fbpx

Të restaurosh modernen* – nga Artan RAÇA

Të restaurosh modernen* – nga Artan RAÇA

Më ndodh shpesh të filloj shfletimin e librave dhe revistave nga fundi, të lexoj frazën përmbyllëse apo verdiktin e shkruesit. Edhe në këtë rast do të doja ta nisja këtë vëzhgim nga fundi: na duhet një listë e objekteve të Arkitekturës Moderne Shqiptare për t’i futur edhe këto në trashëgiminë tonë kulturore. Vetëm kështu do të bënim të mundur ruajtjen e vazhdimësisë kulturore arkitektonike, të së shkuarës së afërme që nesër do t’i përkasë natyrshëm të shkuarës së largët.

Më 1965 me iniciativën tepër të guximshme të ministrit të atëhershëm të kulturës në Francë André Malraux, vila Savoye e projektuar nga arkitektit Le Corbusier futet në listën e Monumenteve Historikë. Kështu shpëton nga shkatërrimi (në momentet e fundit) një nga ikonat e arkitekturës moderne dhe njëkohësisht një nga dëshmitë më të arrira të banesës individuale të shekullit të XX-të. Por jo vetëm kaq, ky do të përbënte rastin e parë që në Francë një vepër të klasifikohej si monument kulture në të gjallët e autorit të vet, duke i hapur rrugën restaurimit të saj të përfunduar në vitet ’80-të.

Pa dyshim ky akt nuk do të përputhej shumë me përfytyrimin tonë kolektiv, ku në qoftë se do të flitej për trashëgimi kulturore e monumente historikë do të na kalonin nëpër mend objekte e ndërtime, shtëpi e rrënoja të qindra viteve më parë, apo arkitekturë e pafundme vernakulare, por jo ato të kohës sonë. Duke harruar faktin se kriteri i vërtetë për të hyrë në këtë listë nuk është vetëm “staxhionimi” i veprës por dhe vlera arkitekturore që mbart ajo që në momentin e krijimit, qoftë ky i të shkuarës së afërme moderne apo dhe i të tashmes bashkëkohore.

Në kryeveprën e tij mbi historinë e pikturës moderne “Lamtumirë një ideali”, Timothy James Clark shpjegon se “Modernia është Antikiteti ynë: një epokë tashmë tepër larg që na e bën të vështirë rindërtimin e kujtesës, për të kuptuar se ç’ndodhte me ne të gjithë kur ishim modernë, kur po shkëputeshim me shumë kurajë me të kaluarën, kur ndiqnim pareshtur avangardistët dhe kur luftonim kundër hordhive të filistinëve dhe të reaksionarëve të tjerë”.1

Sipas Octavio Paz, modernia është një term tepër i vështirë për tu përcaktuar. Sipas tij ka shumë tipe modernesh, po aq sa dhe lloje shoqërish, ku secila prej tyre ka modernen e vet.

Mbiemri “modern” (si “arti modern” apo ‘arkitektura moderne”) është tashmë boll qartë i dokumentuar në Europë, aq sa muzetë dedikuar lëvizjeve Moderne e Bashkëkohore pak e nga pak po tejkalohen nga historia dhe po transformohen në magazina të së shkuarës.

Pra nxitimi i historisë ka qenë aq i shpejtë sa na duhet dhe neve të fillojmë e të ndërtojmë muzetë tanë për arkitekturën moderne. Dhe po të fillonim hulumtimin e zbulimin e tyre, besoj se do të kishim një listë qoftë dhe tepër modeste të një arkitekture moderne të projektuar tek ne nga arkitektë shqiptarë apo të huaj. Kjo mungesë e kësaj liste ka ardhur për disa arsye:

– së pari, për atë që thamë më lart, duke e kuptuar modernen si diçka jashtë kohës, që ende nuk i ka ardhur koha për tu klasifikuar (siç nuk ndodh me të kaluarën e largët), por që në fakt është pjesë e kohës sonë. Kjo ka bërë që në këtë fushë të ndodhin gabimet më të rënda në restaurim, duke lejuar e legjitimuar ndërhyrje dhe transformime aspak profesionale sikur këto të mos ishin vepra arkitekturore e pasuri kombëtare, por kavje laboratorike.

– së dyti, nga një prodhim i pafund arkitekturor pa shije dhe pa aromë që është thjesht ndërtim, i cili po i merr frymën kësaj arkitekture duke modifikuar shijet e njerëzve dhe duke i larguar kështu ata gjithnjë e më tepër nga mundësia për zbulimin e saj.

