(Shqip)
Koço Miho lindur në Gjirokastër në 1924, një nga profesionistët më të shquar urbanist dhe arkitekt Shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore. Menjëherë pas Luftës, ku si patriot u bë pjesë si partizan i Brigadës së VIII sulmuese, u shkollua në Moskë në vitet 1948-1953. Pas diplomimit angazhohet në strukturimin e institucioneve kryesore të projektimit në vend, në fillim si drejtues i ndërmarrjes “Projekti” më vonë i quajtur Instituti i Projektimeve Nr.1, për tetë vite dhe më vonë në drejtim për 13 vjet të urbanizimit të kryeqytetit me statusin e Kryearkitektit të Tiranës.
Paralelisht ndikoi rëndësishëm edhe në strukturimin e degës së Urbanistikës dhe Arkitekturës pranë Universitetit Politeknik të Tiranës ku ishte pedagog për 10 vite. U qarkullua nga regjimi i asaj kohe në vitin 1974 në qytetin e Durrësit në detyrën e punonjësit me të thjeshtë të urbanistikës së qytetit, si ndërshkim për autoritetin dhe personalitetin e pakompromis, i cili e spikaste në drejtimin e Institucioneve më të rëndësishme kombëtare të urbanistikës dhe ndërtimit në përgjithësi. Kjo ngjau, ndoshta për konçidencë, në kohën kur sapo ishin diplomuar disa prej bijve të ish-byroisteve të Partisë së vetme në pushtet dhe drejtpërdrejtë familjes Hoxha. Gradualisht Koço Miho u “rehabilitua” në vendin, që i takonte formimit të tij me projektet më të rëndësishme të strukturës së qytetit të Durrësit në rolin e drejtuesit. Në qytetin e Durrësit përfundoi edhe karrierën profesionale në moshën e pensionit, duke mos u ndalur deri në fund të jetës së tij me përkushtimin ndaj profesionit me botime monografish për arkitekturën.
U veçua për projekte të rëndësishme të kohës si Pallati i Sportit Partizani 1963, sot “Asllan Rusi”, Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë Popullore apo siç njihet SHQUP, sot selia qendrore e Partisë Demokratike, Stadiumi Dinamo, Fakulteti Histori - Filologji, Kinema Partizani, ish- Ambasadat Çeke dhe Bullgare, Masterplanin e hyrjes së Durrësit me përfshirjen e projektit të Stacionit hekurudhor të Durrësit, formulimin urban të sheshit të stacionit, projektimin e rezidencave shumëfamiljare, parqet pjesë të kompleksit rezidencial dhe me dhjetëra banesa në qytetin e Tiranës dhe Durrësit. Autor i disa monografive Amfiteatri i Durrësit, Shqipëria Vështrim Urbanistik, Trajta të Profilit Urbanistik të qytetit të Tiranës, Arkitekt Kristo Sotiri, Historia e Arkitekturës në Shqipëri vëll.2.
Në kujtimet e tij Z. Orhan Sakiqi, inxhinier i ri në kohën kur Koço Miho drejtonte institucionin shkruan: “… Ai ishte burrëror, nuk servilosej përpara eproreve dhe ishte mbrojtës i vartësve të tij, për çdo lloj problemi qoftë edhe personal”
Në vitet e para të kthimit nga studimet në Moskë në arkitekturën Mihos ndjehet qartë influenca e shkollës Sovjetike dhe “frymës” së përgjithshme profesionale të cilën ai e jetoi atje. Qartësisht duket tek godina e “Fakultetit të Histori Filologjisë” apo “Kinema Partizani” të modeluara në trajtat e arkitekturës së spikatur neoklasike Sovjetike eklektike e cila kish dominuar periudhën Staliniste të viteve 1933-1955, e përhapur ndjeshëm madje në të gjitha vendet e “Bllokut Lindor” të Traktatit të Varshavës në objektet më të rëndësishme publike. Ndërkohë, të tjera infuenca të kësaj fryme të përgjithshme në ndërtim nga autorë të tjerë, ishin ato të ashtuquajturat “Pallatet e Shallvareve” dhe “Pallatet Agimi”. Thyerja politike me BS e Hrushovit, pas vdekjes së Stalinit me sa duket ndikoi drejtpërdrejtë edhe në tejkalimin e imponimeve psikologjike të disa “kanoneve” të vendosura nga “baballaret” e internacionalizmit proletar ndërkombëtar nën dogmën e realizmit socialist në të gjitha artet, ashtu si edhe në arkitekturë. Me sa duket një “wind of change” e kohës u përcoll edhe tek ata që drejtonin sektorin e projektimit.
