmbahet miteve të së kaluarës, të cilat lindin si përgjigje etnike për të legjitimuar prezencën e tyre në territor, atëherë projektet kthehen në ndërtesa anakroniste me përmbajtje nacionaliste.
Greqia, ndonëse ka ngjashmëri kulturore, gjeomorfologjike dhe klimaterike me Shqipërinë, ka patur një zhvillim tejet interesant në artin e të ndërtuarit. Mendimi arkitektonik, ndër gjenerata projektuesish në këtë vend ka kaluar nëpërmjet një sërë proçesesh, të cilat mund të interpretohen si një rrugëtim nisur nga nacionalizmi drejt rajonalizmit.
Në fund të shekullit XIX lind nje rrymë në arkitekturën europiane e cila në një mënyre apo tjetrën frymëzohet nga kultura mesjetare. Ajo njihet me disa emra dhe zgjidhje formale, si arts & crafts, art nouveau, liberti etj. Në Ballkan, dhe në rastin konkret në Greqi, kjo rrymë pasqyrohet nëpërmjet arkitekturës neobizantine, ku kisha e Shën Andreut (Fig. 11) në Patra është nje shembull i mirë për tu marr në konsideratë. Stili neobizantin, i paketuar me amballazh nacionalist, vjen në ballkan si përgjigja perëndimore më efikase për të marr distancat nga arkitektura vendase, e cilësuar aso kohe si Turke, pra prapanike dhe armiqësore.
Fig. 11
Fig. 12
Rreth viteve 20 të 1900-ës, arkitekt dhe studiues Grek të formuar kryesisht në perëndim filluan të merren intensivisht me kulturën vendase. Synimi i tyre ishte krijimi i një arkitekture autentike, bashkëkohore dhe me shpirt Grek. Një arkitekturë e aftë për të pasqyruar logjikat kompozitive e teknikat më të avancuara të kohës, duke promovuar njëkohësisht vlerat e kulturës vendase.
Fig. 13
Fig. 14
Shtëpia e ndërtuar nga arkitekti dhe etnografi Aristotelis Zakos, në Athine (Fig. 12) e viteve 20 është një shembul i mirë reference. Me shumë mjeshteri ky studiues dhe projektues merr elementet kompozitive të arkitektures tradicionale greke, konkretisht ato te Egjeut, per ti përkulur në një arkitekturë moderniste. Një rast tjetër interesant për tu përmendur është veprimtaria e arkitektit dhe artistit Dimitri Pikionis. Në ndërhyrjen e shëtitores që çon në akropoli (Fig. 13), vendos të marri pikerisht elementet e arkitekturës spontane, dhe jo ato klasike apo bizantine sic kishin vepruar parardhesit e tij. Arkitekt të tjerë gjtatë gjysmës së dytë të shekullit XIX vazhduan në të njëjtën linjë. Imazhin më lartë (Fig. 14) paraqet veprën e një tjetër arkitekti të madh, me ketë shtëpi pushimesh në bregdetin grek të vitit 1961. Aris Kostandinidis, rikonfirmon në shkrimet dhe veprat e tij se arkitektura e vërtet eshte ajo indigjene (autoktone), pra një arkitekturë e mire dhe e bukur konsiston në sa drejtë pasqyron vendin dhe kontekstin kulturor ku ajo zë vend.
Nga sa më lartë, mund të kuptojmë qart se rymat dhe stilemat arkitektonike të importit perëndimor, kanë qenë dhe janë ende të pa afta për të shprehur qart kulturën dhe psiken ballkanike. Arkitekt si Pikionis, Zakos, Kostandinidis etj. janë formuar dhe kanë ligjëruar në akademitë dhe institutet teknike Gjermane. Ata e njihnin mirë arkitekturën "moderne" frymën industrialiste të deutscher werkbund dhe shkollën Bauhaus. Por ata kurre nuk bënë gabimin e parardhësve të tyre, të cilët limitoheshin të importonin stilemat perëndimore. Ata integruan mendimin arkitektonik gjerman me kulturën dhe burimet vendase. Ata nuk kopjuan çati të pjerrta e as struktura me xham e çelik, por u munduan të vëzhgojnë e të kuptojnë kontekstin, të lexojnë e të shkruajnë qartë preardhjen dhe aspiratën e tyre.
Çdo send, qenie, individ, shoqëri, manifestim apo arkitekturë e ka vlerën e shtuar te karakteristikat që e veçojnë nga të tjerat. Cilësia e gjësë varet nga aftësia për të nxjerr në pah veçoritë dalluese, me synim për krijuar një karakter unik dhe autentik.