– së treti, nga mungesa e aftësisë, guximit, parametrave dhe kuriozitetit profesional për ta lexuar e zbuluar këtë arkitekturë, nga mungesa e ndjeshmërisë dhe e syve të rinj për të parë e grumbulluar këtë pluhur të çmueshëm për ne, të shpërndarë nëpër qytete tona, që për të qenë të sinqertë përmblidhet në pak vepra dhe në pak emra. Udhëtimi i vërtetë kërkimor e zbulues– shkruan M.Prust- nuk qëndron më tepër në gjetjen e tokave të reja se sa në zotërimin e syve të rinj.

Pasja e këtyre syve të rinj parashikon kuriozitetin që lind nga pakënaqësia dhe mosaprovimi për mënyrën se si kjo arkitekturë po kuptohet (keqkuptohet), po trajtohet, po transformohet e po restaurohet.

Pikërisht restaurimi që i është bërë disa prej këtyre veprave të arkitekturës moderne, kryesisht të pasluftës tregon për mungesën e ndjeshmërisë dhe të shijes që shoqëria jonë tregon ndaj arkitekturës bashkëkohore.

Në çdo rast të këtyre ndërhyrjeve, qofshin këto nga privatë apo nga shteti, me konkurse apo pa to, vihet re rendja dhe padurimi për të ndryshuar çdo gjë, për të treguar se çdo gjë e ndryshuar është dhe e rinovuar, gjë e cila ka anesteziuar çdo lloj kurioziteti dhe aftësie selektive kundrejt vlerave dhe detajeve arkitekturore, ka prishur qetësinë dhe durimin me të cilin duhet parë një punë para se të niset.

Është shumë vështirë të dokumentosh e analizosh në një vëzhgim të gjithë këtë ndërhyrje që është bërë tek ne për “restaurimin” e arkitekturës moderne të pas luftës, por dhe më e vështirë është të përcaktosh kriteret dhe mënyrat e ndërhyrjes, duke qenë se ekzistenca e shumë teorive dhe praktikave restauruese nuk të jep mundësinë e një përkufizimi të qartë të një teorie specifike.

Megjithatë mendoj se është me vlerë ajo që shkruan Paolo Portoghesi, se ende principi më i drejtë që do të duhej të udhëhiqte praktikën e kësaj disipline është teoria e profesorit italian Ambrogio Annoni-t, pra ajo e shqyrtimit “rast pas rasti”, sipas së cilës çdo ndërhyrje për të shpëtuar një vepër arkitekture përcaktohet në bazë të studimit të të gjithë aspekteve që kanë të bëjnë me ndërtimin dhe historinë e saj, me thelbin e me përdorimin e objektit.

Rast pas rasti nuk do të thotë që çdo gjë është e mundur dhe e justifikueshme, përkundrazi do të thotë që arkitekti që gjendet përpara një objekti që kërkon një ndërhyrje të veçantë, duhet të hyjë në thellësi të veprës që i paraqitet. Duhet të dijë të lexojë tekstin që ka përpara për tu modifikuar, duhet të reflektojë mbi domethënien e ndërhyrjes së tij, mbi raportin me porositësin dhe mbi ligjshmërinë e çdo lloj ndërhyrje mbi bazë të kostos dhe të së drejtës së autorit, mbi raportin me shoqërinë dhe me vetëdijen e plotë për rrezikshmërinë shoqërore të zanatit te tij si arkitekt.

Çdo vepër me vlera arkitekturore përfaqëson një ngjarje shoqërore, dhe një ngjarje shoqërore– thotë shkrimtari e politikani anglez i viteve 1700- Edmund Burke- është një kontratë që përfshin jo vetëm të gjallët, por edhe të vdekurit, bile dhe ata që nuk kanë lindur ende.

Nuk do të ishte me vend që në këtë vëzhgim të mos flitej për disa nga rastet e asaj që u komentua më sipër si restaurim i Modernes. Në pamundësi për të paraqitur të gjithë këtë ndërhyrje, do të ndaloja në disa të tilla të cilat kanë të bëjnë me vepra me një identitet të spikatur arkitekturor të projektuara nga arkitektë në periudhën 1960-70, ndoshta midis të paktave vepra të racionalizmit arkitekturor shqiptar.