Ja si shprehet Kolevica për kohën kur filloi punë në ndërmarrjen “Projekti” në librin e tij “Arkitektura dhe Diktatura”(fq73): “Më dhanë të projektoja nje kopësht femijësh në Vlorë dhe Koço Miho atë kohë kryeinxhinier, më tha të kisha parasysh si model një foto të një objekti të tillë, nëse nuk gaboj, të ndërtuar në Kaliforni. Mua më dukej çudi që ma thoshte ai këtë, e më bënte të mendoja, se kishte ardhur koha të dilja nga kornizat e arkitekturës Sovjetike të importuar deri atëhere.”
Janë pikërisht këto momente kur Koço Miho projekton pallatin e Sportit Partizani. Godina lindi si nevojë e Pasluftës për të patur objekte të rendësishme të jetës në vend ku edhe sporti do duhej përfaqësuar. Kushtet ekonomike ishin tepër të vështira dhe nga të gjithë ata profesionistë të rinj të cilët drejtonin sektorë kyçe përpjekja ishte maksimale që çdo investim të kalohej në “vrimën e gjilpërës” për sa i përket kostove që do të sillte në buxhetin modest të planeve 5 vjeçare të kohës.
Koço Miho si drejtues i Institutit te Projektimit Nr.1 në atë kohë i propozon strukturave të shtetit, Ministrisë së Ndërtimit në atë kohë, të shikohej mundësia e shfrytëzimit të strukturave ekzistuese të hangareve të avioneve që ushtria Italiane kish lënë të ndërtuara pas kapitullimit të saj. Hangaret ishin funksionale me dalje nga pista e njohur e fluturimit ne Jug, por ajo kishte lidhje shumë te drejtpërdrejtë edhe me rrugën e Durrësit në Veri. Pozicioni pamvarësisht se ishte për atë kohë tepër larg nga qendra e qytetit, premtonte në sytë e një urbanisti si autori për t’u shdërruar në një gjurmë mbresëlënëse në strukturën e një qyteti në formim e sipër. Kontakti i drejtpërdrejtë me njërën nga dy rrugët kryesore të hyrjes dhe daljes në qytet, por edhe me Unazën e Madhe të Tiranës, e cila kish qenë pjesë e Planit Rregullues Italian po e konfirmuar edhe nga profesionistët vendas më pas, e bënin objektin pjesë të një konteksti urban të mirë identifikuar.
Kthyer në retrospektive, ishte vizionare dhe më shumë personalitet profesional të vendosje një objekt të asaj rëndësie në atë rreze largësie nga “Sheshi Skënderbej”. Vetë objekti më pas u kthye si pikë reference dhe identifikimi për një pol të rëndësishëm të ri banimi si “Lagja e Laprakës”. Pranimi i pozicionimit të pallatit të sporteve të lojërave me dorë nga funksionarët e kohës ishte sigurisht i ndërlidhur edhe me faktin që po propozohej përshtatja e një strukture ekzistuese, që do të thoshte shumë herë më pak Lekë investim dhe që në organet më të larta Partiake do të reklamohej si e tillë dhe sigurisht që do të ishte e parefuzueshme. Ishte pikërisht kjo pikënisja e projektit të pallatit të sportit “Partizani”, por që në vetvete përbënte një sfidë profesionale, dhe jo vetëm, si për nga përshtatja e standarteve sportive ashtu edhe të teknologjisë ekzistuese me strukturë metalike të mbulesës së hangarëve. Nga ana tjetër objekti duhet të ishte edhe përfaqësues në vetvete si objekti më i rëndësishëm i sportit (pas stadiumit Qemal Stafa), që po ndërtohej dhe që do të përfaqësonte edhe shtetin e ri të Pasluftës në aktivitete ndërkombëtare. Por një “sfide e vogël” e brendashkruar tek madhja ngacmonte sedrën profesionale të autorit të ardhshëm të veprës për të lënë edhe gjurmën individuale tek një vepër kaq të rëndësishme kombëtare. Dhe sfida brenda sfidës nuk ishte me veten se vetëm çfarë ai do të mund të krijonte individualisht apo si do ta mirëpriste publiku profesional dhe jo profesional, por shumë më tepër. Si do të “përtypej” nga udhëheqësi i cili sipas edhe rrëfimeve të autorit ishte në kontrollin e çdo objekti të rëndësishëm që projektohej në vend dhe veçanërisht në Tiranë.
