Të dhëna mbi projektin
-
Studio
X-plan Studio
-
Faqja e Studio
-
Arkitekti
X-plan Studio
-
Tipologjia
Offices
-
Statusi
Completed
-
Viti i ndërtimit
2019
-
Kate
4
-
Photography
Liridon Cani
Përshkrimi
Objekti nuk është frymëzuar nga konteksti urban, për vet faktin se ndodhet në një zonë ekonomike krejtesisht te re, ku çdo objekt përreth shpreh më tëper shijet individuale dhe plotëson fuksionin bazë të tyre si magazinim,showroom-e, apo shërbime dhe zyra duke respektuar më tepër ligjet në fuqi për lartësinë maksimale apo distancat urbane. Në këtë pikë jemi treguar pak egoistë dhe qëllimin tonë e arrijmë duke shfrytëzuar sipërfaqen e madhe të pronës dhe qasjen e saj me rrugën kryesore.
Që në pamje të parë arrihet të lexohet thjeshtësia e objektit e përbërë nga 6 volume të bardhë të cilat ngrihen dhe ulen në lartësi, tërhiqen e dalin në horizontalitet duke simbolizuar pistonat e një motori. Një motor ekonomik që shfaq forcën dhe madhështinë e vet kompanisë farmaceutike. Gjetja e një ekuilibri midis simbolizmit arkitektonik dhe fuqisë ekonomike të ndërthurura në një shikim të vetëm që në momentin e parë është edhe suksesi i këtij dizajni. Është diçka që ne nuk e kuptojmë por e ndjejmë.
Trajtimi i eksterierit të objekteve me fasadë të bardhë “xham-spider” të printuar është bërë që të lexohen si një të vetëm, por njëherazi dhe të shkeputur… Duke shfrytëzuar teknologjinë, nëpërmjet printimit me pjekje në xham, kemi printuar një siluetë të lehtë ngjyrash farmaceutike të vazhduar në të 6 volumet, kjo për ti dhënë identitetin e vet objektit që në pamjen e parë dhe jo nëpërmjet reklamave apo tabelave që jemi mësuar ti shohim rëndomë.
Volumet në pjesën e brendshme janë funksionale, zyra dhe salla takimesh. Objekti gjithashtu sillet si një volum i vetëm i bardhë dhe të tërhëqë vemendjen. Kur afrohesh ose ndodhesh poshtë tij, volumet luajnë dhe duket sikur vallëzojnë në çdo hap tëndin. Ato shfaqen dhe zhduken nga njëri tjetri përgjatë gjithë fasadës duke të shtyrë të vizitosh objektin nga fillimi në fund, duke mos përceptuar kështu në asnjë moment të njëjtën pamje.
Vlen të përmendim dizajnimin e ambienteve të brendshme në këtë objekt, ku që në momentin e hyrjes spikat holli qëndror me madhështinë e tij prej 4 katesh atrium në formë rrethi me diameter 16m. Ky atrium është i aksesueshem në të gjitha katet nëpërmjet shkallëve kryesore që janë dhe elementi kryesor i tij. Këto shkalle gjithashtu përfaqësojnë një arritje dizajni dhe guximi, theksojmë këtu faktin që shkalla në formë elipsi qëndron tangente brendashkruar rrethit (soletës) e cila gjithashtu është 4.5 m konsol nga kolonat bazë.
Teknologjia bashkëkohore në këtë objekt është ndërthurur fortë me dizajnin duke e kthyer ndoshta në një nga objektet e vetme në Shqipëri ku është përdorur një teknologji të tillë qoftë në aumatizim por dhe në infrastrukturën elektro/mekanike të të gjithë objektit. Ndriçimi, sallat transparente, shtrimi dhe mobiljet e zgjedhura me kujdes dhe të dizajnuara nga kompanitë më në zë italiane dhe gjermane, i shtojnë vlerën arkitektonike dhe i bëjnë ambientet tepër komode për punonjësit dhe vizitorët.
Vendndodhja
Tirana, Albania