Ka një faktor që vë gjithnjë në rrezik dhe gërryhen faktorin bazë për arkitekturën, pra “hapësirën” dhe ky është faktori “kohë”. Kanti i paraqet që të dy këta si burime të njohjes njerëzore. Çdo arkitekt është i detyruar të pranojë dhe këtë besoj se ai e di mirë, që puna e tij në hapësirë për të plazmuar materien herët a vonë do të ballafaqohet me faktorin kohë, i cili nga ana tjetër i jep jetë dhe furnizon historinë. Nuk mund të them që këtij faktori nuk po i bënte dot ballë një nga arkitekturat më të realizuara në fushën e ndërtimeve shkollore, ajo e shkollës “Emin Duraku” në Tiranë e projektuar nga arkitekti Maks Velo në vitet 1966-70. Sepse në fakt nuk ishte më tepër faktori kohë që e “gërreu” dhe e amortizojë moralisht, por faktori njeri që siç thotë arkitekti Petraq Kolevica është aleati më i egër i kohës shkatërrimtare. Ky, pra arkitekti arriti ta gërryej këtë vepër duke e “restauruar” në pak kohë aq sa nuk e kishin bërë vite të tëra.

Shkolla “Emin Duraku”, M.Velo Korridori që lidh pjesën ekzistuese me të renë, para ndërhyrjes

Ndërhyrja në shkollën Emin Duraku përbën një nga rastet më të dhimbshme të shpërfytyrimit të një prej arkitekturave më të frymëzuara dhe realizuara të arkitektit Velo e cila të sjell ndërmend arkitekturat e racionalizmit europian të W.Gropius-it si dhe parimet e BAUHAUS-it të Weimar-it.

Ky është rasti më përfaqësues i mosleximit të arkitekturës që na paraqitet përpara, i mungesës së durimit për të qëmtuar me vëmendje çdo detaj dhe vlerë të saj. Autori i kësaj ndërhyrje ia ka dalë mbanë të neutralizojë e ndryshojë arkitekturën e saj duke shtuar volume e ngjyra jashtë natyrës së veprës. Kështu një nga detajet më të arritura të kësaj arkitekture, korridori transparent që siç thotë vetë arkitekti Velo në librin e tij “Paralel me Arkitekturën”, përbënte një lidhje të butë me shkollën ekzistuese nuk është më, ashtu siç ka humbur dhe volumi i shkallës për shkak të ndryshimit të ngjyrës dhe çridimensionimit të vetratës së saj.

Shkolla “Emin Duraku”, M.Velo Korridori që lidh pjesën ekzistuese me të renë, pas ndërhyrjes

E njëjta indiferencë dhe mungesë kurioziteti për të lexuar e kuptuar këtë arkitekturë ka shoqëruar lyerjen e fasadës që bie në rrugë, duke i humbur asaj materialitetin me anën e lyerjes së panevojshme e duke paralizuar kështu idenë që ka patur arkitekti Velo për të na sjellë në sipërfaqe atë çka shpesh ajo kërkon të fshehë, pra brendinë.

Ky është rasti ku merr një rëndësi të veçantë raporti midis të resë dhe të vjetrës ku rregulli i vetëm për të mbajtur peshoren drejtë do të ishte mundësia e rinjohjes së objektit, pra çdo gjë që shtohet apo hiqet duhet ta bëjë veprën përsëri të njohshme. Por që në rastin e shkollës “Emin Duraku” të projektuar nga Maks Velo njerëzit nuk do të kenë mundësi ta konstatojnë.

Shkolla “Emin Duraku”, M.Velo Korridori që lidh pjesën ekzistuese me të renë, para dhe pas ndërhyrjes

Pallatet prapa Bankës Kombëtare në Tiranë, përbëjnë rastin tjetër, pjesë e një prej iniciativave më të mëdha të ndërhyrjes në lëkurën urbane të qytetit. Por në qoftë se ndërhyrja në pjesët e tjera të qytetit edhe mund të quhej e justifikueshme për shkak të rrënimit të këtyre fasadave, (pavarësisht mënyrës tepër të diskutueshme të lyerjes së tyre që do të ishte një debat më vete) në rastin e kësaj godine ajo ishte e panevojshme për shkak se gjendja e saj paraqitej tejet e mirë. Siç thotë projektuesi i kësaj vepre arkitekti Petraq Kolevica, “ai bllok është ndërtuar gati dyzet vjet më parë dhe deri më sot nuk e ka patur të nevojshme as të lahej as të lyhej. Qëndroi i pastër dhe i paçngjyrosur dhe kështu do të vazhdonte të qëndronte dhe për një gjysmë shekulli, në mos më shumë”. I ndërtuar në vitet 1961-63 ai është– vazhdon autori i tij- ndër të parët bllok banesash me arkitekturë moderne të ndërtuar tek ne pas më se një dhjetëvjeçari ndërtimesh me stilin e arkitekturës sovjetike. Dhe për këtë arsye, them se në mos krahas të paktën gërmadhave të kalave meriton të mbrohet edhe kjo godinë që është një monument kulture i llojit të vet.2