Koço Miho brenda vetes kish tejkaluar ndrydhjen e imponimit të arkitekturës neoklasike Sovjetike pasi ndërkohë kishte ndodhur “de facto” shkëputja nga influenca e drejtpërdrejtë e diktatit suprem Rus. Provat e para ishin bërë me arkitekturën “e thjeshtë” racionaliste të justifikuar më kuptueshëm edhe me kursimet në investime. Por ky moment psikologjik fliste ndryshe … Objekti do duhej nëpërmjet arkitekturës ta shfaqte rëndësine e tij … po si?
Objekte të tilla “luajnë” në volume me proporcione të ndjeshme në hapesirën urbane që formulojnë dhe nga ku edhe perceptohen. Do ishte një objekt “i thjeshtë” përsëri? Po sa i thjeshtë?
Këto ishin prag pregatitje të vetes me sfidën që e priste dhe në fakt sfida e artistit brenda unit e kapërceu hendekun e frikës ndaj përballjes me rrezikun real që mund të identifikohej si ndërshkim për tejkalime të “pritshmërive” të realizmit socialist. Arkitektura e vijave të drejta “Le Corbusier-ane”, racionale, por hera herës me “shpërthime”, perfeksionizmi i ndërthurjes së arkitekturës me inxhinierinë nga Nervi apo postulatet e Manifestit të Arkitekturës Futuriste të Antonio Sant Elias në 1909 e frymëzojnë për të transmetuar impulsin e energjisë identifikuese të objektit sportiv pikërisht tek momenti i funksionit të hyrjes në sallë që është edhe ballafaqimi kryesor i objektit me kontekstin urban. Arkitekti këtu e kupton që çelësi i ndërhyrjes dhe “sforcoja” kryesore, madje edhe vetme ekonomike për të krijuar identitetin e objektit gjendet eskluzivisht në fasadën kryesore, e cila prezantohet në një perimeter rreth 100m gjatësi nga rruga e Durrësit.
Shtrirja në horizontalitet e objektit kushtëzohet nga lartësia e hangarit ekzistues, por edhe normat e lartësisë së sallave te lojrave me dorë që nuk i kalojnë 12 m lartësi, ndërkohë që gjatësia e hapësirës së hangarit kryesor dhe një hangari tjetër ekzistues korrespondojnë me gjatësinë përcaktuese 100m. Horizontaliteti i “ekzagjeruar” me sa duket kërkonte thyerje dhe elementi i duhur “gjendet”. Ai nuk ështe një volum i shtuar nga faqja e rrafshet e volumit kryesor, jo … janë në fakt dy shkallë ekspresive të modeluara si “V” që orientojne publikun në hyrjen drejt dy tribunave të sallës kryesore të lojërave me dorë.
Por kjo nuk mjafton, duhej gjetur mesa duket edhe një element tjetër për të “thyer” linearitetin e “fortë” të kondicionuar. Autori e gjen me valëzimin e përfundimit të objektit në lartësi, duke krijuar një siluetë sa identifikuese aq edhe të çlirët, duke e çtensionuar ngurtësinë e horizontalitetit të “ekzagjeruar”. Por identiteti i objektit nuk mund të kuptohet edhe pa gjetjen e elementit të tretë, por po aq të rëndësishëm. Duket sikur trupi i objektit do kish qenë po njësoj në qoftë se autori nuk do kish “shpikur” elementin gjysëm transparent në trajtën e një “perdeje” të teksturuar bris-soleil-i, funksionale për të mbuluar dhe krijuar gjysëm intimitetin e hyrjes së sportistëve, ndarë qartazi nga hyrja e publikut. Puzzle-i i dilemave krijuese mesa duket këtu përmbushet dhe autori, po të hulumtosh më thellë në arkitekturën e objektit, nuk shpenzon më tepër në krijimtari apo edhe ekonominë e objektit.
