Të dhëna mbi projektin
-
Studio
Leonita Memedi
-
Arkitekti
Leonita Memedi
-
Faqja e Arkitektit
-
Tipologjia
Commercial
-
Statusi
Project Idea
-
Sipërfaqja
35800 m2
-
Ekipi
Udhëheqësi i diplomës Prof. Dr. Misko Ralev
Përshkrimi
Të blesh si fenomen ekziston që nga koha e hershme e njerëzimit për të përmbushur nevojat e tyre, kurse tashmë ky aktivitet është i domosdoshem për çdo njeri. Ndryshimi i mënyrës së tregtisë, rritja e nevojës për tregti, shumëllojshmëria e produkteve dhe zhvillimi teknologjik, kanë sjellë deri në formimin e qendrave tregtare. Sot, qendrat tregtare planifikohen në mënyrë të përshtatshme me arkitekturën e kohës duke ofruar kështu vëllime interesante dhe funksione të larmishme, që të tërheqin sa më shumë vëmendjen e qytetarëve. Edhe pse qendrat tregtare janë prona private të cilat janë të orientuara drejt fitimit personal të investitorëve, përsëri dikush mund të kalojë një ditë të tërë në to, pa bërë ndonjë pazar. Pra, kjo është arsyeja pse qendrat tregtare i cilësojnë po ashtu si hapësira të reja publike, sepse njerëzit i preferojnë ti vizitojnë edhe në qoftë se nuk kanë nevojë për blerje. Qendrat tregtare janë bërë një fenomen i domosdoshëm për njerëzimin që nga shfaqja e tyre. Prandaj, ky punim synon të tregojë fenomenin e qendrës tregtare, tipologjitë dhe trendin e zhvillimit në të gjithë botën. Kjo qendër tregtare është parashikuar të vendoset në lagjen “Novo Lisiçe” në Shkup, ku nga ana veriore kufizohet me Parkun e qytetit, nga ana perëndimore me lumin “Vardar” dhe nga ana jugore me objekte të orientuara për banim. Përzgjedhja e kësaj vendodhjeje është vendosur për shkak të pozicionit të përshtatshëm që ka për të projektuar një qendër tregtare, pasi ndodhet në periferi të qytetit të Shkupit, pra 5 km larg prej qendrës së Shkupit. Qëllimi i këtij studimi është të përshkruajë, interpretojë dhe reflektojë në zhvillimin e koncepteve të sotme të qendrave tregtare. Në këtë temë, qendrat tregtare pranohen si hapësira publike urbane. Pra, qëllimi i studimit është filluar në bazë të cilësisë së hapësirave publike urbane të qendrave tregtare. Studimi gjithashtu përfshin edhe hulumtimin mbi përkufizimet dhe teoritë e sferës publike, hapësirës publike dhe urbanizmit, si dhe ndërveprimin e tyre me konceptet e projektimit të qendrës tregtare. Objekti I projektuar i përket tipologjisë së Qendrës Tregtare Hibride, që duhet të prezantojë një koncept të ri arkitektonik dhe duhet ti pershtatet rrethit ku gjendet. Qendrat hibride paraqesin një mënyrë të tregtisë pasi I ofrojnë të gjitha kushtet për qytetarët. Ambientet e kombinuara në një qendër të vetme i japin klientit komoditetin e furnizimit, duke ofruar shumëllojshmëri te dyqaneve, duke pasur ambientin natyror dhe pamjen e jashtme e cilia është vizualisht më e pasur. Qendra tregtare hibride e projektuar ka sipërfaqe të përgjithshme prej 35.800 m2. Kjo sipërfaqe e madhe është për shkak të funksioneve të shumta që ky objekt zotëron. Qendra tregtare përbëhet nga një nivel nëntokësor, kati perdhe dhe 3 kate (Bo+P+3), ndërsa pjesa e administrates dhe hotelit përbëhet nga kati perdhe dhe 13 kate (Bo+P+13). Koncepti I objektit në fillim është menduar që të ketë një hapësirë publike dhe i gjithë objekti të ketë qasje të lirshme nga jashtë dhe të mos ketë komunikim vetëm në brendësi te objektit. Kurse komunikimi vertikal nga pjesa e jashtme e objektit është bërë me rampa dhe shkallë, ndërsa pjesa e hapësirave publike është menduar të shfrytëzohet me tarracat e objektit. Në bazë të analizave të kryera, erdhëm deri në formën përfundimtare të objektit ku volumi është ndarë në vëllime të veçanta për secilin funksion, por në brendësi do të funksionojë si një i tërë në bazë të komunikimit vertikal dhe horizontal. Meqë pjesa më e rëndësishme e qendrave tregtare është komunikimi, atëherë si element kryesor për zgjidhjen ideale të funksionit të qëndres tregate u krijua komunikimi vertikal dhe horizontal i të gjithë objektit. Pjesa horizontale e komunikimit është shumë e rëndësishme sepse është një sfidë për projektuesin që të krijojë një model unik në prezantimin e qarkullimit. Funksionaliteti dhe cilësia e projektit varen shumë nga zgjedhja e saktë e komunikimit horizontal. Në varësi të qendrave tregtare ndryshon edhe mënyra e komunikimit, por në këtë qendër tregtare hibride komunikimi horizontal përbëhet nga: hyrja, korridoret dhe tarracat. Kurse, vendosja e duhur e komunikimit vertikal është çelësi kryesor i lidhjes midis qendrës tregtare dhe ndërtesës nga kati përdhe me katet e sipërme, duke ju mundësuar kështu këmbësorëve të vizitojnë të gjitha dyqanet me një pamje vizuale të pastër dhe të bukur. Nga ana estetike, objekti i përket arkitekturës moderne dhe ka formë interesante, ku në fasadë dominojnë vijat horizontale dhe tarracat të gjelbërta. Parmakët janë lidhur me fasadën e objektit që të mos dominojne vizualisht, por edhe që I gjithë objekti të duket si një tërësi. Meqë qendrat tregtare konsiderohen si hapësira publike, ku njerëzit mund të kalojnë një kohë të gjatë brenda tyre, atëhere mund të themi se kjo qendër tregtare hibride është e suksesshme përshkak të tipologjisë së ndërtesës që ka, po ashtu edhe funksioneve dhe aktiviteteve të ndryshme që ofron si hapësirë për të gjithë qytetarët, pavarësisht moshës, gjinisë apo nacionalitetit.
Vendndodhja
Skopje, North Macedonia