Ndërhyrja këtu vërtet nuk ka qenë tepër kirurgjikale, pra është reduktuar në lëkurën e objektit, por kjo ka qenë me pasoja tepër të mëdha për identitetin arkitekturor të veprës duke krijuar dhe një shqetësim në të gjithë kontekstin urban përreth. Nuk duhet harruar se lëkura e objektit është edhe veshja e hapësirës publike në të cilën pasqyrohet kujtesa e qytetarëve; ajo ka të bëjë me tërësinë e atyre imazheve që formojnë vendet sipas konceptit të Marc Augé-së, apo dhe vetë qytetin. Këto imazhe janë po aq të rëndësishme sa edhe acidi mbi filmin ku fiksohet e kaluara jonë. Dhe kjo e kaluar që të arrijë të kthehet në kujtesë kërkon që fasadat e objekteve që formojnë qytetin të jetojnë gjatë, sa më gjatë me pamjen e tyre autentike. Nga ana tjetër lëkura e objektit është në të njëjtën kohë edhe sipërfaqja që përcakton hapësirën publike dhe kjo është perceptuar dhe ka ekzistuar si e tillë që nga momenti kur arkitektët janë interesuar për të po aq sa dhe për objektin, që nga momenti kur hapësira urbane është projektuar e ndërtuar prej tyre në funksion të arkitekturës së qytetit dhe të kujtesës urbis.

Pallati prapa Bankës Qendrore, P.Kolevica, para dhe pas ndërhyrjes

Po t’i kalojmë një vështrim të shpejtë teorive arkitekturore të veshjes së fasadave që nga Gottfried Semper e deri tek Oswald M. Ungers, të gjitha këto kanë të bëjnë me përgjigjen që duhet ti jepet pyetjes se lëkura e objektit është një veshje që kërkon të nxjerrë në dritë brendinë, apo një maskë që kërkon ta fshehë atë? Mendoj se arkitekti Kolevica në këtë vepër i është përgjigjur pjesës së parë, ndërsa ajo që është bërë më vonë për fat të keq, tenton t’i përgjigjet pjesës së dytë.

Nuk mund të lë papërmendur këtu edhe një nga veprat më të mira që padyshim do ti përkisnin racionalizmit tonë të pasluftës, e denjë për të na befasuar me qetësinë dhe lehtësinë e saj me të vërtetë e bukur dhe elegante, e cila ka kohë që është shpërfytyruar në mënyrën më qesharake. Kjo është ndërtesa e Radio Tiranës, një projekt i realizuar nga arkitekti Kostaq Sahatçi,(1923-2006) në vitet ‘60-të, i cili ja ka arritur të na japë një arkitekturë pa shumë pretendime formaliste, por me një qëllim të qartë, duke kapur thjeshtë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë pa humbur shumë energji atë çka nevojitej për kohën e saj, modernen.

Shpesh legjitimiteti në një ndërhyrje, varet shumë nga vlerat dhe bukuria arkitekturore që paraqet vepra, atë që Paolo Marconi në librin e tij “Materia dhe Vlerat” i quan si arkitektura në “gjendje normale”3. Të para si të tilla ekzistojnë vepra që i korrespondojnë përcaktimit albertian të Concinnitas, sipas të cilit asgjë nuk mund të shtohet dhe të hiqet pa e cënuar veprën. Në këto raste çdo transformim dhe çdo shtesë është një dhunim i veprës dhe për rrjedhojë nuk duhet lejuar.

Edhe ky rast bën pjesë ashtu si dhe ai i pallatit prapa Bankës Kombëtare në këtë kategori e ribërja e tyre duhej të kufizohej vetëm në “çpluhurosjen” e objektit, bile edhe kështu rrezikon shpesh t’i marrë imazhit të tij një pjesë të historisë.

