Të dhëna mbi projektin
-
Studio
Tharm Architects
-
Faqja e Studio
-
Tipologjia
Industrial, Offices
-
Statusi
In construction
-
Viti i ndërtimit
2021
-
Kate
3
Përshkrimi
“Muratura”, e vendosur në zonën industriale të qytetit të Kamzës, është një objekt i tipit industrial i cili parashikon funksionet e magazinimit dhe ambienteve të zyrave.
Projekti “Muratura” diktuar nga forma gjatësore e sheshit ku ndodhet, është i zhvilluar gjithashtu sipas aksit gjatësor. Volumi i objektit është i vendosur paralel me rrugën me të cilën bëhet hyrja në objekt.
Morfologjia volumore imiton një “mur” përgjatë kufizimit të rrugës. Shpërndarja e funksioneve është e bërë në nivele të ndryshme katesh, të cilat evidentohen si volume të veçanta. Volumi i parë, apo kati përdhe që do të shërbejë për funksionin e magazinimit, parashikon kalimin e mjeteve të mallrave në pika hyrjeje dhe daljeje në objekt. Dy volumet më lart, do të shërbejnë si ambiente për zyra, ose ambiente me destinacion të ndryshueshëm.
Duke marr shkas nga tipologjia e zonës, projekti përdor si koncept të tij “muraturën”, e cila simbolizon karakterin zhvillues dhe “ndërtues” që ka industria në shoqërinë njerëzore.
Sipas përcaktimit në fjalor, mur do të quhet “ndërtim i gjatë e i ngushtë me tulla, me gurë a me qerpiçë, të lidhur zakonisht me llaç, me baltë etj. që përbën pjesën anësore të një ndërtese ose shërben për të ndarë dhomat, për të rrethuar një oborr a një kopsht etj.”
Për të zbatuar parimin e funksionimit të një muri, volumet e projektit sfazohen me njëra-tjetrën duke u përngjarë “tullave” të një murature. Ndryshe nga një mur i mirëfilltë, ai është “i ndërtuar” në një formë më të abstraktuar.
Kjo pasi “tullat” nuk vendosen mbi njëra-tjetrën siç e kërkon zakonisht një muraturë; në këtë rast volumet e objektit lidhen duke u ndërfutur. Lëvizjet e volumeve në drejtimin gjatësor janë më të fuqishme, duke nxjerrë një volum të dalë konsol nga njëri drejtim, ndërsa në tjetrin objekti mbështetet në kafazin shkallë-ashensor. Edhe në drejtimin tërthor volumet tërhiqen në mënyrë graduale duke krijuar një shkallëzim të butë që lë vend për tarraca të gjelbra.
Tulla në këtë projekt është përdorur jo vetëm në koncept, por edhe si material. Fasadat gjatësore janë të veshura me tullë, ndërsa faqet tërthore një pjesë të veshura me fletë llamarine të zezë. Dritaret elegante vertikale janë të ndara në njësi modulare dhe alternohen në çdo kat duke krijuar ritëm në kompozimin e fasadës. Llamarina gjithashtu është përdorur në kornizat e dritareve, si edhe në formë rrjete me vrima në parapetet e tarracës dhe murin rrethues të objektit. Materialet mbizotëruese janë tulla, metali, xhami; materiale që përshtaten me tipologjinë industriale.
Një element tjetër i rëndësishëm është dhe gjelbërimi në çdo platformë të volumeve, i cili jep një efekt gjallërues dhe qetësues.
Objekti “Muratura” në vetvete është mjaft dinamik që përfaqëson një ambient prodhues dhe aktiv, por njëkohësisht është i përmbajtur në lidhje me kontekstin urban.
Vendndodhja
Kamëz, Tirana, Albania