Një tjetër objekt nga më të rëndësishmit e spikatur të karierës së tij profesionale është Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë Popullore apo SHQUP siç njihej ndryshe (sot selia qëndrore e PD). Ish Ministri I Mbrojtjes Beqir Balluku e therrët në zyrën e tij dhe i kërkon me urgjencë projektin për realizimin e një ndërtese ku oficerët e ushtrisë të kishin mundësi të mblidheshin me njëri-tjetrin për organizime të ndryshme. Urgjenca vinte nga vetë Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura siç njihej asokohe nomenklatura më e lartë ushtarake që njësohej me rolin e Sekretarit të Parë të Partisë së Punës apo me vetë ish-diktatorin Enver Hoxha. Kjo, Koços në rolin e drejtorit te Institutit te projektimit Nr.1 ju përcoll shpehimisht nga Ministri pasi e tillë mesa duket kishte qenë edhe kërkesa e papritur. Sipas rrëfimeve të autorit i kishte kërkuar vetëm 4-5 dite kohë për t’i propozuar nje objekt dinjitoz për këtë objekt që do mund të identifikonte fytyrën e Ushtrisë Shqiptare të kohës.
Për Ministrin prioritet kishte koha, madje objekti mund të ishte fare i thjeshtë pasi sipas tij nuk kishte shumë para shteti për një investim të tillë. Përgjegjësia e autorit ishte jo vetëm profesionale porse doza e vështirësisë së momentit kishte të bënte me kohën tepër të ngushtë por mbi të gjitha me pritshmëritë e nr. 1-shit për një vepër që duhet të fliste me “forcën” e prestigjit. Netë pa gjumë për konceptimin dhe prezantimin me skica të idesë për Sekretarin e Parë ndaj të cilit ashtu si edhe në rastin e pallatit të Sportit ankthi ishte, se si ai do ta priste. Autori në ditën e premtuar i dorëzon projekt idenë Ministrit, ë cili as që nuk priti të komplimentonte para se të shprehte menjëherë merakun se do ishte një objekt me kosto i cili mund të mos mbështetej për investimin që do mund të kryhej për këtë institucion të ri. Ankthi i pritjes shoqëron autorin. Shqetësimi si do të ketë mundur t’ja prezantojë Ministri? , por mbi të gjitha si do e ketë pritur AI. Pritja zgjat jo më tepër se një javë pasi urgjenca dukej të ishte reale për diktatorin. Fytyra e Ministrit në takim spikaste një buzëqeshje të thellë e cila nuk të linte të kuptoje asgjë tjetër përveçse miratimit nga vendimarrësi. “Sa më shpejt shoku Koço … e kuptoni vetë - thotë Ministri”.
Autori tregon gjithçka me emocion që kishte përjetuar drejtpërdrejtë. Në rrëfimet profesionale, përtej ankthit, autori rrëfen përjetimin e zgjidhjes kompozicionale të arkitekturës së objektit, duke referuar rëndesinë e jashtëzakonshme të hyrjes së tij nga një rrugë e rëndësishme e strukturës së qytetit.
Autori që në momentin e parë e sheh objektin si një trup që duhet të qëndroj aq solid në perceptimin monumental të rëndësisë që mbarte sa edhe i lehtë në peshën vizuale. Kjo lehtësi vjen e kontekstualizohet harmonikisht dhe me gjelbërimin, i cili bëhet protagonist i zhvillimit urban arkitektonik të parcelës. Jo vetëm mbjellja masive e perimetrit të brendshëm të rrethimit të objektit me drure halore jo-gjetherënëse gjatë gjithë harkut vjetor, por edhe elemente të mirëfillta të peisazhit dhe rekreacionit siç ishte që në hyrje “loja” me pellgje ujore dhe një bar-kafe rekreacioni e mirënjohur më vone si elementi funksional më i rëndësishëm për takimin e ushtarakëve përtej petkut të seriozitetit të uniformës si njerëz e miq.
Fasada ballore e objektit në perceptimin e parë ngjan në një ekuilibër perfekt vizual me një rrjet të rregullt brisoleilash vertikale të cilat duket sikur përsëriten rregullisht në të gjithë gjatësinë e fasadës. Por në fakt nuk është tamam kështu, pasi objekti në fakt gjendet në një ekuilibër perfekt, por dinamikë të “fshehur”. Rregullsinë e “thyen” blloku volumor vertikal i shkallës kryesore të hyrjes i cili duket se e nxjerr objektin nga ekulibri, por duke qenë pikërisht ai në fakt që luan me siluetën e objektit, duke u përfshirë në një bllok volumor me katin përdhe të objektit në vendosje të ekuilibra të tjerë, që ndryshe në arkitekturën moderne mund të cilësohen edhe si ekulibra dinamike.
Ngritja jo rastësore e volumit të shkallës (funksionalisht me dalje në tarracë) kulmon me elementin e shtizës ku valëviste flamuri kombëtar. Autori “luan” gjithashtu me efektin vizual në përforcimin e ceremonialitetit të përjetimit të objektit me një rrugëtim të nisur nga hyrja kryesore e rrethimit të jashtëm, të hapur në formën e një sheshi me pjerrësi të lehtë 3%. Rrugëtimi ndërpritet jo rastësisht nga një platformë e ngritur me rreth 50cm me tre këmbë shkallë rreth 10m para hyrjes kryesore tek e cila duket se shkarkon "pesha” vizuale e masës e volumore të objektit.
Në vazhdimësi ne rolin e Kryearkitektit të Tiranës Koço Miho mbledh rreth vetes profesionistë të talentuar, që spikatën si Maks Velo, Feri Dishnica, Fatbardha Daja, etj. Në këtë periudhë për kryeqytetin ishte e rëndësishme ndërtimi i lagjeve të reja për banorët e rinj të cilët migruar nga qytetet e tjera të Shqipërisë po formonin strukturen e re urbane. Ishte periudha e projektimit të lagjeve të reja të cilat nga niveli i investimit duhet të ishin sa më bazike, por njëkohësisht të formonin edhe identitetin nëpërmjet kompozimit të hapësirave të oborreve të brendshme, por edhe arkitektures së objekteve të veçanta të vendosura në kontekstin urban. Spikaten “Blloku Partizani”, “Ferit Xhajko”, ndërtesa e diplomateve në rrugën Skënderbej, ATSH dhe projekte të tjera të hartuara nga zyra e urbanistikës pranë Komitetit Ekzekutiv të Tiranës me udheheqjen e projekteve nga Koço Miho.
Për autorin duhet folur shumë më gjatë pasi objektet që ai la janë dëshmi e cilësuar e një profesionisti multidisiplinor, jo vetëm arkitekt dhe inxhinier, por mbi të gjitha me njohuri të jashtezakonshme në Urbanistikën e kompozimeve urbane të shkallës së vogël, por edhe në shkallë qyteti.