Ndërtesa e Radios, arkitekt K.Sahatçi, para dhe pas ndërhyrjes

Arkitektura e fasadës së godinës së Radios e modeluar me linja të thata dhe të sakta, me një gjuhë të thjeshtë, të pastër por dhe tepër të lartë e të rafinuar, na çon në veprat e arkitektit racionalist italian Giuseppe Pagano (1896-1945), të cilat ashtu si dhe kjo vepër anojnë jo shumë nga poezia por nga një gjuhë qytetare e urbane.

Ndërhyrja në këtë godinë përbën një rast tjetër përfaqësues të këtij procesi të shpërfytyrimit, të moskuptimit, të shpërdorimit, të keqadministrimit si dhe të keqribërjes së arkitekturës moderne. Me një pandjeshmëri dhe verbëri të pashoqe janë hequr dhe zëvendësuar detaje tepër të qenësishme për këtë arkitekturë, si hyrja e saj tepër e menduar dhe e dimensionuar nga arkitekti Sahatçi, dritaret e grilat, shkatërrimi i përmasave të lëkurës së qelqtë që rrethonte shkallën në anën veriore, pa folur për lyerjen e objektit dhe materialet pa shije të përdorura për strehën në hyrje, duke e kthyer këtë godinë në një butafori të rëndomtë e të zymtë, që nuk do të ishte e denjë as edhe për një skenë festivali.

Ndërtesa e Radios, para dhe pas ndërhyrjes

Ndërsa ngjyra është përdorur si një mënyrë tepër e shpejtë për të kaluar në anën e arkitekturës, por që nuk ka bërë gjë tjetër veçse çmaterializimin e lëkurës së objektit duke i humbur veprës unitetin dhe raportet arkitekturore, me të cilat me të vërtetë ajo mund të krenohej. Për të gjithë ata që duan të shijojnë sadopak elegancën e dikurshme dhe autentike të kësaj vepre nuk ju mbetet gjë tjetër vetëm një shëtitje në oborrin e brendshëm , një nga pjesët më të arrira të arkitekturës së saj , që me sa duket për fatin e mirë nuk është vlerësuar nga syri i “restauruesit” si e denjë për ndërhyrje radikale.

Në analizën e këtyre restaurimeve ndesh jo vetëm me konceptin e dekadencës së shprehur nga Volteri si produkt i lehtësisë dhe i përtesës për ti bërë mirë gjërat, i veleritjes me të bukurën dhe i shijes së çuditshme, por dhe me synimin për të rrokur suksesin shpejt e për të bërë përshtypje me çdo kusht. Të kërkosh të godasësh syrin e njeriut me çdo kusht – thotë Luigi Zoja në librin e tij “Drejtësi dhe Bukuri” – është arrogancë, gabim etik dhe estetik së bashku. Bukuria herët a vonë e gjen konsensusin por në një mënyrë krejt ndryshe nga suksesi i menjëhershëm dhe personal.4

Vepra të tjera si ajo e Galerisë së Arteve e projektuar nga arkitekti Enver Faja, pallati në zonën e Bllokut, i veshur me tullë (1969) në rrugën V.Pasha, që për mendimin tim është një nga veprat më të mira të arkitekturës sonë dhe të arkitektit Kolevica, dhe vepra të tilla të tjera në qytetet tona rrezikojnë të kenë të njëjtin fat në mos e kanë patur. Prandaj na duhet të nxisim një iniciativë për një refleksion të institucioneve kulturore, universitare dhe atyre të specializuara për të bërë një regjistrim të Shqipërisë Moderne, për të prodhuar një përgjegjshmëri politike të administratës por dhe të publikut, në një shoqëri të lodhur dhe të plagosur ekonomikisht, e cila shpesh e ka për zakon të shkëmbejë betonin e bojën për kurë ripërtëritjeje.

Ndërtesa e Radios, oborri i brendshëm

*botuar për herë të parë në revistën FORUM A+P nr.1, janar 2009

  1. T.J.Clark, Farewell to an idea: Episodes from a History of Modernism,

New Heven, Yale University Press, 1999

  1. P. Kolevica, Mjaft me aventurën e shkatërrimit të kryeqytetit,

Letër e hapur Kryetarit të Bashkisë së Tiranës z. E.Rama, prill 2002

  1. P. Marconi, Materia e Significato, Editori Laterza, Bari 1999
  2. L. Zoja, Giustizia e Bellezza, Bollati Boringhieri 2007

Burimi: @Artan Raça Arkitekt

post a comment

Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial