Të dhëna mbi projektin
-
Studio
ab Group
-
Faqja e Studio
-
Tipologjia
Commercial
-
Statusi
Completed
-
Viti i ndërtimit
2016
-
Photography
Arianit Loxha, Behar Dyla
-
Ekipi
Arianit Loxha, Behar Dyla
Përshkrimi
Klienti “CARE Intenational”, (organizatë ndërkombëtarë dhe Agjencia Austiake për Zhvillim), u ofrua për komisonimin e një projekt/objekti, në Komunën e Suharekës, me idenë e krijimit të një HUB-i të agrikulturës për bujqit e krahinës. Pra, për krijimin e një ambienti për tregëtim dhe prodhim të produkteve të agrikulturës, pa pasur nevojë për ndërmjetësues, por nga vetë fermerët.
Ideja fillestare ishte e mrekullueshme por buxheti ishte i pamundur.
Kërkesat e klientit ishin mjaft të thjeshta dhe të qarta: artikulimi i një hapësirë lehtësisht të qasshme si nga prodhuesit ashtu edhe nga qytetarët, si dhe një hapësirë ekspozuese dhe tregtore, për të gjitha produktet e krahinës. Lugina e Suharekës është mjaft e njohur për produktet e saj të agrikulturës, sidomos të hardhisë së rrushit, dhe jo vetëm në Kosovë.
Këtu pra, i jepet rëndësi veçanërisht hardhisë së rrushit, por jo vetëm.
Objekti “Theranda Market” është i vendosur në hapësirën e tregut të qytetit të Suharekës.
Ai mbulon një hapësirë rreth 1000 m2 nga e cila, 800 m2 është e mbyllur. Vlen të përmendet se objekti është realizuar me një buxhet minimal, me vlerë rreth 170 000 euro (170 euro/m2), që në thelb është vetëm me gjysmën e kostos së objekteve të banimit në këtë krahinë.
Pra, sfida e vjetër e Diranit (Ark. francez) i cili thotë: “...arkitekti në princip ka vetëm dy detyra: Së pari, të projektojë dhe ndërtojë objekt sa më funksional, sa më të madh dhe estetik të mundshëm, së dyti, ta ndërtojë atë me koston më minimale të dhënë”.
Ky narracion racionalist ishte frymëzim për ne dhe kjo në fakt ka qenë arsyeja kryesore që na bëri ne të “AB GROUP” të pranojmë këtë sfidë dhe realizimin e këtij projekti.
Frymëzimi kryesor për këtë objekt buron nga përdorimi i materialeve bazë të ndërtimit, të cilat gjenden në këtë krahinë dhe kryesisht janë druri, guri dhe patjetër qelqi, si material i paevitueshëm në arkitekturën bashkëkohore. Gjithashtu thjeshtësia dhe dinamika tektonike e kësaj treve e munduar të imitohet përmes kulmit masiv.
Objekti i “Theranda Market” jo vetëm që plotëson kërkesat e klientit dhe kushtet urbane, por edhe në filozofinë e kontrollit pasiv të energjisë, merr parasysh shfrytëzimin sa më racional të energjisë diellore. Hyrjet në objekt janë në aksin Veri–Jug, përderisa për nga hapjet objekti është më i kursyer në Lindje në krahasim me Perëndimin, kjo edhe për shkak të mbajtjes se kushteve mikro-klimaterike sa më konstante brenda objektit, për hir të produkteve të ekspozuara.
Planimetria e objektit është plotësisht fleksibël dhe artikulimi i interierit të saj për ekspozimin e frutave, perimeve, bulmetit, mjaltit, verës, luleve etj bëhet përmes vetëm një elementi, përmes tezgës ekspozuese.
Tezga po ashtu është dizejnuar nga "AB GROUP" dhe prodhuar enkas për nevojat e projektit/objektit në fjalë
Vendndodhja
Theranda, Suva Reka, Kosovo