Veçanërisht është për t’u përmëndur hyrja në qytetin e Durrësit në vitet ’80 kur Koço Miho drejtoi zyrën e urbanistikës të Komitetit Ekzekutiv të Durrësit. Ndërhyrja ishte e një shkalle tepër të madhe urbane ku sfida ishte përballja e kujtdo, që do hynte në qytet me imazhin e Durrësit. Gjurmët që kishin lënë Italianët para dhe gjatë pushtimit me Planin Rregullues, por edhe shumë objekte të cilat edhe sot janë më të identifikuarat në qytet, mbeteshin të izoluara pa krijuar një pëlhurë urbane të shtrirë deri në skajet identifikuese të strukturës së qytetit. Ky ishte objektivi për t’u arritur dhe Koço Miho e ndërthuri gjithë këtë makro operacion urban me kombinimin e vendosjes së terminalit të transportit publik ku pjesë ishin “Stacionit i Ri i Trenit”, por edhe ai i autobuzave rajonale. Treni dhe autobuzat që e lidhnin qytetin me gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë duhet të ishin sa më afër qytetit. Arritshmëria ishte shumë e vlefshme për të gjithë vizitorët e qytetit pasi me këmbë mund të arrinin pothuaj çdo destinacion kryesor të tij, por mbi të gjitha për vetë banorët e Durrësit të cilët e kishin të ndërlidhur të përditshmen e tyre me Tiranën. Jeta studentore e Durrsakëve ishte e lidhur me trenin në vajtje në mengjes dhe mbërritje mbasdite, prandaj stacioni nuk ishte një mjet çfarëdo, por pjesë e organizmit bazik të qytetit. E pra zgjedhja e pozicionimit të tij ishte ajo më e afërta e mundshme pamvarësisht se manovra e hyrjes së trenit në stacion nuk ishte tepër e thjeshtë, duke qenë se ajo ishte me hyrje të dedikuar fundore dhe jo tranzit siç do kishte qenë perfekt të ishte në trasenë e linjës Tirane-Elbasan-Pogradec.
Zgjedhje-zgjidhja ishte e diktuar dhe e personalizuar në funksion të organizmit të një qyteti që jetonte me lëvizjen në këmbë. Dalja apo hyrja në stacion nuk mund të ishte ndryshe veçse e një sheshi urban të formuluar në perfeksion me godinat e pallateve të reja që ishin pjesë e gjithë ndërhyrjës urbane. Vetë sheshi ishte njëkohësisht edhe stacioni i autobuzëve ku gjithshka ngjante me një vend takim të përditshëm të njerëzve. Hyrja automobilistike në qytet, e vendosur vërtet në trasenë e dikurshme rrugore, por me një kontekst krejtësisht të transformuar nga njëra anë e saj paralel me linjën hekurudhore hyrëse në stacion e shoqëruar me siperfaqe të gjelbëruar dhe në orientimin tjetër Verior me park-lulishte, që i prezantonte vizitorit jo drejtpërdrejtë objekte. Autori “luan” me bifunksionalitetin, gjelbërim për të përcjellë ndjesinë graduale të hyrjes në qytet dhe destinacion rekreacioni për banorët e zonave të reja të banimit. Menjëherë pas bllokut të gjelbër me seksion rreth 50m pozicionohej perimetri i blloqeve të reja të banimit të cilat i dhanë qytetit mundësinë e rritjes masive në Veri. Arkitektura e të gjitha objekteve të ndërhyrjes urbane dallon për thjeshtësinë, por njëkohësisht edhe për elemente unifikuese identifikuese arkitektonike, por veçanërisht dalluese me përfundimin e siluteve të godinave me trarë hapësinore tepër të veçantë për kohën.
Biografia profesionale e Koço Mihos ishte e lidhur edhe me shkrimin për arkitekturën ku shkroi dy monografi të mirënjohura si “Amfiteatri i Durresit”, ”Trajta te Profilit Urbanistik të Qytetit të Tiranës”, dhe pas viteve ’90 me përmbysjen e sistemit totalitar vazhdoi aktivitetin profesional me shkrimin e dy monografive të tjera si Shqipëria Vështrim Urbanistik, dedikuar zhvillimit urbanistik të viteve 1922-1944 apo siç njihet ndryshe si periudha fashiste në urbanistikë dhe arkitekturë dhe “Arkitekt Kristo Sotiri” dedikuar arkitektit të njohur të fillim shekullit të XX me aktivitetin e tij projektues kryesisht në Rumani, i cili e kishte impresionuar dhe frymëzuar Koço Mihon më herët me Projektin e Muzeut te Dëshmorëve të Luftës në përfundimin e aksit të hyrjes në qytetin e Durrësit.
Shënim i autorit të tekstit
Koço Miho një profesionist i shkëlqyer që pata fatin ta njoh dhe të rritëm profesionalisht me të në fazat e formimit universitar. Cilido nga profesionistët e rinj është i rekomanduar të lexoj botimet me mjaft vlerë që ai i trashëgoi bibliografisë së arkitekturës Shqiptare.